Idriz Balani ka lindur në Konispol, Shqipëri, më 03 Tetor 1953. Në Maj 1954 familja e tij u vendos përfundimisht në qytetin e Durrësit. Shkollën e mesme dhe atë të lartë i kreu në Tiranë nga viti 1968 deri në vitin 1979 duke kryer edhe shërbimin ushtarak, brenda kësaj periudhe.
Në vitin 1980 Idrizi mbrojti diplomën në Akademinë e Arteve të Bukura (Instituti i Lartë i Arteve Figurative) në Tiranë, në degën e skulpturës monumentale e të kavaletit, nën drejtimin e pedagogëve Andrea Mano e Hektor Dule, skulptorë të shquar në Shqipëri.
Në Janar 1980 deri Shtator 1980 punoi pranë Skulptorit të Popullit Mumtas Dhrami për realizimin e Monumentit të Drashovicës. Në Janar 1984 u caktua të punojë në Fabrikën e Gomës “Kozma Nushi” për të realizuar bustin e heroit, i cili u vendos në hyrje të fabrikës.
Në shtator 1984 emërohet mësues pranë Shkollës së Mesme Artistike Mujo Ulqinaku (Jan Kukuzeli), në degën e skulpturës. Nga Shtatori 1989 – Qershor 1990 Idrizi zhvilloi Kursin pas Universitar për Kritikë Artistike pranë Institutit të Lartë të Arteve Figurative në Tiranë.
Në Gusht 1992 ai shkoi si emigrant në Athinë, Greqi. Më 27 Korrik 2001 u emërua Drejtor i Kulturës në Bashkinë e Durrësit. Më 07 Janar 2005 emërohet Drejtor pranë Drejtorisë Rajonale të Monumenteve të Kulturës Durrës. Nga 26 korriku 2006 e në vazhdim Idrizi është marrë me krijimtari artistike e biznes privat (biznes i vogël).
Skulptori Idriz Balani për nga koncepti i shkollës që ka kryer, por edhe nga formimi i tij, ushtron veprimtarinë në fushën e Artit Realist të kavaletit dhe atij monumental.
Në kushtet historiko- kulturore që po kalon sot Shqipëria, në tranzicionin nga sistemi komunist në atë demokratik, si dhe shpallja e Pavarësisë së shtetit të Kosovës, si pjesë e kombit shqiptar, krijuan mundësi që skulptori Idriz Balani të thellohet në tematikën historike. Pjesë e krijimtarisë së tij janë heronjtë dhe dëshmorët e kombit shqiptar në shekuj. Shumë nga veprat e tij janë të vendosura në Durrës, Fier e Sarandë, në Shqipëri, si dhe në Prishtinë, Pejë, Deçan, Mitrovicë, Prekaz e Viti, në Kosovë. Ai ka marrë pjesë në ekspozita, në kuadër të Akademisë Europiane të Artit në Paris, Zvicër e Belgjikë. Skulptori Idriz Balani një pjesë të veprave i ka në koleksione private në Francë, Itali, Greqi e Rumani.
Skulptori Idriz Balani gjatë gjithë karrierës së tij artistike i është përkushtuar punës dhe ka realizuar shumë vepra. Busti monumental i dëshmorit Telat Noga, 1984, i vendosur në lulishten para ish fabrikës së cigareve Durrës, ku është edhe sot, është një ndër veprat e para artistike.
Vepra të tjera janë:
Basorelievi kushtuar “Shkollës së parë shqipe” në Ishëm, 1984, vendosur në fasadën në hyrje të shkollës.
Busti i atdhetarit Sheh Adem Roda, Ishëm,1984.
Busti monumental i Heroit të Popullit Kozma Nushi, 1984, vendosur në hyrje të ish fabrikës së Gomës, Shkozet, Durrës.
Busti i Rilindasit të shquar Naim Frashëri, 1986, vendosur në oborrin e shkollës së Mesme, që mban emrin e tij.
Portreti në mermer i atdhetarit Çam Muharrem Rushiti, 1986, Galeria e Arteve e qytetit Durrës.
Në bashkëpunim me skulptoren Liljana Çika, në vitin 1987, Idrizi ka realizuar basorelievin monumental triptik “Mësim Punë Kalitje”, i cili është vendosur në fasadën e Shkollës së Mesme të përgjithëshme “Leonik Tomeo” në Durrës.
Në bashkautorësi me skulptorin Dhimitër Harallambi, në vitin 1988 ka realizuar monumentin kushtuar “Çetës së Kavajës”, formacion luftarak shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, vendosur në fshatin Çetë, Kavajë.
Në vitin 2005 në bashkëpunim me skulptorin Qazim Kërtusha ka realizuar monumentin e Atdhetarit Haxhi Zeka, vendosur në qytetin e Pejës, Kosovë .
Në vitin 2007 ka realizuar bustin e Presidentit të pare të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili është i vendosur në Sallën e Kuvendit Komunal, Pejë.
Po në vitin 2007 në bashkëpunim me skulptorin Qazim Kërtusha, ka realizuar bustin e Gjergj Kastrioti Skënderbeu, vendosur në oborrin e Shkollës, që mban emrin e tij në fshatin Blinisht, Pejë.
Në vitin 2008 në qytetin e Durrësit ka realizuar veprën skulpturore kushtuar Skulptorit të Merituar Sabri Tuçi, vendosur pranë murit rrethues mesjetar.
Në vitin 2010 në qytetin e Pejës ka vendosur bustin monumental të Atdhetarit, Intelektualit, Heroit të Kombit, Enver Hadri.
