Mifarete Laze (Vekshari) u lind në Shkodër, Shqipëri, më 20 nëntor 1959 në një familje me tradita të hershme patriotike dhe arsimdashëse. Kaloi fëmijërinë në Shkodër. U rrit në Shkodër. U edukua në Shkodër me traditat e zonës.
Myfaretja është mbesë nga Saranda. Prindërit e saj janë lindur në Konispol e Pandaleimon të Sarandës. Mbas shumë peripecish të kohës, e përndjekur nga ish diktatura komuniste, familja e saj vendoset në Shkodër ku lindën dhe tre fëmijët.
Arsimin fillor e tetëvjeçar ajo i mori në Shkodër. Aty filloi edhe aktiviteti i saj artistik që në klasën e tretë fillore. Fillimisht mori pjesë në festivalin e fatosave, fëmijëve të shkollës fillore e më vonë me pionierët, fëmijët e shkollës tetëvjeçare. E nisi me duetin “Beni Mira dhe reçeli“. Kështu filloi jeta e saj artistike.
Mifaretja thotë shpesh se “nuk e di si përfundova në skenë, thjesht kisha dëshirën me këndu e baba i kujdesshëm ma plotësoi këtë dëshirë”.
Mifarete Laze në moshën e fëmijërisë u bë pjesëmarrëse në 7 festivale lokale të Shkodrës e në 7 festivale Kombëtare për fëmijë. Fitoi disa prej çmimeve për fëmijë. Pas përfundimit të arsimit tetëvjeçar ajo mbaroi shkollën e mesme artistike “Prenk Jakova” në Shkodër. Gjatë kësaj kohe mori pjesë në festivalet e këngës qytetare Shkodrane ku vlerësohet me çmim të parë me kompozimin e Zef Çobës e më pas vijojnë çmimet e tjera të ndryshme. Gjithsej në aktivitetet e këngës në Shkodër numëron shtatë çmime: dy të para , tre të dyta dhe dy të tretë.
Mifarete Laze është aktivizuar gjatë viteve 1970 -90 në aktivitetet e Klubit rinor “Heronjtë e Vigut”, ”Studenti’, “Teatri Migjeni“,“Kino punëtori“, Shtëpia e Kulturës e Shkodrës, etj. Ndërkohë mori pjesë në tre edicione të festivalit folklorik në Gjirokastër.
Në vitin 1980 – 1984, Mifarete Laze mbaroi studimet e larta në Fakultetin e Gjuhë- Letërsisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës.
Në vitin 1980 ajo mori pjesë për herë të parë në Festivalin e RTSH-së ku nderohet me çmim të parë me këngën “Shoqet ilegale” dhe çmim të tretë me këngën “Nën kurorën e ullirit”.
Mifarete Laze erdhi si një risi në këngën e lehtë Shqiptare dhe në ato vite populli, edhe pse nuk lejohej, prej censurës komuniste, e quajti Mirel Mathieu e Shqipërisë.
Kështu Mifarete Laze nisi rrugën si këngëtare tepër e vlerësuar dhe e çmuar. Ajo në atë periudhë fitoi 13 çmime. Ishte për 14 vite radhas e pranishme në Festivalet e Radio Televizionit Shqiptar. Dhe ishte ndër këngëtaret më të pëlqyera për publikun shqiptar.
Mifarete Laze më vonë interpretoi edhe në shumë edicione të tjera të radio-televizioneve shqiptare si në “Këngët e stinës”, “Të interpretuesve” “Mikrofoni i artë“, ”Maratona e këngës popullore”, “Kënga Magjike“, “100 Këngët e shekullit” Ajo ka marrë pjesë vazhdimisht, si e ftuar nderi, edhe në aktivitetet e ndryshme të këngës popullore në qytete të ndryshme, etj.
Mifarete Laze ka përfaqësuar kulturën Shqiptare me zërin e saj brenda dhe jashtë Shqipërisë, e ftuar si pjesëmarrëse në aktivitetet e Ansamblit Shtetëror si: në Itali, Francë, Spanjë, Turqi, Greqi, etj.
