Duke u mjaftuar me jetën e përditëshme dhe asaj që na rrethon, harrojmë tju referohemi njerëzve imagjinata e të cilëve është e thellë e lartësuar dhe e jashtzakonshme.
Është koha kur njerzimi e ka humbur drejtpeshimin, fillin e arsyes dhe përditë e më shumë largohet prej të lartësuarës. Harron për ca kohë se në vendin e tij apo në botë kanë egzistuar dhe ekzistojnë njerëz fisnikë e të arsyeshëm që aftësitë dhe artin e tyre e vënë për të lartësuar ndjenjën e shpresës së mirë, të bashkëpunimit, të solidaritetit midis njëri-tjetrit, për një jetë më dinjitoze.
Artistë dhe humanë të përmasave “Ibrahim Kodra” do të vlerësohen gjithmonë, mendimet dhe kujtimet për ta janë të pa shtershme. “Unë kërkoj larg në horizont/ praninë e jetës/pafundësinë…/ lëvizjen”…
Ditën e shtunë më 13 Prill, 2019; Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet (DMPP), Akademisë së Paqes Globale (AUGP) të Kombeve të Bashkuara, Misionit Diplomatik Amerikan për Paqe Botërore (ADMWP), Shoqërisë Diplomatike “Shën Gabriel” (DSSG) dhe Universitetit të Kombeve të Bashkuara për Paqe Globale (UNUGP) i akorduan Mjeshtrit Ibrahim Kodra titullin e merituar: “Misionar Paqeje dhe Ambasador Nderi i të gjitha stukturave ndërkombëtare të lartpërmendura që punojnë pë Paqen në Botë (Pas Vdekjes). Si Piktor i madh i njohur ndërkombëtarisht në shërbim të Paqes Sociale dhe Prosperitetit Social. Për angazhimin e madh dhe kontributin e çmuar në Arte për frymëzimin e patriotizmit dhe bashkëveprimit ndër-komunitar të paqes. I dekoruar me urdhërin Nderi i Kombit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, si Ambasador i Kulturës Shqiptare. Si misionar Global i Paqes dhe Ambasador Nderi i DMPP, si filantrop e udhëheqës i vetësakrifikuar dhe nxitës i misioneve që kanë sjellë paqe e begati për gjithë njerëzimin…
Luftëtari i Paqes Ibrahim Kodra, për shumë vite, ka kontribuar në paqen sociale në Shqipëri dhe në mbarë botën, duke ofruar mbështetje sociale, edukative dhe humanitare, kontribute në fushën e artit, edukimit, patriotizmit, lirisë nga diktatura.
Tek dëgjoja motivacionin e gjatë të dhënies së titullit, mendimi më fluturoi tek korridori i thjeshtë i Mjeshtrit, ku mbi një raft të mbërthyer në mur si sergjenët e shtëpisë së Ishmit, ishin radhitur trofetë dhe çmimet pa fund që mjeshtri i madh ipërfshirë në enciklopedinë botërore si një nga 30 piktorët më të mëdhenj të botës, i quajtur nga kritika e lartë botërore si ‘’Pikaso i gjallë’’. Më shumë se 30 shtete kanë bërë filma dhe dokumentarë për Mjeshtrin që është “Qytetar Nderi” në shumë qytete të Italisë dhe botës, si në Gjermani, France e deri në Tokio. Çmime e trofe pa fund nga e gjithë bota. Midis tyre edhe medalja “Milanezi i Arte’’, dorëzuar nga Kryetari i Bashkise Gabriele Albertini, në konkursin komëtar për arkitekturën. Mjeshtrin, studentin e quajtur “Ylli i Breras” në Akademinë ku studio, në Milano e shqetësonte gjithçka; edhe betonizimi i qyteteve në të cilat është shumë vështirë të banohet.
