Kush është zonja e madhe e Misioneve të Paqes, Katrin Bornmüller?
Ajo lindi në 4 korrik 1940 në Halberstadt, Gjermani. Sot në moshën 78 vjeç, Katrina vjen mes nesh me një aktivitet të gjerë, falë angazhimit të saj që në moshë të re, me ambicie të forta për jetën dhe karrierën e vet. Në 1958–1959, ajo ndoqi provimet në anglisht dhe frëngjisht dhe më pas punoi si Korrespodente e Huaj dhe Stjuardesë në “Deutsche Lufthansa”, Frankfurt.
Në Shtator 1961 ajo u martua me Hermann Bornmüller (Forstassessor). Deri në vitin 1968, ajo vazhdoi të punojë në Trier dhe Wittlich. Nga martesa, çifti Bornmüller ka katër fëmijë; një vajzë të lindur në 1962, një djalë në 1964, një vajzë në 1967 dhe një djalë tjetër në 1974. Në vitin 2014, zonja Katrina mbetet e ve.
Që nga viti 1980, Bornmüller është anëtare e Shoqatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Nga kjo kohë deri në 1990, ajo është angazhuar në ndihmë të të burgosurve politikë dhe të persekutuarve në Gjermani, Rumani, Poloni dhe komunitetin e krishterë në ish-BRSS.
Veç të tjerash ajo është pjesëmarrëse në më shumë se 10 Konferenca Botërore të OSBE-së, nga të cilat 3 herë në Madrid dhe 2 herë në Vjenë, gjithashtu në Bern, Otava, Paris, Kopenhagen dhe Helsinki.
Në prag të rënies së Murit të Berlinit, Katrina bëhet pjesë e demonstratave në Berlin dhe Bon kundër komunizmit, duke kontribuar në informacionin qendror të opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar.
Aktiviteti i Znj. Katrin Bornmüller shtrihet më tej me krijimin e një grupi pune për të siguruar mijëra pako për njerëzit e persekutuar politikë. Në 1991, pas rënies së sistemit komunist, ajo zhvilloi një vizitë në Lituani, duke u takuar me Prof. Dr. Lansbergis, President i Lituanisë dhe shumë kontakte të reja ndërkombëtare.
Pra Katrin Bornmüller është një humaniste e dëshmuar me veprimtari të spikatura. Ndjenja e saj e sakrificës fillon të shfaqet në vitin 1990, me organizimin e transportit humanitar për në Rumani, Lituani, Letoni, Poloni, Kroaci, Bosnje Hercegovinë dhe Shqipëri.
Që nga viti 2014, ajo është angazhuar në ndihmë humanitare për refugjatë dhe të krishterë, pakica të tjera në kampet e refugjatëve të krishterë kurdë, e shoqëruar nga folësit gjerman Muho Boga dhe Khalil Al-Rasho. Ajo ka qenë e pranishme shumë herë në kampe refugjatësh në Kurdistan, Turqi dhe gjithashtu edhe në Irak.
Në misionin e fundit humanitar, në Irak nën mandatin e KB, Katrin Bornmüller financoi privatisht disa projekte të rehabilitimit psikologjik, duke liruar shumë djem dhe vajza të rrëmbyer nga organizata terroriste ISIS. Një veprim njerëzor aq dhe i rrezikshëm për jetën e saj. Por njerëzit e sakrificës nuk dinë të ndalen sepse ndjejnë shpirtërisht gjatë gjithë jetës njerëzore. Katrin Bornmüller është angazhuar në donacionin më të suksesshëm ndërkombëtarisht, duke financuar 21 projekte nën kujdesin e Forumit për Donacione Online “Betterplace” dhe gazeta të ndryshme.
Aktivitetet e saj humanitare Katrin Bornmüller i ka realizuar së bashku me djemtë e saj dhe referentin Jezidi Khalil Al-Rasho, ajo ka ngritur 3 qendra shëndetësore, duke zhvendosur aktivitetin e tyre në pjesën kurde të Irakut, si dhe një seri trajnimesh për strukturat sociale dhe arsimore në terren, duke siguruar ndihmë të konsiderueshme humanitare, mjekësore dhe ushqyese me mbi 500 kamionë ngarkesash.
Katrin Bornmüller ka merituar dy çmime nga Gjermania, një nga Lituania e Letonia. Ajo është “Qytetare Nderi” në Lituani, Letoni, Rumani dhe në Shqipëri.
Nga 19 Dhjetor 2018, Katrin Bornmüller emërohet Ambasadore Nderi e Organizatës Ndërkombëtare Diplomatic Mission Peace and Prosperity (DMPP) dhe Misionare Ndërkombëtare e Paqes. Ajo u zgjodh për t’u nderuar për punën e saj humaniste, si aktiviste për të drejtat e njeriut, si “Qytetare Nderi” e disa shteteve, si një grua e fortë e me kontribute të çmuara në shërbim të Paqes Globale. Prania e saj si pjesë e Misionit Diplomatik do të jetë për të ardhmen një kënaqësi e lartë morale dhe shoqërore në përfaqësimin me dinjitet të vlerave të larta njerëzore dhe humanitare.
Një vlerësim tjetër për Misionaren tonë të Paqes dhe Ambasadoren e Nderit të DMPP, Znj. Katrin Bornmüller, erdhi nga Kroacia: asaj iu dha dekorata Kroate “RED HRVATSKOG PLETERA”, për Angazhimin Civil në Ndihmat Humanitare “88 Kamionë të Bamirësisë”, çmim i dhënë për punën e çmuar në shërbim të Paqes Globale, nga Presidentja e Kroacisë, Znj. Kolinda Grabar Kitaroviç!
Dhe nuk ka si të mos ndihesh e vogël kur krahasohesh me njerëz të tillë si Katrin Bornmüller që jetën e ka vënë në shërbim të paqes dhe humanizmit. Motivi i saj i vetëm është: “Njeriu për njeriun”.
Dylbere Dika