Në karrierën e saj në festivale të ndryshme, Mifarete Laze numëron 21 çmime krahas artistëve më të mirë të këngës shkodrane e mbarëkombëtare. Kënga popullore qytetare Shkodrane dhe këngët çame, këngë të origjinës së prindërve të saj, të Çamërisë, si kënga “E dua Çamërinë” ia rritën dhe më shumë vlerën këtij zëri të veçante të muzikës Shqiptare.
Mifarete Laze duket më e re se kurrë edhe sot me zërin e saj të arte. Kjo këngëtare e Shkodrës është tanimë një ikonë e muzikës shqiptare dhe ka korrur suksese pa fund në skena të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Këngëtaren Mifarete Laze e bën të veçantë edhe sot në sytë e publikut jo vetëm jetëgjatësia në skenë, por mbi të gjitha ruajtja pastër e me fanatizëm e vlerave të vërteta të këngës Shqiptare me të cilën ajo nuk bëri kurrë asnjë biznes. Ajo kurrë nuk i shpërdoroi vlerat e këngës shqiptare për fitime personale siç veprojnë disa këngëtarë të tjerë që i kanë bastarduar këto vlera të rralla.
Mifarete Laze gjatë karrierës së saj artistike është nderuar me shumë tituj e çmime.
- Çmimi “Çesk Zadeja”.
- Çmimi i Karrierës , në natën gala të 45 vjetorit të Festivalit në RTSH, e radhitur në pesë këngëtarët më të mirë të viteve 60-80 si : Vaçe Zela, Gaqo Çako, Ema Qazimi, Mifarete Laze eTonin Tershana.
- Ambasadore e Paqes.
- Me titull “Nderi i këngës Shqiptare”, e nderuar nga Unioni Artistik Tiranë.
- Me titull Nderi, e vlerësuar nga Unioni Artistik Mbarëkombëtar.
- Me titull Nderi, nga Qëndra Kulturore e Fëmijëve Shkodër, me rastin e 45 vjetorit të këtij festivali.
- Dekoruar me titullin “Naim Frashëri”, nga Presidenti I Republikës Së Shqipërisë, Alfred Moisiu.
Disa nga këngët më të suksesshme të repertorit të këngëtares Mifarete Laze janë:
“Shoqet Ilegale”, Çmimi i parë; “Nën kurorën e ullirit”, çmimi i tretë; “Nusja e maleve”, çmimi i tretë; “Gjuha jonë”, çmimi i dytë; “Kur çelin bozhuret”, çmimi i tretë; “Të përshëndes atdheu im”, çmimi i tretë; “Udhët e atdheut më thërrasin”, çmimi i dytë; “Pragu i vegjëlisë”, çmimi i tretë; “Zemër nëne”, çmimi i tretë; “Zemra e trimit kurrë nuk ndalet” e Spartak Tilit, çmimi i tretë; “Eja”, çmimi i tretë; “Besa bes kala e fortë”, çmim i parë në festën e këngës Shkodrane etj., etj. Këngëtarja Mifarete Laze në repertorin e saj radhit dhe shumë këngë që i ka kënduar në anketën muzikore që organizonte Radio Tirana, duke qenë për shumë javë fituese e këtij edicioni. Ajo është përfaqësuar me shumë krijime të sukseshshme të kompozitorëve si: Limoz Dizdari, Kujtim Laro, Agim Prodani, Tish Daija, Avni Mula, Gazmend Mullai, Flamur Shehu, Xhavit Ujkani, Pjetër Gaci, Zef Çoba, Kolec Gajtani, Spartak Tili, etj.
Mifarete Laze nuk është vetëm artiste e dalluar, por edhe misionare paqeje. Ajo ka dhënë shumë ndihma për shtresat në vështirësi ekonomike. Si misionare bamirëse ajo është angazhuar me organizatën ndërkombëtare lobuese DiplomaticMission peace and Prosperity, pjesë e OKB. Mifarete Laze është këshilltare nderi e këtij misioni që vepron në Ballkan dhe në të gjithë botën për paqe e prosperitet.