“Kam lindur në Ishëm unë. Jam ishmak. E Ishmi është afër Durrësit e Tiranës. Nga Kodra e Ishmit shihet Tirana, Durresi, Lezha, Mamurasi, Kruja dhe një pjesë e mirë e Detit Adriatik, deri në Ulqin e më tej. Është vend i bukur apo jo. Kështu fillonte biseda dhe prezantimi me të panjohurit qofshin ata artistë të mëdhenj apo personalitete të larta të vendit e të huaja, miqve dhe mikeve të tij të dashura. Të cilëve u fliste për nënën, Ishmin, rakinë, Arbërinë dhe Kalanë madhështore të Heroit Legjendar Skëndërbeut”.
Ishte mik i ngushtë i Pikasos, i cili bënte pjesë në sërat e larta të elitës franceze, ndërsa Kodra vinte nga një vend i varfër që u pushtua nga fashizmi e nazizmi e më pas nga komunizmi.
“Pikaso përdorte shpesh tridimensionizmin, unë mendova teorine time. Ku ka nje vijë vertikale, duhet të mbështetet pa tjetër tek një vijë horizontale, pra kubismin katërdimensional. Pasi në atë kohë u prezantua koha e konsumizmes në botë, e cila e la njeriun viktimë, kjo është anatema e atij civilizimi, njeriu është – njeriu rrobot”…
Mik me Pol Elyarin, Heminguein, Dino Buxatin, Gutuzon, Kuazimondon e shumë shkrimtarë, poetë, politikanë arkitektë dhe njerëz të thjeshtë me të cilët kalonte kohë të gjata dhe që patjetër u tregonte shumë herë për vendin e tij, për Shqipërinë. “U thoja se asht nji vend i bukur sa s`ka ma”…
Në itali shkoi nw njw moshw shumw tw re atje u pagëzua me fenë kristiane, por asnjëherë nuk e ndërroi emrin dhe mbiemrin e tij, as atëherë kur miqtë e këshillonin të përshtaste një emër arti, si bëjnë artistët e mëdhenj. Ai nuk pranoi. Dhe vetë firma e Mijeshtrit ishte një art më vete. “Edhe fenë edhe emrin i kam për të qenë përbrenda identitetit tim”, – u thoshte shpesh miqve të tij.
Mjeshtri ishte një luftëtar i paqes, ashtu siç shkruhet në motivacion. Shumë tablo të tij janë të frymëzuara nga veprat e Heminguejt, Folknerit, Frederiko Garsia Lorka, ilustrime nga vepra e Brehtit; “homazh për Bertol Breht”. Në tablo shkruante shpesh në krye të tablosë, “Pace”. Gërmat e kësaj fjale kodifikonin shpesh pikturën e tij.
Ibrahim Kodra ishte një luftëtar i flaktë i çështjes kombëtare. Në morinë e gazetave dhe revistave, të shtypit të rëndësishme italian, gjen shkrime dhe intervista ku mjeshtri Kodra jepte mendime e vlerësime për shumë probleme kulturore, sociale dhe politike. Syri të zë një nga gazetat që ai ka afishuar në murin e studios. “Le Voce di Mantova.1998”( Zeri i Mantovës), ku me gërma të medha kapitale boton thirjen dhe apelin e Mjeshtrit, si një nga përfaqësuesit më të lartë të artit dhe qytetërimit Shqiptar. Ai, i bën apel OKB-së, Presidentit të SHBA z. Bill Klinton dhe Parlamentit Europian që të ndërhynë urgjentisht për t’i dhënë fund operacioneve të vazhdueshme të spastrimit etnik në Kosovë, në mënyrë që të mbrohen dhe të ruhen vlerat njerëzore, etike, fetare, të një Kombi që po sakrifikohet në altarin e egoizmit, të urrejtjes e të shpërdorimit të pozitës. Eshtë një intervistë shumë interesante dhe e rëndësishme..
Ai i bën thirrje të gjithë njerëzve dashamirës të përpiqen me të gjitha mjetet në mënyrë që në Kosovë të kthehet paqja, liria dhe drejtesia.