Në shkurt 2011 ka inaguruar në qytetin e Pejës bustin tors të Akademikut Dr. Prof. Ali Hadri.
Në 3 maj 2011 ka inaguruar bustin monumental në mermer të Heroit të Kombit Agim Ramadani, i cili është vendosur në ambjentet e brëndshme të qendrës rekreative Katana, në Obiliq, Prishtinë.
Idriz Balani ka marrë pjesë në shumë ekspozita të rrethit të Durrësit, ekspozita Kombëtare, si dhe në disa konkurse ndërkombëtare.
Ka marrë pjesë në konkursin ndërkombëtar në Shkup kushtuar Heroit Legjendar Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Ka marrë pjesë në konkursin kushtuar Nënë Terezës, pranë Katedrales që po ndërtohet në Prishtinë.
Në dhjetor 2010 ka fituar konkursin për shtatoren e Isa Boletinit, i cili është vendosur në fshatin Isniq të Deçanit dhe në Mitrovicë në kuadër të 100 vjetorit të Shtetit Shqiptar .
Në janar 2012 ka inaguruar në qytetin e Pejës bustin monumental të intelektualit e atdhetarit të shquar Jusuf Gërvalla.
Në janar 2012 në kuadër të konkursit “Flaka e Janarit”, që zhvillohet në Gjilan, është nderuar me “Mirënjohje”, në fushën e Artit Pamor.
Në prill 2012 është fitues i “Çmimit të Publikut”, për realizimin e koncept-idesë “Varreza monumentale e eksodit të shqiptarëve të Çamërisë” në Qafë Botë (Kllogjer), Sarandë.
Ai ka marrë pjesë në konkursin ndërkombëtar, kushtuar Ismail Qemalit.
Më 12 tetor 2012 në fshatin Isniq të Deçanit ka inaguruar shtatoren e atdhetarit, Heroit të kombit, Isa Boletini.
Është pjesëmarrës i përhershëm i ekspozitës “Pranverë Art”, që hapet çdo vit në pranverë, pranë Muzeut Kombëtar, Tiranë.
Më 21 Nëntor 2012 në Pejë u inagurua busti (tors) i atdhetarit Bedri Pejani, njërit nga firmëtarët e aktit të pavarësisë, vendosur në oborrin e Shkollës së Mesme të Përgjithshme, që mban emrin e tij.
Më 24 nëntor 2012 në një nga sheshet e Mitrovicës u inagurua shtatorja e Gjeneralit të Pavarësisë, Isa Boletini.
Më 08 Maj 2013 në oborrin e kullës së tij në Prekaz u inagurua shtatorja e atdhetarit e luftëtarit, njërit prej njerëzve më të afërt të Isa Boletinit e Hasan Prishtinës, Ahmet Delia.
Më 17 Shtator 2013 në oborrin e shkollës “Bajram Curri” në fshatin Strellc të Deçanit, Kosovë, dhe pranë bustit të tij u inagurua busti i njërit prej themeluesve të kësaj shkolle dhe për shumë vite drejtori saj, Dëshmori Haki Povataj, rënë heroikisht në dhomat e torturës nga policia serbe.
Më 15 Maj 2014 po në Strellc në “Varrezat e Dëshmoreve” të këtij fshati, u inaguruan 20 medalione, nga një për secilin dëshmor.
Më 02 Nëntor 2014 në Fshatin Ninat, Sarandë, u inagurua busti i Poetit Disident Çam Bilal Xhaferri, pranë muzeut, që ndërtoi familja e tij.
Më 27 Nëntor 2014 në qytetin e Vitisë, Kosovë, u inagurua busti i Ambasadorit Amerikan Richard Holbrooke.
Më 24 Prill 2015 në komunën Ishëm të rrethit Durrës u inagurua busti i Klerikut Atdhetar Sheh Adem Roda.
Më 25 Maj 2015 në fshatin Strellc të Deçanit, Kosovë, u inagurua busti i dëshmorit Ismet Ukaj.
Më 04 Korrik 2015 në qytetin e Fierit u inagurua busti i ambasadorit Richard Holbrooke (kopje e asaj të Vitisë), të cilat janë realizuar me inisiativë të Misionit Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet.
Më 10 Gusht 2015 në fshatin Duraj të Kaçanikut, Kosovë, u inagurua busti tors i atdhetarit Avdyl Duraj.
Gjatë karrierës së tij, Idriz Balani ka marrë vlerësime të ndryshme. Më 15 Dhjetor 2011, Shoqata Patriotike “Çamëria” dega Durrës, i jep Çertifikatë Mirënjohjeje. Më 5 Nëntor 2012 Misionit Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet i dha titullin Misionar Paqeje, Këshilltar Nderi i këtij misioni prestigjioz. Më 26 Prill 2013 kryetari i Bashkisë së qytetit Durrës Vangjush Dako i jep titullin Mirënjohje e Qytetit me motivacion: Për kontributin e dhënë në skulpturën shqiptare, veçanërisht në përjetësimin e figurave tona historike”.
Idriz Balani gjithashtu dallohet për kontributin e tij në komunitet. Ai është intelektual me shpirt bamirësi. Si një njeri bamirës dhe misionar ai i është përkushtuar edhe Kauzës së Paqes.
Idriz Balanisi Misionar i Paqes ka disa vjet që bashkëpunon me organizatën ndërkombëtare Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet, pjesë e OKB-së.
Intelektuali Idriz Balani ka disa vite që është një Këshilltar Nderi i Misionit Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet.
Dr. Shefki Hysa


