Haxhi Selim Muça rrjedh nga një familje me tradita islame. Babai i tij ka qenë Imam deri sa ndërroi jetë në fshatin e lindjes. Me fillimin e proceseve demokratike, është angazhuar totalisht në shërbim të Islamit dhe ringritjen e institucionit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Ai ka një eksperiencë të pasur pune. Në vitet 1964-1991 ka punuar në ndërmarrjen Gjeologjike në Bulqizë, Dibër, në funksionin e Inxhinierit Gjeodezi-topografi-hartografi. Në vitet 1992-1994 ai ka punuar si Inspektor Arsimi në Komunitetin Mysliman. Në vitin 1994 ka punuar 4 muaj si Myfti i Elbasanit. Në vitet 1994-1995 ishte në dispozicion të Myftinisë Lezhë dhe në Vlorë. Në vitin 1995 deri në Mars të vitit 2004 punoi si shef personeli në Komunitetin Mysliman Shqiptar. Në mars të vitit 2004 ai u zgjodh si kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Haxhi Selim Muça gjatë detyrës së tij si kryetar i KMSH-së, ka qenë një vizion i ri për Islamin shqiptar. Kështu institucioni më i lartë i myslimanëve shqiptarë është drejtuar nga Haxhi Selim Muça prej pesë vitesh.
Si një prej figurave të spikatura të Islamit në Shqipëri, Selim Muça u zgjodh në mbledhjen e datës 17 mars 2004. Kjo mbledhje do t’u jepte përgjigje një sërë çështjesh të rëndësishme, mes të cilave ishte edhe zgjedhja e kreut të Komunitetit Mysliman, gjë e cila nuk ishte arritur në mbledhjen e mëparshme të 3 dhjetorit 2003.
Haxhi Selim Muça ka qenë kështu lideri i dytë i myslimanëve shqiptarë në periudhën e demokracisë, duke zëvendësuar në këtë post Haxhi Hafiz Sabri Koçin. Ai erdhi në krye të komunitetit një kohë kur kërkohej zgjidhja një sërë çështjesh të rëndësishme, siç ishte vizioni i ri dhe një prej çështjeve më të mprehta, ajo e rikthimit të pronave, çështje kjo shpesh e diskutuar dhe ndonjëherë e keqinterpretuar jo vetëm nga mediat, por edhe nga individë të caktuar. Miradministrimi i pronave të KMSH-së, do të ndikonte në vetadministrimin e Komunitetit Mysliman, gjë që do të evitonte vartësinë financiare të tij nga burime të jashtme.
Haxhi Selim Muça gjithashtu ka ndikuar në specializimin e kuadrove të KMSH-së dhe zëvendësimin e tyre me kuadër të rinj, duke rifreskuar postet më të rëndësishme në të gjithë kryesinë dhe nëpër myftini në të gjithë Shqipërinë. Disa prej anëtarëve të kryesisë drejtuar nga ai tashmë janë edhe me grada shkencore, në sajë të bursave që janë siguruar në marrëveshjet me Komunitetin Mysliman.
Selim Muça, si kreu i ri i myslimanëve shqiptarë, i kompletuar me arsimin teologjik dhe atë laik, ka sjellur me vete një jetëshkrim të gjerë. Ai ka kryer medresenë e Tiranës dhe shkollën e mesme të përgjithshme në kryeqytet. Më pas Haxhi Selim Muça ka vazhduar studimet universitare në degën e Inxhinierisë Gjeodezi-Hartografi në Çeki. Kështu ai zotëron mjaft mirë gjuhën çeke. Në fillim të viteve 90’ me devotshmëri dhe përkushtim, ai mori pjesë aktive në rigjallërimin e strukturave të fesë Islame në Shqipëri dhe luajti një rol të rëndësishëm në punën e Komunitetit Mysliman Shqiptar, duke kryer disa detyra.
Haxhi Selim Muça është evidentuar si një prej emrave të përshtatshëm për postin e kreut të Komunitetit Mysliman, për frymën e bashkëpunimit, mirëkuptimit, seriozitetit dhe ideve gjithëpërfshirëse që e karakterizojnë. Kjo u bë e qartë edhe në zgjedhjen e tij në 2004 në Këshillin e Përgjithshëm të KMSH-së, ku Haxhi Selim Muça mori 78 për qind të votave nga anëtarët e pranishëm.
Në fokusin e prioriteteve dhe veprimtarisë së personalitetit Selim Muça, një vend të veçantë ka zënë edhe çështja për ndërtimin e xhamisë qendrore në Tiranë. Ai ka ndërmarrë angazhime dhe përpjekje të konsiderueshme, si me anë të negociatave për ndjekje të procedurave dokumentare, ashtu dhe atë të korrespondencës zyrtare me Komitetin Shtetëror për Kultet, Bashkinë e Tiranës, Kryeministrinë dhe KKRTSH-në e Republikës së Shqipërisë.
Vlen te theksohet se në fokusin e prioriteteve të Selim Muçës, i është kushtuar një vëmendje trajtimit të çështjes së njohjes, rikthimit dhe kompensimit të pronave të vakëfit.
