Organizata ndërkombëtare Diplomatic Mission Peace and Prosperity (DMPP) thekson në misionin e vet; Lobim, Lobim dhe vetëm Lobim për Paqen, Edukimin, Arsimimin dhe Kultivimin e Qytetërimit Modern!
Për realizimin e këtij misioni mjaft të rëndësishëm, prezantohen objektivat, mënyrat dhe kapitali njerëzor i nevojshëm.
Siguria dhe Paqja mbeten një sfidë e vazhdueshme dhe mjaft delikate për mbarë njerëzimin. Parë më konkretisht paqja qëndron në një terren mjaft kërcënues e shpërthyes e ndjeshme edhe ndaj incidenteve të vogla, për shkaqe nga më të ndryshmet si keqkuptimet, konflikti i interesave, përplasjet e vlerave, pabarazia social-ekonomike, pesha emocionale kolektive etj. Historia botërore njeh shumë raste kur Paqja ndërmjet shtetesh organizatave të biznesit është cënuar dhe nga fryma që përcjell lidershipi në marrëdhëniet ndërpersonale.
Të lobosh për paqen tingëllon mjaft bukur por procesi pritet të jetë mjaft i ndërlikuar që nuk mund të realizohet duke patur vetëm dëshirën e mirë.
Termi “lobim” pavarësisht nga këndvështrimet dhe opinionet negative/pozitive, mirë (keq) kuptimet që e shoqërojnë, në kuadrin e globalizimit e ka tejkaluar fazën e “korridoreve” dhe prapaskenave; është metodë veprimi, në disa shtete e lejuar dhe me një konstruksion efikas ligjor.
Lobimi për paqe kombinon interesat dhe përpjekjet politike me “zgjimin” e elitave vendimmarrëse dhe më së shumti konsiderohet si një lloj “qeverisje në hije” e fshehur për shkak se individët apo grupet lobuese nuk janë pjesë direkte e vendimmarrjes. Për të realizuar lobimin këta individë zotërojnë aftësi të spikatura psikosociale, madje përdorin informacione sensitive me cilësi të lartë të siguruara në rrugë ligjore apo informale dhe i kthejnë në argumente të fuqishme për ta bindur vendimmarrësin të pranojë alternativën e ofruar prej tyre.
Fshehtësia e veprimeve të para, pa bujë, larg medias dhe syve të publikut shpjegohet me ndjeshmërinë e lartë dhe rrezikut të dështimit. Eshtë e kuptueshme; sa kohë dështimi nuk bëhet i njohur publikisht ka shanse për një rifillim të ri, por nëse informacioni rrjedh, dështimi ka pasoja të rënda; shkatërrohen shpresat për marrëveshje të favorshme, partnerët potencialë çoroditen, humbasin besimin reciprok dhe shndërrohen në kundërshtarë ashtu si dhe miqtë lehtësisht kthehen në armiq.
Lobimi realizohet në disa mënyra por më së shumti iniciohen takime informale e paraprake, me emisione, opinione dhe fushata të orientuara në rrjetet sociale, media vizive dhe të shkruar, me aktivitete kulturore, artistike, dreka e ceremoni të natyrës promovuese e festive.
E rëndësishme është të kuptohet qartësisht se çfarë kërkohet përmes lobimit, cilat janë rreziqet, koha e nevojshme dhe përgatitja për punë nën një presion të madh.
Lobisti vepron me ndërgjegje dhe me përgjegjësi, në pajtim me ligjin dhe në formatin e marrëveshjes i bindur se vendimet më të rëndësishme do të merren në një presion të madh kohe, që do të detyrohet të veprojë më së shumti nga instikti.
Për këtë qëllim lobisti kërkon, ndërmjetëson dhe realizon kontakte personale, takime dhe mbledhje direkt me funksionarët e organeve të pushtetit ligjvënës dhe ekzekutiv, si dhe me funksionarët e pushtetit lokal, në pajtim me rregullat për punë të atyre organeve.
Për fazat e para të lobimit si individë më të përshtatshëm përzgjidhen individët me akses social, me profil të lartë publik në fushën e artit, kinematografisë, sportit si dhe bamirës që nuk kanë ngarkesa ideologjike apo fetare që mund t’u cënojë reputacionin.
Gjithsesi përveç profilit të lartë publik duhet të gëzojnë cilësi që i tejkalojnë njerëzit e zakonshëm. Urtësia e fshehur në tru nuk ka vlerë nëse nuk e vë në veprim, siç nuk kanë vlerë vullneti pa influencë, intelekti pa aftësi komunikimi. Lobuesit e aftë zbulojnë e realizojnë lidhje emocionale, strukturore, krahinore, profesionale për të qenë i mirëpritur nga palët, për të kthyer kundërshtarët në partnerë.
