Sapo e takon dhe ndërron dy fjalë me të, të krijohet ideja se ke një jetë që e njeh, pasi gra si Razije Musa të hyjnë menjëherë në zemër. Një zonjë e vertetë; shtatlartë, flokartë, zëëmbël dhe me fytyrë kurdoherë të qeshur. Me plot gojë, duhet të ndihesh me fat nëse ajo bëhet pjesë e miqësisë tënde, pasi nuk ka për të ikur më kurrë. Por Razija nuk është asnjëherë vetëm, sepse bashkëshorti i saj, diplomati Maliq Musa është gjithmonë pranë saj. Nuk mund të gjendet një çift që gjithçka e ka në sintoni të plotë; edhe të marrurit frymë, të tillë janë ata të dy Razije e Maliq Musa
Razija ka lindur në vitin 1952 në Mitrovicë të Kosovës. Pas arsimit të përgjithshëm ajo specializohet për Mami, në qytetin e lindjes, si pjesë e gjeneratës së parë të mamive (vetëm 28 femra aso kohë). Razija diplomohet në vitin 1972 dhe menjëherë fillon punë në Vushtri të Kosovës, për një vit. Më pas do të punonte në një tjetër qytet, atë të Podujevës, në maternitet. Pas 11 vitesh punë aty u zgjodh në listën e ngushtë të mamive që do të shkonin në Libi për të punuar, vend në të cilin do të punonte për 11 vite të tjera. Pas punës në Libi, Razija dhe familja e saj do të shpërnguleshin në Londër, Angli.
Në Londër ajo punon për 25 vjet si Mami në Maternitet e më pas shërben si Mami në Familjen Mbretërore të Britanisë. Razija gjithashtu ka shërbyer si Mami e fëmijëve të aktorit të njohur Roger Moore. Për shërbimin e saj të palodhur e me vlera të veçanta Razije Musa mban titullin “Mami Ekselente”, në Londër. Ajo ka qenë Mami e figurave të njohura publike si Natalie Pinkham, e familjes së mbretit të Arabisë Saudite e shumë e shumë të tjera.
Razije Musa është një nga gratë e rralla shqiptare që ka marrë edhe vemendjen e revistës më të madhe britanike “Hello magazine”, në të cilën citohet: “Engjëlli mbrojtës, Razije Musa”…
Pas rikthimit në Kosovë, Razija boton librin e parë me titull “Takim me të Posalindurin”, libër ky që gjatë vitit 2018 u rradhit në 5-shen e librave më të lexuar të vitit, në Kosovë
Ishin pikërisht puna e saj e palodhur dhe vlerat njerëzore e humane të Razije Musës që bënë që Diplomatic Mission Peace and Prosperity (DMPP) shqip, Misioni Diplomatik Paqe e Zhvillim, Organizatë Ndërkombëtare Lobuese e regjistruar në OKB, USA, NATO, etj., që punon për imazhin e mirë të vendeve në zhvillim, për Paqe e Prosperitet, në bazë të parimeve të Demokracisë Amerikane dhe Parimeve të Deklaratës së Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, vendosi ta dekoronte atë me titullin Misionare Paqeje dhe Ambasadore Nderi të vetën dhe partnerterëve të saj si: Misionit Diplomatik Amerikan, Trupës Diplomatike Botërore “Saint Gabriel”, Akademisë Universale për Paqe Globale, Universitetit të Kombeve të Bashkuara për Paqen Botërore, Universitetit Amerikan “Vox Dei” etj,.
Ky çmim prestigjos iu dorëzua Razijes nga Guvernatori i Diplomatic Mission Peace and Prosperity (DMPP), me qendër në Tiranë, Dr. Shefki Hysa. Ceremonia ishte një aktivitet festiv ku merrnin pjesë personalitete të shquara të artit, kulturës, gazetarisë, shoqërisë civile e shumë e shumë miq e mikesha të Razije Musës. Gjatë ceremonisë së nderimit, shumë e emocionuar dhe padyshim edhe e gëzuar për nderimin e dhënë, mamia Razija shprehet: “Ndjehem më shumë se kurrë e plotësuar dhe e nderuar me titullin Misionare e Paqes dhe Ambasadore Nderi e Misionit Diplomatik Amerikan për Paqe në Botë, Akademisë Universale për Paqe Globale, Misionit Diplomatik Paqe dhe Prosperitet dhe të gjithë partnerëve të tyre. Në udhëtimin tim profesional unë nuk eca e vetme, pa përkrahjen e madhe të bashkëshortit tim Maliq Musa. Pa dashurinë dhe energjinë pozitive të tre fëmijëve të mi unë nuk do të i’a kisha dalë… Falenderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi në Kosovë dhe Shqipëri, ndërsa zotohem se ky titull mua vetëm sa do më bëjë më të fortë për të vazhduar punën time, duke qenë zë i fortë i nënave dhe fëmijëve në çdo vend të botës”…
Dhe padyshim që ndihesh i\e vogël kur ke përballë njerëz si Razije Musa, “Engjëllin mbrojtës”, misionaren e lindur të Paqes…
Dylbere Dika