Natyra njerëzore është e tillë: sapo përballet me një problem, menjëherë kërkon ta zgjidhë. Ne duhet të përpiqemi sipas mundësive tona që problemeve t’u japim zgjidhje. Disa probleme kërkojnë vetëm një orë përkushtim që të zgjidhen, disa probleme kërkojnë një javë, të tjera një vit dhe të tjera kërkojnë gjithë jetën angazhim, siç është problemi i ekstremizmit dhe radikalizmit.
Ne nuk kemi shkopin magjik që me një të goditur t’u japim fund problemeve. Ne jemi njerëz të thjeshtë dhe problemet tona përpiqemi t’i zgjidhim duke u bazuar në realitetin dhe aktualitetin ku jetojmë.
Kushdo që lexon jetëshkrimin e Profetit Muhamed gjen se ai përdorte shumë mënyra për zgjidhjen e problemeve dhe të gjitha ishin të moralshme, njerëzore e humane. Trajtimi dhe zgjidhja e një problemi varet nga shumë faktorë; nga personi, nga ambienti ku është rritur dhe edukuar, nga kultura prej të cilës vjen etj.
Problemi i ekstremizmit dhe radikalizmit është shumë kompleks sepse është i përzier me interesa të ndryshme, me interesa financiare e ideologjike. Ky fenomen është i ndërlidhur ngushtë edhe me interesa të armiqve tanë dhe shërbimeve të ndryshme, prandaj problemi i ekstremizmit zgjidhet duke e njohur dhe studiuar atë, ashtu si bën profesori Kolë Krasniqi në librat e tij. Nga këto studime dhe libra është e lehtë të ngrihen strategji për zgjidhjen e këtij problemi, por këto strategji nuk besoj se mund të kenë sukses të plotë pa qenë të kyçur në to edhe studiuesit e njohësit e këtij fenomeni nga aspekti i sigurisë si dhe studiuesit e mirëfilltë fetarë dhe çfarë është më e rëndësishmja, nga të dyja palët të jenë njerëz të dëshmuar për dashurinë e atdheut.
Profesor Kolë Krasniqi ka bërë një përzgjedhje shumë të kujdesshme të titullit të librit për të dërguar mesazhin, se islami si Fe nuk ka të bëjë me ekstremizmin dhe radikalizmin, por disa praktikues të fesë, në ligjëratat dhe veprimet e tyre janë ekstremistë dhe radikalistë, cilësi këto që i dërgojnë besimtarët në terrorizëm, apo i nxisin për terrorizëm.
Islami nënkupton paqe, siguri dhe shëndet. Myslimani i cili e beson dhe e praktikon islamin, është një person që reflekton besim tek çdo njeri dhe në gjithçka. Një njeri i tillë nuk e dëmton askënd me fjalë e as me vepra sepse islami është fe ku siguria dhe paqja janë bazë e saj.
Kur’ani urdhëroi se të gjithë njerëzit, madje të gjitha krijesat duhet të trajtohen me mëshirë. Kur’ani për vrasjen thotë: “…vrasja e një njeriu padrejtësisht, është e barabartë me vrasjen e të gjithë njerëzimit”.
Kur’ani nuk përmend dënim më të rëndë për asnjë lloj krimi tjetër që kryhet qëllimisht, përveçse për atë që vret dikë të pafajshëm. Vrasja e njerëzve të pafajshëm, madje edhe në luftë, bie në kundërshtim krejtësisht me parimet themelore të Islamit.
Krim i madh është kryerja e sulmeve terroriste. Në asnjë formë, asnjë mësim dhe parim të Islamit, nuk mbështen vrasës të tillë gjakftohtë. Nuk është absolutisht e mundur që një mysliman i ndërgjegjshëm, i cili beson në Zot, të kryejë akte të tilla. Ekstremizmi dhe radikalizmi janë nxitje në akte të tilla, apo përgatitje për akte të tilla e sipas parimeve të islamit nxitja dënohet edhe më rëndë se vet akti i terrorit. Terrori është krim kundër njerëzimit. “Feja” dhe “terrori” janë dy koncepte që kurrë nuk mund të bashkohen. Terrori nuk është vetëm një krim; në të përfshihen pesë krime të tjera. Një terrorist kryen krim kundër Krijuesit, kundër njerëzimit, kundër individëve ndaj të cilëve është drejtuar terrori, kundër vetvetes dhe kundër popullit pjesëtar i të cilit është.
Të gjitha fetë i bashkon një kërkesë themelore: e ajo është parimi i humanizmit, domethënë se çdo person duhet të trajtohet në mënyrë humane dhe dinjitoze.
Profeti Muhamed thotë: “Kujdes nga ekstremizmi sepse popujt para jush janë shkatërruar për shkak të ekstremizmit”.
Ndërsa një mendimtar islam thotë: “Një terrorist nuk mund të jetë mysliman dhe një mysliman i vërtetë nuk mund të jetë terrorist”.
Zuhdi Hajzeri
Imam në Pejë ( Kosovë),
Redaktor në portalin “FolTash” kundër ekstremizmit dhe radikalizmit,
Anëtar i Asociacionit Botëror i të Diplomuarve në Universitetin e Al Ez’herit në Kajro,
Anëtar i Qendrës Evropiane për Studime të Anti Terrorizmit dhe Inteligjencës Gjermani&Holandë.