Një nga mburrjet më të mëdha të vendit tim, Shqipërisë, është harmonia fetare dhe kur flet për besimin, emri i parë që të vjen ndërmend është padyshim ai i Baba Haxhi Edmond Brahimajt, Kryegjyshit Botërtor të Bektashinjëve, atij burri mjekërbardhë, gjithmonë veshur me jeshilen e shpresës dhe të bardhën e paqes, frymës që predikon dhe përcjell.
– Zoti është forca dhe besimi për të shkuar deri në fund, – thotë ai. – Ne jemi thjesht fakirë që ecim në rrugën e Tij.
Po kush është Baba Edmond Brahimaj?
Duke iu referuar një shkrimi të Prof. Dr. Ago Nezha, Baba Mondi ka një jetë bohemë, që do ta kishin zili dhe klerikët më të vjetër. Shkrimtari i madh amerikan Uollt Uitman ka thënë se: “Qyteti më i madh i botës është qyteti ku ka njerëz të mëdhenj”. Shqipëria duhet të mburret që ka në truallin e saj Kryegjyshatën Botërore, unikale në llojin e vet, me Baba Mondin në Krye.
Haxhi Baba Edmond Brahimaj, ka lindur në Tiranë më 19 maj 1959, nga prindër besimtarë të përkushtuar ndaj bektashizmit, me origjinë nga fshati Brataj i Vlorës. Për këtë fakt kuptimplotë Brataj dhe gjithë Labëria kanë të drejtë të krenohen për birin e tyre të shenjtë.
Ndonëse në vitin 1967, besimi fetar në Shqipëri u ndalua me ligj, familja e tij, ilegalisht, ruajti dhe mbajti të paprekur traditat e urdhrit bektashian, të lindur 800 vjet më parë. Në këtë mënyrë prindërit e tij, i bashkohen brezit të besimtarëve, të cilët pas vendosjes së Qendrës Botërore Bektashiane në Shqipëri, mbajnë mbi supe përgjegjësi të mëdha. Në vitet e regjimit të egër ateisto-komunist, në shtëpinë e Haxhi Baba Edmond Brahimaj, u strehuan shumë klerikë bektashianë, të dëbuar dhe përndjekur nga strukturat kriminale shtetërore.
Baba Edmond Brahimaj, fëmijërinë e kaloi në Tiranë, por ai u ngjiz me traditat dhe zakonet e fshatit të lindjes që ia mëkuan prindërit e tij besimtarë të heshtur. Shkollën 8 vjeçare e kreu në Tiranë, prej ku vazhdoi studimet në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”. Gjatë studimeve në shkollën e mesme tregoi inteligjencë, këmbëngulje dhe aftësi duke arritur rezultate të larta në mësime. Për këto cilësi të spikatura i jepet e drejta të ndjekë studimet e larta ushtarake, në Akademinë e Forcave Tokësore, sot “Skënderbej’. Mbas mbarimit të shkollës së lartë i diplomuar dhe vlerësuar si një oficer me përgatitje të lartë profesionale, u caktua të shërbejë nga viti 1982 dhe deri më vitin 1990, në funksione të ndryshme ushtarake, në Burrel dhe Peshkopi.
Me ndryshimin e sistemit dhe vendosjen e pluralizmit politik, ai angazhohet në ringjalljen e besimit bektashian. Në fillim të vitit 1990, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, i bashkohet grupit nismëtar për ringritjen e besimit bektashian. Për kontributin e çmuar të tij, në vitin 1990 pranohet në gjirin e praktikantëve dhe tre vjet më pas, konsakrohet si dervish i urdhrit bektashian.
Në fund të viteve 90-të, së bashku me klerikë dhe besimtarë të tjerë, merr pjesë në Këshillin Organizativ të Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.
Në fillim të vitit 1991, me kërkesën e tij, lirohet nga funksioni ushtarak dhe ndjek idealet shpirtërore duke marrë përsipër barrën e rëndë për organizimin e Komunitetit Bektashian. Ky veprim ishte një sipërmarrje me kosto jo të vogël për një vend ateist. Edhe pse në kushtet të vështira, me privime dhe përndjekje për adhuruesit e fesë, Baba Mondi s’e ndali veprimtarinë e tij fetare.
Gjatë periudhës pas viteve 1976, kur ushtrimi i besimit fetar në Shqipëri u ndalua me nen të veçantë të Kushtetutës, shtëpia e prindërve të tij në Tiranë, ka shërbyer për mbajtjen gjallë të bektashizmit, duke rrezikuar lirinë dhe qetësinë familjare. Ëndrra e Baba Mondit po piqej gradualisht.
Ai, më dy janar të vitit 1992, merr dorë me vendosmëri të palëkundur kauzën e besimit bektashian tek udhëheqësi i tij shpirtëror, Haxhi Dede Reshat Bardhi dhe Baba Barjam Mahmutaj, duke u përfshirë kështu përfundimisht në rrugën e Pirit të ndritur Haxhi Bektash Veliut. Këtu zë fill karriera e tij fetare.
Më 16 maj 1996 konsakrohet me urdhrin “Dervish”, menjëherë ngarkohet me detyrë në Gjyshatën Bektashiane të Korçës, në Teqenë e Turanit.
