Politika ka qënë dhe mbetet sheshi i betejave me më shumë humbës, sidomos në Ballkanin herë-herë të ashpër, ku bëjnë pjesë edhe Shqipëria e Kosova, por personazhi ynë, politikani; kryetari i komunës Viti të Kosovës, Sokol Haliti është padyshim një fitimtar i vlerave njerëzore. Ai lindi më 08 gusht 1969 në fshatin Beguncë të Komunës së Vitisë, ku dhe banon aktualisht.
Sokol Haliti u diplomua si inxhinier në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës. Pas diplomimit në këtë fakultet, ai i zhvilloi më tej njohuritë e tij edhe në fusha të tjera. Inteligjent dhe i dashuruar pas botës së dijeve njerëzore, i etur për tu aftësuar profesionalisht edhe në shkencat shoqërore, ai studioi për Marrëdhënie Ndërkombëtare, duke u diplomuar në Universitetin Ndërkombëtar të Strugës.
Më vonë Sokol Haliti kreu dhe Akademinë 2-vjeçare të Biznesit, në Tiranë me dëshirën për të njohur dhe menaxhuar botën e biznesit. Ai gjithashtu ka kryer kurse 3-mujore për diplomaci dhe protokoll, në Tetovë.
Pas luftës së vitit 1999, kur Kosova u çlirua, Sokol Haliti u emërua Këshilltar Komunal në përbërjen e parë të Kuvendit Komunal të Komunës së Vitisë. Më vonë, ai u caktua përgjegjës sektori dhe drejtor i Drejtorisë për Bujqësi në Komunën e Vitisë.
Në sajë të punës së tij të palodhshme, Sokol Haliti u emërua edhe Drejtor i Departamentit të Prodhimtarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve në Ministrinë e Bujqësisë në Prishtinë. Ai ishte njëkohësisht edhe Këshilltar i grupit parlamentar në Kuvendin e Kosovës si dhe Drejtor ekzekutiv në sferën e bujqësisë në një investim të jashtëm.
Sokol Haliti është specializuar dhe profilizuar për të qenë edhe lider i institucioneve humanitare në shërbim të komuniteteve në nevojë. Pra, krahas detyrimeve si zyrtar i lartë i shtetit të Kosovës dhe si politikan në shërbim të demokracisë, ai ka marrë përsipër edhe detyra humanitare si vullnetar e misionar paqeje.
Ai ishte pjesëmarrës aktiv i organizimit të referendumit për pavarësi si plebishit i popullit për liri e pavarësi në vitin 1991.
Në vitin 1992, Sokol Haliti ishte anëtar i komisionit komunal për zgjedhjet e lira. Ai ka qenë ideator dhe organizator i mbajtjes së manifestimit të 2 Korrikut për 20 vite me radhë si dhe udhëheqës nëndege për dhjetë vite në kohën e okupimit.
Sokol Haliti ka qenë veprimtar politik i ditëve të para dhe njëri nga themeluesit e LDK-së. Ai ishte një ndër udhëheqësit kryesor të Unionit të Studentëve dhe një ndër organizatorët e rezistencës dhe demonstratave gjatë viteve 1988-1989, kurse më 31 maj 1989 edhe i burgosur i sistemit diktatorial serb që drejtonte Kosovën, para vitit 1999.
Sokol Haliti është një ndër udhëheqësit e komisionit për bujqësi pranë LDK-së në nivel vendi dhe anëtar i komisionit për bujqësi në nivel të Kosovës në kuadër të Shoqatës së Komunave të Kosovës.
Në vitin 2000, Sokol Haliti, si misionar paqeje, ishte Koordinator i organizatës “Feed the Children”. Aktualisht ai është Bashkëpunëtor i shumë OJQ-ve të huaja dhe vendore (anëtar i disa prej komiteteve të tyre), si: Intercooperation, projekti për konsolidimin e tokave, Merci Korps, Care International, Caritas Bresha-Cezevi, Difid etj.
Sokol Haliti është një ndër themeluesit dhe udhëheqësit kryesor të Këshillit për Pajtimin e Gjaqeve në nivel vendi dhe komune.
Në vitin 1996, Sokol Haliti ishte udhëheqës i ndërtimit të shkollës në fshatin Beguncë. Ai ishte gjithashtu udhëheqës i këshillit emergjent për të larguarit nga Drenica më 1998 dhe strehues i tyre dhe në përkujdesje të plotë të dhjetëra familjeve nga Polaci, Qitaku, Prekazi, Llausha, Runiku, Melanica etj.
Sokol Haliti ka qenë udhëheqës i pritjes dhe sistemimit të refugjatëve nga Maqedonia gjatë luftës në Maqedoni, gjithsej 13623 refugjatë.
Pra, janë të shumta aktivitetet e tij si politikan, zyrtar dhe vullnetar, misionar paqeje në shërbim të shtresave në nevojë. I aftësuar dhe i profilizuar për të menaxhuar punën në zyrë, njëkohësisht edhe veprimtaritë në terren, Sokol Haliti u bë një ndër njerëzit më të respektuar të Komunës së Vitisë. Pikërisht për këto vlera të padikutueshme të personalitetit të tij, në vitin 2013, populli i Vitisë i besoi atij drejtimin e Komunës. Dhe megjithëse kanë kaluar vite si kryetar i Komunës së Vitisë, ai asnjëherë nuk i ka zhgënjyer zgjedhësit e vet me projektet që ka realizuar në shërbim të tyre, përkundrazi sa vjen dhe rritet respekti i tij si një nga kryetarët më të aftë ndër vite.
Në muajin maj 2014, Diplomatic Mission Peace and Prosperity (DMPP), e nderoi intelektualin e shquar Sokol Haliti me titullin Misionar Paqeje, Këshilltar Nderi i këtij misioni.
Dhe misionari Sokol Haliti ia ktheu menjëherë detyrimin misionit. Ai, me kërkesë të DMPP, miratoi sheshin për vendosjen e bustit të Ambasadorit Amerikan Riçard Hollbruk, realizator i çlirimit të Kosovës. Sheshi u ndërtua sipas modelit të institucioneve demokratike amerikane, u vendos busti dhe mori pamjen e një copëze Amerike me emrin “Bonstill” në mes të qytetit të Vitisë.
Më në fund me kontribute të Misionit dhe të Misionarit të Paqes Sokol Haliti, u nderua siç i takon figura e Ambasadorit të Artë Amerikan, Riçard Hollbruk, Kryetar Nderi i Misionit Diplomatik për Paqe dhe Zhvillim për Ballkanin (Diplomatic Mission Peace and Prosperity), ideator i të cilit ishte po vetë ai.
Duke u nisur nga vlerat dhe kontributi i tij të çmuar në shërbim jo vetëm të komunitetit që ai drejton, por mbarë Kosovës, Universiteti Katolik Amerikan, me propozim të organizatës Misioni Diplomatik për Paqe e Zhvillim, do t’i akordonte Sokol Halitit titullin e lartë Doktor Honoris Causa në fushën e Diplomacisë Ndërkombëtare. Ky titull iu dorëzua gjatë një ceremonie të mbajtur në Komunën Viti nga rektori i këtij universiteti Dr. Jose Moreno, në mars të vitit 2015. Sikundër theksuam dhe më lart, Dr. Sokol Haliti rreshtohet tek ato figura politike që i bëjnë nder jo vetëm Kosovës, por mbarë Ballkanit.
SHPËRNDAJE


