SHQIPTARËT DHE PRESIDENTËT AMERIKANË
Presidenti Woodrow Wilson, me vendosmërinë e tij, shpëtoi Shqipërinë nga Traktati Sekret i Londrës në vitin 1913, ku Fuqitë e Mëdha kishin për qëllim të shkatërronin këtë vend, duke e copëtuar atë për të ushqyer lakminë e pashuar të fqinjëve, të cilët i kanë shqyer shpesh copat e kësaj toke nëpër muzgjet e historisë.
Presidenti Theodore Roosevelt ka qenë kandidat për Mbret në Shqipëri dhe shqiptarët e mirëpritën atë. Kishte pengesa të tjera që lidhen me vetë natyrën dhe me tiparet e shtetit shqiptar, që nuk e bënë kurorën të mundur për Theodore Roosevelt si Mbret i Shqipërisë.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u kërcënua përsëri të zhbëhej, por SHBA, përmes Presidentit Franklin D. Roosevelt këmbënguli për integritetin shqiptar dhe u përpoq ta bënte vendin tonë një vend perëndimor, edhe pse Konferenca e Jaltës vendosi në një mënyrë tjetër dhe Shqipëria mbeti as në Lindje e as në Perëndim.
Presidenti Harry S. Truman insistoi të përfshijë Shqipërinë në planin Marshall të ndihmave, por shteti komunist mbylli kufijtë për amerikanët dhe perëndimorët.
Presidenti Dwight D. Eisenhower përmes Organizatës së Kombëve të Bashkura dhe Kryqit të Kuq gjatë viteve 1953-55 ka ndihmuar me furnizimin me ushqim për popullin e varfër shqiptar të izoluar nga sistemi komunist.
“Nëse Bashkimi Sovjetik do të synojë të pushtojë Shqipërinë, pasojat ndërkombëtare do të jenë shumë të mëdha për të”, – deklaroi kategorikisht Presidenti Xhon F. Kennedy. “Sovjetë, mos e prekni Shqipërinë!” – iu drejtua ai rusëve e veçanërisht Hrushovit. Kjo deklaratë e panjohur është bërë më 29 nëntor 1962 nga Presidenti Amerikan John F. Kennedy (1917-1963).
Në fund të vitit 1996, kur ekonomia e Shqipërisë ishte e rrezikuar nga piramidat financiare, Presidenti George HW Bush (Ati Bush) erdhi me anije deri në ujërat detare përpara portit të Vlorës për të bindur Sali Berishën të ndiqte një politikë tolerante ndaj Opozitës, në mënyrë që të mos degradonte shtetin, ndonese zëri i tij u dëgjua pak ose aspak. Dhe, në vitin 1997, viti i egër për shqiptarët, si viti i mbrapshtë 1913, sovraniteti i Shqipërisë u rrezikua nga ndërhyrjet e qarqeve greko-serbe në bashkëpunim me pushtetarët shqiptarë të shitur. Pothuajse një luftë civile filloi në Shqipëri.
Përsëri politika amerikane dhe diplomacia u vendosën në lëvizje. Presidenti Bill Klinton ndërhyri shumë fuqishëm pranë ish-Presidentit Sali Berisha dhe zyrtarëve të tij dhe situata e trazuar u qetësua nga oreksi i ri komunist klanor. Presidenti Bill Clinton e bëri realitet qëndimin e vet proshqiptar me urdhrin e tij për ndërhyrjen nga ajri në Jugosllavi. Kështu Kosova mbijetoi nga pushtimi serb. Me ndihmën e Amerikës, popullsia e Kosovës u kthye në vendin e saj dhe filloi të ndërtojë një shtet ligjor dhe të pavarur.
Presidenti Xhorxh W. Bush erdhi më 10 qershor 2007 në Shqipëri dhe nga Tirana zyrtare ai deklaroi se Kosova do të shpallet shumë shpejt një shtet i pavarur, i cili u bë realitet më 17 shkurt 2008. “Vota ime është për Kosovën e pavarur” – u shpreh Presidenti Xhorxh W. Bush për të gjithë botën nga Tirana, sic u shpreh dikur Presidenti Woodrow Wilson nga Parisi në 1919: “Vota ime është për Shqipërinë”. Pra, George W. Bush (Bushi i Ri) ishte Presidenti i parë amerikan që vizitoi Shqipërinë postkomuniste dhe ndihmoi shumë në përparimin e çështjes kombëtare shqiptare.
Presidenti Donald Trump: Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të gëzojnë mbështetjen e SHBA dhe NATO-s.
Si përfundim, Shqipëria, duke qenë një shtet i vërtetë demokratik me stabilitet dhe qetësi, me paqe dhe prosperitet, si një vend perëndimor, do të thithë më shumë ndihma financiare nga Amerika, që të jetë ekonomikisht e lulëzuar, si ëndrra e shqiptarëve. Kjo është pikërisht ajo që synon Organizata Ndërkombëtare Misioni Diplomatik Paqe dhe Prosperitet, iniciuar nga Richard Holbrooke, Ambasadori i Artë Amerikan.
Dhe unë me të drejtë deklaroj se jam shqiptar, por me zemër amerikane, më amerikan se çdo amerikan, se qënia ime shqiptar, ekzistenca e vendit tim, Shqipëri, lidhet me zanafillën e dashurisë së politikës demokratike amerikane për vendin tim, këtë vend të bekuar nga Zoti dhe Amerika.
Dr. Shefki Hysa