Procesi i lobimit hartohet në bazë të një Strategjie të mirëmenduar dhe kalon nëpër disa faza që janë piketa të rëndësishme të ecurisë së procesit.
Përgatitja fillon menjëherë nga marrja e porosisë nga pala e interesuar. Nuk përjashtohet rasti që individë të shquar nisur nga fama, etja për sfida dhe krenaria kombëtare ndërmerrin veprime lobuese me inisiativë personale.
Në fazën përgatitore realizohet njohja e thellë e situatës, historiku dhe diagnostifikimi zë për zë i problematikës për të cilën do të lobohet. Veprimi më delikat është dhe sigurimi i informacionit për karakteristikat dhe cilësitë personale të individit që luan rol kyç në negociata siç mund të jenë origjina, bindjet politike, fetare, arsimimi civil ose ushtarak, prirjet, dobësitë njerëzore, interesat dhe çdo e dhënë me interes që do të shfrytëzohen me kujdes për zbutjen e natyrës së marëdhënieve.
Po kaq i rëndësishëm është ideimi i “skenarit” të veprimeve, metodave konkrete për kapërcimin e pengesave emocionale, fizike, sheshimin e keqkuptimeve e mosmarrëveshjeve ndërmjet liderëve palë në proces.
Po në fazën përgatitore lobuesit hartojnë një plan kornizë të detajuar lidhur me aktivitetet sensibilizuese duke shfrytëzuar maksimalisht potencialin që ofron media dhe teknologjia e komunikimit masiv.
Aktivitetet
Aktivitetet janë të larmishme por aspak konfuze dhe pa një synim të qartë. Grupet lobuese zakonisht i përqëndrojnë aktivitetet e tyre në kryeqytet ose në qytete të mëdha me peshë të madhe në jetën social-politike të vendit. Veprimtaritë e organizuara përmblidhen në vizita në vende historike, zhvillimin e ceremonive nëpër shkolla, trajnime falas në lidhje me tema të ndryshme, koncerte me artistë të përbashkët, zhvillimi i ndeshjeve sportive miqësore, promovimi i librave historikë etj. Të gjitha këto aktivitete artistike, shkencore, fetare sigurojnë pjesëmarrje masive që ndikojnë në opinionin publik për rishikimin problemeve me ngjyra më optimiste.
Po kështu veprimtaria lobuese realizohet dhe në firmosjen e peticioneve për çështje të caktuara, në përdorimin e emisioneve televizive etj, aktivitete të planifikuara mjaft të rëndësishme që i shërbejnë zbutjes e qetësimit të situatës.
Në aktivitete të tilla ku domosdo do të gjenden liderë të ndryshëm, realizimi i fotografive ndërmjet tyre në momente të ndryshme është një teknikë mjaft efikase e lobimit.
Në kushtet e përmirësimit të teknologjisë së filmimit si dhe transmetimit “live’ lobuesit shfrytëzojnë mjeshtërisht detajet për dhënien e mesazhit përmes imazhit. Psh; një foto përballë ku liderët shfaqen në këmbë ose me duar të takuara përcjell mesazhin e takimit por jo shumë të bashkëpunimit. Fryma e bashkëpunimit e mbështetjes reciproke transmetohet më mirë nëse dy liderët pozojnë ulur në një tavolinë pune, në duar mbajnë dokumente ose blloqe pune. Në këtë rast imazhi që i përcillet publikut është “ne punojmë e nuk po bëjmë muhabete kot”.
Një variant i mirë i përcjelljes mesazhit është dhe bashkëautorësia në një shkrim në gazetë etj.
Analiza
Realizimi me sukses i fazës përgatitore shmang “kontrollin e thellësisë së lumit me të dyja këmbët njëherësh”.
Kohë pas kohe lobuesit analizojnë situatën, ecurinë e procesit; avantazhet dhe disavantazhet e krijuara si dhe planifikojnë veprimtari të tjera të cilat mund të fokusohen në rregullimin e imazhit, të opinionit, të kompromiseve të tipit “fitore për të dy palët” të bashkëpunimit dhe rritjes së frymës së besimit reciprok.
Analiza të tilla synojnë realizimin përfundimtar të synimit për të cilin është kryer lobimi dhe shërbejnë si një eksperiencë e vyer për ndërmarrjen e veprimeve lobuese në nivele më të larta.
Përgatiti
Skënder Doda