Puna e palodhur, sakrificat e shumta dhe pasioni i tij për vazhdimësinë dhe ringritjen e besimit bektashian në shumë krahina të vendit si Librazhd, Pogradec, Mokër, Korçë, Devoll, Kavajë, etj., bënë që më 13 prill të vitit 1997, të dekretohet me titullin “Baba”.
Pas ndarjes nga jeta e Baba Bajram Mahmutaj, caktohet si zëvendës i Parë i Kryegjyshit Botëror Bektashian Haxhi Dede Reshat Bardhi. Në këtë funksion të lartë kontributi i tij ka qenë i çmuar dhe i veçantë sidomos në ideimin, përgatitjen dhe realizimin e tre kongreseve të radhës të bektashizmit. Madje në dy kongreset e fundit (Tiranë 2000 dhe 2005) ka raportuar në cilësinë e përgjegjësit të Këshillit të Lartë Gjyshëror. Puna dhe përkushtimi i tij e ka bërë të dallueshëm si një klerik model.
Në marsin e vitit 2006, me ndarjen nga jeta të Baba Tahir Eminit, emërohet në funksionin e Gjyshit të Gjyshatës Bektashiane në Maqedoni. Kontributi dhe angazhimi me nivel të lartë kulturor fetar në këtë Gjyshatë ka qenë sa në rrafshin organizativ të komuniteteve të besimtarëve të atjeshëm, ashtu edhe në aspektin e njohjes të vlerave prej ndërkombëtarëve. Veprimtaria e tij gjithëpërfshirëse si në Korçë edhe në Tetovë, ka bërë që Haxhi Baba Edmond Brahimaj, të tregojë e manifestojë cilësitë e spikatura të klerikut Bektashian në aspektin doktrinor, moral dhe qytetar, duke u shndërruar në faktorin e tolerancës fetare midis besimeve të tjera. Për veprimtarinë e tij sa fetare aq dhe patriotike, Baba Mondi ka krijuar një profil të njeriut sa tokësor dhe hyjnor.
Si lider dhe drejtues i Bektashizmit, që pa firikë mund të quhet besimi i të ardhmes së botës, për frymën e tolerancës dhe mirëkuptimit që përcjell, Baba Mondi është vlerësuar me çmime dhe tituj të ndryshëm nga institucione shtetërore kombëtare e ndërkombëtare nga të cilat do veçonim:
Në tetor të vitit 2016, Kryegjyshi Botëror i Bektashizmit, Haxhi Baba Edmond Brahimaj është nderuar me titullin “Doktor Honoris Causa” në fushën e Teologjisë dhe Shkenca Humane nga Akademia Botërore e Paqes në Kombet e Bashkuara. Titulli i lartë i është dorëzuar nga vetë presidenti i Akademisë Universale Botërore të Paqes, Dr. Madhu Krishan, i cili, mes të tjerash, vlerësoi kontributin e Haxhi Baba Edmond Brahimajt në forcimin e tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare si dhe aktivitetin e tij si Misionar i Paqes në botë. Nga nga Misioni Diplomatik Paqe dhe Prosperitet – Diplomatic Mission Peace and Prosperity (DMPP), si dhe Misioni Diplomatik Amerikan për Paqen Botërore, Dr. Edmond Brahimaj është nderuar jo vetëm me titullin Misionar paqeje, por dhe si Komisioner i Lartë për Paqen Botërore. Në Janar të vitit 2017, me iniciativën e Misionit Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Z. Barack Obama, i akordoi Haxhi Dede Edmond Brahimaj “Çertifikatën e Mirënjohjes” për arritjet në jetë në misionin e Tij si klerik paqedashës e tolerant, si dhe për angazhimin dhe kontributin e dhënë për paqen botërore në situatat e vështira që po kalon bota sot.
Po gjatë vitit 2017, Universiteti Amerikan Vox Dei, universitet i Kishës Katolike Anglikane Amerikane, e nderoi me titullin Doktor Honoris Causa për Divinity, vlertat e tij Hyjnore, dhe me titullin Profesor Nderi!
Sot Haxhi Prof. Dr. Edmond Brahimaj, ky Lider Botëror i Bektashizmit, ky personalitet model i vlerësuar lart për kontributet e tij të mëdha për Paqen Botërore, me të drejtë radhitet mes shumë personaliteteve të tjera botërore Paqebërës, Paqejetues dhe Paqeruajtës si Dr. Madhu Krishan, Kryetar i Academy of Universal Global Peace (AUGP) dhe Kryetar Nderi i Diplomatic Mission Peace and Prosperity, mision botëror lobues në vazhdën e projekteve të ish-Presidentit Amerikan Dwight D. Eisenhower dhe Ambasadorit të Artë Amerikan Richard Holbrooke, Dr. Jose A. P. Moreno, Peshkop i Kishës Katolike Aglikane Amerikane, Rektor i Vox Dei American University dhe përfaqësues i American Diplomatic Mission for World Peace, Ambasador dr. William Weiss, përfaqësues i Diplomatic Society Saint Gabriel, trupa Diplomatike Katolike Botërore, etj.
Me ndihmën e Zotit ky Lider Botëror i Bektashizmit, është dhe do të jetë një model i mirëkuptimit, tolerancës dhe bashkëjetesës edhe për liderët e besimeve të tjera fetare.