Rreth Nesh

Revista “Krahu i Shqiponjës” është një revistë politike, kulturore, letrare dhe sociale e cila u botua së pari në vitin 1974, në dy gjuhë: shqip dhe anglisht, si organ i Lidhjes Çame në Çikago, Shtetet e Bashkuara.

Shkrimtari disident shqiptar Bilal Xhaferri ishte themeluesi, redaktori dhe udhëheqësi i kësaj reviste. (Bilal Xhaferri ka lindur më 2 nëntor 1935 në Ninat, Konispol, dhe pas një veprimtarie letrare-publiciste disidente, u detyrua të ikë nga Shqipëria komuniste më 1969 dhe të gjejë një strehë në Çikago të Shteteve të Bashkuara ku vdiq më 14 tetor, 1986). Revista “Krahu i shqiponjës” nuk u publikua më në Amerikë, me vdekjen e Bilal Xhaferrit. Kjo revistë u karakterizua nga një frymë antikomuniste.

Revista “Krahu i Shqiponjës” ishte një tribunë e lirë e të menduarit demokratik.  Në mesin e faqeve të revistës u trajtuan problemet kombëtare shqiptare, sidomos Çështja çame, Problemi i Kosovës dhe problemet e komuniteteve shqiptare në botë dhe në diasporë.

Bilal Xhaferri mundi të komunikojë përmes revistës Krahu i shqiponjës (Eagles Wing) me shumë intelektualë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Kanada, Australi, Turqi dhe vende të tjera, me gazeta dhe revista të tjera shqiptare të Diasporës, si dhe me organet e tjera të shtypit ndërkombëtar.

Midis faqeve të revistës Krahu i shqiponjës, përveç botimeve të shumë autorëve të huaj dhe shqiptarë, Bilal Xhaferri botoi edhe veprat e tij, shumë artikuj publicistikë, poezi, tregime dhe fragmente të romanit “ Trotuare të kundërta” (1975), fragmente të romanit “Hëna e kantiereve” (1977), skica për kurset e gjuhës shqipe që ndodheshin pranë xhamive ose kishave shqiptare në mërgim. Ai gjithashtu botoi vizatimet dhe karikaturat e tij, fotot artistike dhe filmat e shkurtër të bëra prej tij. Ai shkroi disa skenarë për filmave në SHBA. Në numrin e revistës, ku u botua për herë të parë një pasazh nga romani “Hëna e kantiereve”, u reklamua fakti se ai po prodhonte një skenar nga ky roman për një film me metrazh të gjatë me titull të përshtatur në anglisht “Hëna e fshatit”. Një kompani nga Hollivudi do ta filmonte atë.

Për shkak të veprimtarive antikomuniste të themeluesit të saj Bilal Xhaferri, redaksia e revistës “Krahu i Shqiponjës” u dogj në vitin 1981. Disa përpjekje për të eleminuar jetën e tij u bënë edhe nga agjentët e policisë sekrete shqiptare.

Bilal Xhaferri me shpenzimet e veta dhe me ndihmat e disa miqve mundi të publikonte 39 numra të revistës “Krahu i shqiponjës”.

Që nga viti 1995 revista “Krahu i Shqiponjës” është botuar në Tiranë, si organ i Shoqatës Kulturore “Bilal Xhaferri”, e themeluar dhe drejtuar nga gazetari dhe shkrimtari Shefki Hysa.  Ai realizoi gjithashtu kthimin e eshtrave të Bilal Xhaferrit në Shqipëri. Revista është botuar në gjuhën shqipe dhe pjesërisht në anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht. Vazhdon të botohet edhe tani.

Në faqet e revistës, përveç botimeve që mbrojnë çështjen kombëtare shqiptare, sidomos problemin çam, atë të Kosovës dhe çështjen kombëtare shqiptare në përgjithësi, shpesh janë botuar edhe artikuj dhe shkrime të zgjedhura nga personalitetet e letrave shqiptare si: Bilal Xhaferri, Dritëro Agolli, Ismail Kadare Jakup Mato, Martin Mato, Namik Mane, Pjetër Arbnori, Arben Çokaj, Sazan Goliku, Sokol Jakova, Shefki Hysa, Vath Koreshi, Visar Zhiti, etj. Në faqet e kësaj reviste mund të gjeni edhe artikuj, intervista dhe portrete të shumë politikanëve shqiptarë, si: Sali Berisha, Sabri Godo, Bamir Topi, Besnik Mustafaj, Fatmir Mediu, Skënder Gjinushi, Edi Rama, Ilir Meta, etj., e politikanëve të Kosovës si: Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi, Sabri Hamiti, etj.

Në këtë revistë janë botuar edhe krijime të autorëve botërorë, si: Alfred de Musset, Christina Rossetti, Edgar Allan Poe, Jack London, Jean-Paul Sartre, etj.

Autorët e huaj që kanë trajtuar në mënyrë të veçantë çështjen çame, si Miranda Vickers, Doris Pack, Hillary Clinton, James Pettifer, Dr. Haim Reitan, etj., kanë zënë një vend të veçantë në revistën “Krahu i Shqiponjës”. Kjo do të jetë kauza e revistës Krahu i shqiponjës edhe në të ardhmen.

Dr. Haim Reitan

Lexo më shumë : https://en.wikipedia.org/wiki/Krahu_i_shqiponj%C3%ABs

Menu