Kjo çështje është trajtuar me përparësi. Janë përcaktuar fonde të konsiderueshme për sigurimin e dokumentacionit, përgatitjen e dosjeve dhe hapjen e proceseve gjyqësore për raste të veçanta. Kështu është bërë evidentimi i pronave në masën 90 për qind. Nën drejtimin e Selim Muçës janë nxjerrë nga arkivi mbi 1000 dokumente pronash. Gjatë periudhës së mandatit të tij 5-vjeçar, si kryetar, janë futur për legalizim gjithashtu edhe rreth 550 xhami.
Në zbatim të detyrave statuore, Selim Muça ka kryer në nivel të lartë procedural-protokollar të gjitha takimet me udhëheqës të shtetit, ministra, diplomatë, delegacione të huaja, etj., si dhe ka realizuar të gjitha takimet ndërkombëtare, sipas ftesave të ardhura në KMSH, duke përmendur edhe takimet me masmedian perëndimore për intervistë nga vende të ndryshme të botës. Ai ka përgatitur gjithashtu projekte afatshkurtër dhe afatgjatë për sponsorizim nga qeveritë e Malajzisë, Arabisë Saudite, Turqisë, etj., në fusha të ndryshme.
Ai ka drejtuar edhe shumë aktivitete ndërinstitucionale të KMSH-së, prej të cilave mund të përmenden realizimi i një sërë takimesh në nivel të lartë drejtuesish në konferenca e seminare të organizuara nga institucione vendase dhe të huaja. I rëndësisë së veçantë ishte sidomos zhvillimi i aktivitetit institucional diplomatik i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, në mbështetje të pavarësisë së Kosovës nëpërmjet takimeve të zhvilluara me ambasadorë të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë, si dhe përgatitja e deklaratave drejtuar organizmave ndërkombëtare si Organizatës se Kombeve të Bashkuara, Organizatës së Konferencës së Vendeve Islamike, etj.
Me rëndësi ishin edhe pjesëmarrjet aktive të kryetarit Selim Muça në takime, vizita pune e konferenca ndërkombëtare të zhvilluara në Angli, Gjermani, Itali, Japoni, Turqi, Arabi Saudite, Egjipt, etj.
Në aspektin e aktiviteteve fetare gjatë këtyre viteve, mbi të gjitha vlerësohet organizimi madhështor me karakter ndërkombëtar, i Programit Festiv, zhvilluar në Pallatin e Kongreseve me rastin e përkujtimit të ditëlindjes së Profetit Muhamed (a.s.). Përveç trupit diplomatik dhe personaliteteve të larta të shtetit Shqiptar, në këtë program madhështor, Presidenti dhe Kryeministri i Shqipërisë kanë shprehur përgëzimin e tyre ndaj Komunitetit Mysliman për organizimin e evenimenteve të tilla bashkëkohore dhe për imazhin e bukur që ky Komunitet i jep këtij vendi. Gjatë mandatit të kryetarit Selim Muça, këshilli botues ka realizuar për herë të parë disa botime me studime të mirëfillta, të cilat u janë vënë në ndihmë kuadrove fetare nëpër myftini, medrese e më gjerë, duke u regjistruar për herë të parë në Bibliotekën Kombëtare me ISBN-të përkatëse në emër të Komunitetit Mysliman. Këto vepra janë pasqyruar edhe në panairin e librit 2008, ku KMSH për herë të parë ka qenë prezente me një shumëllojshmëri artikujsh.
Një nga strategjitë kryesore të kryetarit Haxhi Selim Muça, ka qenë gjithashtu edhe ngritja e sistemit dhe nivelit arsimor nëpër medrese, tej standardeve që ka vendi ynë. Gjatë këtyre viteve të rëndësishme ishin edhe veprimtaritë kombëtare të organizuara si, Konkursi i Kur’anit Famëlartë në rang ndërkombëtar, etj. Gjatë këtyre viteve shkollore janë bërë investime të mëdha përkatësisht në medresetë e Tiranës, Shkodrës, Kavajës, Cërrikut dhe Kompleksi i Korçës, të cilat të gjitha së bashku arrijnë në miliona euro financime, falë marrëveshjeve që KMSH, me në krye Haxhi Selim Muçën, ka nënshkruar me disa shoqata në nivel ndërkombëtar.
Haxhi Selim Muça është rizgjedhur sërish kryetar i Komunitetit Mysliman Shqiptar pas votimit të zhvilluar më datë 21 mars 2009. Ai mori 85 për qind të votave nga 88 anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së.
Haxhi Selim Muça e dorëzoi detyrën më 8 mars të vitit 2014, pasi mbushi moshën e pensionit.
Ai dhe puna e tij ndër vite janë vlerësuar shumë nga institucione kombëtare e ndërkombëtare. Për vlerat e tij të rralla si personalitet në shërbim të Paqes Sociale ndërkomunitare në Shqipëri, Haxhi Selim Muça është nderuar nga Organizata Ndërkombëtare Diplomatic Mission Peace and Prosperity me titullin e lartë Misionar Paqeje – Ambasador Nderi.