Kur thua mësues i ke thënë të gjitha dhe sakaq mendja përfytyron një njeri të ditur, të përkushtuar dhe të palodhur, me sy të qeshur e zemer të paqtë. E tillë është edhe mesuesja jonë e dashur Lefteri Lena Gjoshe, e cila ka lindur më 01.03.1950 në Vithkuq të rrethit të Korçës.
Mësuese Lefteria ka mbaruar studimet e larta në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në degën “Gjuhë shqipe-gjuhë ruse” në vitin 1972. Më pas ka kryer specializimin pasuniversitar për “Pedagogji – Psikologji”, pranë këtij fakulteti.
Ajo ka punuar fillimisht si mësuese e gjuhës ruse e më vonë si mësuese e gjuhës e letërsisë, në rrethin e Kolonjës. Ka kryer detyra të ndryshme në organet drejtuese të arsimit, si drejtoreshë shkolle e metodiste pranë Kabinetit Pedagogjik, në këtë rreth. Pas trasferimit të saj në Tiranë, ka punuar si mësuese gjuhe e letërsie e si drejtoreshë në disa nga shkollat e Tiranës. Për punën e saj, është vlerësuar me stimuj të ndryeshëm dhe me titullin “Mësuese e dalluar”, dhënë nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës, në vitin 1985, si dhe me distiktivin: “E dalluar në punën Kulturore”, – dhënë nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës”, në vitin 1986. Gjatë atyre viteve, ka punuar shumë si aktiviste me organizatën e gruas, ku ishte e zgjedhur edhe si anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të Grave të Shqipërisë. Që në fillimet e Demokracisë e deri më sot, ka punuar me shoqatën e arëmëno- vëllehëve dhe për një periudhë prej 13 vjetësh, ka kryer detyrën e kryetares së kësaj shoqate në rrethin e Kolonjës.
Gjatë punës si arsimtare, ka grumbulluar një përvojë të pasur në fushën mësimore, didaktike, edukative, pedagogjike e psikologjike. Pasioni i saj është të shkruarit, prandaj këtë përvojë të punës me fëmijët dhe përvojën jetësore, e ka pasqyruar, në shkrimet dhe librat e botuara.
Ka botuar disa libra për fëmijë e të rritur si “Kujtime nga jeta ime”; “Kaprolli mendjelehtë” me përralla edukative për fëmijë, “Neriu i mirë” me tregime e rrëfenja për adoleshentë; “Gatuaj për familjen” me receta gatimesh tradicionale nga rrethi i Korçës e Kolonjës” dhe librin me tregime e novela për të rritur, “Përballë jetës”. Gjithashtu, në gazetat periodike, ka botuar shumë artikuj edukativë dhe pedagogjik, për trajtimin dhe edukimin e fëmijëve.
Për punën e saj si shkrimtare, është vlerësuar, duke u pranuar si anëtare në Shoqatën Letraro-Artistike “Princ Muzaka”.
Është mjaft e ndjeshme me problemet, që shqetësojnë fëmijët jetimë e fëmijët pa familje, prandaj u ka qëndruar gjithmonë pranë, duke u dhënë dashuri e ngrohtësi.
Një nga pasionet në jetën e saj, ka qënë gatimi, prandaj kohët e fundit mori pjesë në spektaklin “Gjyshet milionere”, që organizoi Televizioni Publik Shqiptar, ku u vlerësua me çmimin e parë.
Ajo është një grua për t’u vlerësuar, një nënë për tu dashur dhe një mësuese për t’u admiruar, ndaj kjo është arsyja pse Misioni Diplomatik për Paqe e Zhvillim, vendosi ta bënte atë dhe vlerat që ajo mbart, pjesë të vetën, duke e nderuar me titullin e lartë: Misionare Paqeje dhe Ambasadore Nderi të stukturave të saj!
Me rastin e nderimit të mësueses sonë të dashur, Ambasadori i Nderit të DMPP, Nën/Kryetar i Komitetit të Kulteve, vetë propozuesi për marrjen e këtij çmimi, Dr.Kristo Goci do të theksonte:
“Mësuese Lefteria ecën gjithmonë në gjurmët e Nënë Terezës (TU URMILI ALI DADA TEREZA). Ajo nuk flet shumë, nuk ka kohë për të humbur. Edhe tashmë pas shumë vitesh në pension, ajo shkëlqen me veprat e saj si shkrimtare, humaniste, natyraliste, gastronomiste, gjuhëtare, besimtare e krishterë. Televizionet bejnë garë, se kush mund ta “rrëmbejë” me shpejt për një intervistë apo për një emision në studio. Kjo është mesuesja filologe Lefteri Lena Gjoshe, arëmano-vllahja nga Kolonja, aktiviste e herëshme e shoqatës “Armënji di Albanii” 1991, njohësja kompetente e katër gjuheve, shqip, vllahisht, greqisht dhe rusisht. Pas gjithë këtij aktiviteti shumëvjeçar, në dobi të komunitetit, është Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet DMPP, me qendër në SHBA dhe Shqiperi, që e ka nderuar dhe vleresuar me medaljen e lartë të Misionarit të Paqes Globale dhe të Ambasadorit të Paqes, mesuesen e shumëlëvduar Lefteri Lena Gjoshe. Gjithçka e merituar për mësuesen e palodhur, që sjell vazhdimisht antikitetin si vlerë, për të forcuar të tashmen e brishtë dhe për forcimin e sigurisë së të nesërmes! Ashtu pa fjalë shumë, sikurse ishte edhe Nënë Tereza, voskopojarja vllahe, Lefteria shkelqen në thjeshtësinë e veprës së saj të dobishme për shoqërinë! I shoqi, mesuesi Petraq Gjoshe, e shoqëron kudo dhe e ndihmon me modesti krijuesen e papërtuar… Dita sot ishte e nxehtë, por ne nuk e ndjemë, pasi freskia e fjalëve të sinqerta të Dr.Shefki Hysa, Guvernator i DMPP dhe mirësia e veprave të mësueses, mbajtën në ekuilibër pozitiv entusiazmin e grupit pjesemarres, në ceremoninë e dekorimit të aktivistes për Paqe Globale, ambasadoren Lefteri Lena Gjoshe!”
Ne nuk na mbetet gjë tjetë veçse t’i urojmë: Paç jetë të gjatë, e plot shëndet, mesuesja jonë e përkushtuar, vlera dhe forca e një gruaje të arrirë!
Dylbere Dika