Tashmë flokëbardhë, me një portet të bëshëm e njëherazi babaxhan, ku arrin të lexosh pa shumë mundim mirësinë, ky është Enver Ferizaj i lindur në Kosovë më 15 Qershor të vitit 1950. Më 15 tetor të vitit 1966, familja e Enverit emigroi nga Kosova për në Shqipëri, për t’u vendosur fillimisht në Fushë-Krujë e më vonë u caktuan me banim të detyruar në Këlcyrë, Përmet, ku qëndruan nga viti 1967 deri në vitin 1972. Që nga ky vit Enveri u vendos në Kavajë, qytet në të cilin jeton edhe sot.
Enver Ferizaj kreu arsimin e mesëm në Këlcyrë, Përmet e më pas studimet e larta në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në vitin 1972 ku dhe u diplomua si ekonomist agrar në vitin 1976. Gjatë shkollimit të tij Enveri pati mundësinë të njihet me disa gjuhë të huaja ndër të cilat ai ishte njohës i mirë i gjuhës serbo-kroatisht dhe pjesërisht i bullgarishtes, ndërkohe që ndër gjuhët e tij të mbrojtura listonte edhe gjuhën e ruse.
Pas përfundimit të studimeve, Enver Ferizaj kreu specializime të ndryshme për pasurimin e dijeve të tij. Ai kreu kurse të ndryshme për marketing dhe prodhimin në industrinë ushqimore brenda dhe jashtë vendit. Nga viti 1986 deri në vitin 1988 ka kryer provime pasuniversitare për gradën shkencore si kandidat i shkencave ekonomike.
Enver Ferizaj i filloi eksperiencën e tij në punë në komunat Luz i Vogël e Lekaj në vitin 1976 ku punoi si kryetar i degës së planit deri në vitin 1990. Më vonë u emërua Drejtor në Ndërmarrjen Ushqimore Kavajë dhe punoi aty deri në 1995. Përveç punës së tij, Enveri drejtonte edhe aktivitein e tij privat, Kompania “EN&ZY”, Kavajë që ka në pronësi ish fabrikën e konservave Kavajë, fabrikën e Miellit Gosë Kavajë si dhe aksionet në pularinë e Kavajës.
Në vitin 1996 Enver Ferizaj u emërua Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të rrethit Kavajë dhe qëndroi në këtë post deri në vitin 2003. Ndërkohe nga viti 1998 deri në 2005 ai ishte Zv/President i Shoqatës Kombëtare HABA . Enver Ferizaj ka qenë Anëtar i Këshillit Bashkiak të qytetit Kavajë për rreth 7 vite, që nga viti 2000 deri në 2007.
Enver Ferizaj në vitin 2001 u zgjodh Kryetar i Këshillit të Agro-Biznesit Shqiptar për tre prefektura: Tiranë, Durrës, Elbasan për rreth 3 vite deri në 2004. Duke filluar nga viti 2001 e në vazhdim ai ka qenë pjesëmarrës në disa Projekte Lokale e Kombëtare, si drejtues dhe bashkëdrejtues. Nga viti 2005 deri 2007 ka qenë Anëtar i bordit i Shoqatës Agro-përpunuese të ushqimit Tiranë. Që nga viti 2005 e në vazhdim Enver Ferizaj është President i shoqatës Kombëtare HABA. Nga viti 2006 e në vazhdim është President i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar. Nga viti 2006 e në vazhdim është Anëtar i Këshillit Konsultativ të Biznesit pranë Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës. Nga viti 2009 është anëtar i Komitetit Kombëtar të Punës dhe vazhdon të jetë anëtar i saj akoma edhe sot.
Në Vitin 2013 Akademia e Paqes Botërore i akordoi Enver Ferizajt titullin Doktor në Diplomacinë Ndërkombëtare.
Enver Ferizaj, intelektual erudit dhe me shpirt fisnik e bamirës, ka ndihmuar dhe vazhdon të ndihmojë shumë shtresat shoqërore në nevojë. Si intelektual, kurdoherë i gatshëm në ndihmë të komunitetit, ai është një ndër misionarët e paqes më të angazhuar në Organizatën Ndërkombëtare Lobuese “Diplomatic Mission Peace and Prosperity”, pjesë e OKB. Dr. Enver Ferizaj është Komisioner i Lartë për Paqen Botërore dhe nuk resht kurrë së punuari për paqen sociale dhe humanitetin, në ndihmë të gjithkujt.