Të rrallë janë ata personalitete që pasi i janë futur fushës së politikës kanë mbetur po ata në thelb e në shpirt; i tillë është politikani dhe studiuesi Uran Safet Butka, i cili rrjedh nga një familje atdhetare dhe intelektuale e shquar, nipi i patriotit Sali Butka dhe i biri i martirit Safet Butka.
Ai ka indur në Tiranë, 20 qershor 1937.
Urani ka qene i internuar me gjithë familje nga regjimi komunist në vitin 1945 në kampin e përqendrimit të Krujës.
Karierën e ka nisur si mësues, në disa rrethe të vendit, kur kishin nevojë për arsimtarë. Në vitin 1961 kreu studimet me korespondencë në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji. U pushua nga puna si mësues për motive politike dhe provoi punët më të vështira fizike.
Në vitin 1976 u internua sërish nga Tirana me gjithë familje në Tropojë dhe mandej në Martanesh për njëmbëdhjetë vjet (1976-1987).
U kthye në Tiranë në prag të ndryshimit. Mori pjesë aktive në Lëvizjen Demokratike të viteve ’90 dhe në rrëzimin e diktaturës. Drejtues i Shoqatës Kombëtare të të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë. Kryeredaktor i gazetës “Liria”, nga viti 1991 e në vazhdim. Nëndrejtor i gjimnazit “Ismail Qemali” Tiranë, 1991-1992.
Anëtar i PD, kryesisë dhe i Këshillit të saj Kombëtar (1991-2005). Deputet aktiv i PD në Parlamentin Shqiptar në dy legjislatura: 1992-1996 dhe 1996-1997. Kryetar i Komisionit parlamentar të Mediave dhe të Kulturës në të dy legjislacionet. Kryetar i Komitetit për vlerësimin e figurave kombëtare, 1992-1997.
Gjatë kësaj periudhe ka promovuar në studime më vete personalitete të rëndësishme të historisë dhe të kulturës shqiptare si Faik Konica, Mid’hat Frashëri, Hasan Prishtina, Hysni Lepenica, Skënder Muço, Mustafa Gjinishi, Llazar Fundo, Sejfulla Maleshova, Gani Kryeziu, Muharrem Bajraktari, Musine Kokalari, Sabiha Kasimati, Bilal Xhaferri, Marie Shllaku, Selman Riza, Shefqet Beja, Mirash Ivanaj, Shaban Polluzha, Drita Kosturi, Xhelal Koprencka, Avzi Nela e dhjetra të tjerë, si edhe ka zberthyer historikisht figura kriminale si Haxhi Qamili, Esat Toptani, Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Shefqet Peçi, Dushan Mugosha, Miladin Popoviç, Milosheviç etj.
Prej vitit 1997 e në vazhdim është marrë kryesisht me punë studimore-shkencore kryesisht në fushë të historisë kombëtare, publicistikës, letërsisë, dhe kinematografisë. Ka botuar në organet e shtypit shqiptar dhe revista shkencore me qindra artikuj studimorë për ngjarje historike madhore kombëtare të tjetërsuara nga regjimi komunist dhe historiografia komuniste. Po ashtu ka botuar një varg veprash historike si “Ringjallje”, “Mukja-shans i bashkimit”,, “Gjeniu i Kombit”, “Kthimi i Mid’hat Frashërit”,“Elita shqiptare”, “Lufta civile 1943-1945”, “Bombë në Ambasadën Sovjetike”, “Masakra e Tivarit”, “Lufta e Drenicës”, “Kryengritja e Malësisë së Madhe”, “Kryengritja e Postribës”, “Krimet e komunizmit në Shqipëri”, “Kristo Kirka”, “Dritëhije të historisë”, “E djathta dhe e Majta në luftë” etj, si edhe polemika historike me studiues e historianë në shtyp dhe TV.
Në fushë te letersisë ka botuar: Permbledhjet me tregime e novela:“Vdekja e bardhë”, “Humbja nuk është mbarimi”, “Në shtëpinë tonë”. “Dora e shtetit”, “ Më në fund të lirë”, “Vuajtja e bukur” dhe romani “Miti i Haxhi Qamilit”. Mbi 25 botime.
Po ashtu, skenarë filmash dokumentarë: “Kryengritja e Postribës”, “Kryengritja e Malësisë së Madhe”, “Dy poetët martirë, Genc Leka e Vilson Blloshmi”, Lëvizja Kryeziu”, “Ventotene”, Mid’hat Frashëri”, “Martirët”, “Mallakastra siç ka qenë, “Kryengritja e Dibrës, 1913”,“Baba Kamber Prishta- martir i kombit”, etj.
Aktualisht: Drejtor i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skendo”, Tiranë.
Tituj vlerësimi: “Mësues i Merituar” 1993, “Mjeshtër i Madh” 2011, “Penda e Argjendtë” në letërsi-2013 dhe “Kalorës i Gjergj Kastriotit- Skënderbeut”(2016); Doctor of International Diplomacy (Vox Dei American University), Medalje e artë “Urdhri i Misionarit të Paqes Shenjtorja Nëna Terezë”, Doktor Honoris Causa i Univeritetit AAB Prishtinë, çmimi i parë për studimin e botimin e veprës së Mid’hat Frashërit (2021), etj.
Ajo çfarë i mbetet botës janë vetëm vlerat intelektuale dhe ato humane, ndaj nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë jetë të gjatë këtij djali fisnik që ishte dhe mbetet krenaria e familjes, fisit dhe mbarë kombit shqiptar…