Mjeshtri Kodra i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të impenjohet me të gjitha energjitë e veta për mbrojtjen dhe mbështetjen e identitetit historik, artistik e kulturor të një kombi të cilin po e vë përfund barbnaria, tmerri dhe terrori.
“Po Zoti kur na krijoi tha: “Unë ju kam krijuar për të jetuar e jo për të vdekur”… Sërbët po i shkelin fjalët e Zotit, ata janë dhënë pas krimeve dhe shkatërimeve sepse e quajnë veten hyjni. Të tjerët s`janë veçse krijesa inferiore, skllevër që meritojnë të poshtërohen e tiranizohen.
Sllobodan Miloshevici nuk tregon asnjë interes për veçansitë dhe dallimet që karakterizojnë shqiptarët e Kosovës .
Gaztari Italian e pyet Mjeshtrin, nëse është dakort për luftën e luftëtarëve të Kosovës?
Ai ju përgjigj pa mëdyshje: “Po luftë për çlirimin ndaj një kriminaliteti të ri. Në Kosovë po eksperimentohet një tip i ri kriminaliteti në kërkim të kenaqësisë vrastare dhe egoizmit. Masakra e Reçakut është pasojë e këtij tipi të ri kriminaliteti që qëndron shumë larg ligjeve humane dhe hyjnore. Kushdo që gjymton, copton dhe masakron kufomat nuk është veçse një lloj i ri kanibali. Edhe për sa kohë popujt e civilizuar do të tolerojnë të tilla turpe?! Sllobodan Milosheviçit i intereson vetëm që në Kosovë të ndajë bijtë nga baballarët dhe trupat nga kryet. Ai kërkon vetëm të përvetësojë të mirat e shqiptarëve, të shumfishojë urrejtjen racore e të realizojë procese gjyqesore të cunguara”…
Gazetari i “La Voce di Mantova”, e pyet përsëri, se në ç`mënyrë duhet të nderhyjë komuniteti ndërkombetar për t’i dhënë fund krimeve që kryen në Kosovë?
Mjeshtri, përgjigjet me vendosmëri: “Sot njeriu nuk është më një krijesë primitive, ai duhet t’i zgjidhë problemet nëpërmjet fjalës dhe diplomacisë. Unë gjithnjë kam luftuar që Shqipëria të bëhet një komb neutral sikurse Zvicra. Sot këtë e dëshëroj edhe për Kosovën. Këto troje shumë shpejt do të përshkohen nga naftësjellës e gazsjellës që nga lindja do të çojnë energji deri në Detin Adriatik. Prandaj është emergjente që këto toka të mbeten neutrale e në këtë mënyrë të shmangin reziqet që kërcënojnë Europën dhe botën mbarë…
Vetëm mbi këtë bazë mund të zhvillohet debati ndërkombëtar që do të bëjë të mundur pajtimin mes shqipëtarëve dhe serbëve. Unë uroj që Kosova të fitojë lirinë që merriton, sepse ka një popull krenar për vlerat, për kulturën dhe historinë e tij. Populli i Kosovës ka të drejtë të bashkohet e të jetojnë si një familje e madhe, e lirë dhe e pamvarur.
Mjeshtri Kodra, viziton Kosovën ne vitin 2002 me një pritje jashtëzakonisht të mirë, për të cilën do shprehej: ” Kosovarët i dua shumë, janë trima dhe mikpritës, historia e Kosovës është e dhimbëshme. E ëndëroj pavarësinë e saj, kam shkruar një vjershë (e reciton me lot ne sy).., shqipja flutroj dhe me krahët e saj në fluturim, shkroi në qiell, emrin Liri dhe Arbëri”…
Humanizmi njerëzor e karakterizoi vazhdimisht Mjeshtin tonë. Ai mbështeste student shqiptarë që studionin në shtetin fqinjë. Ndihmonte njerëz që nuk kishin mese të ushqeheshin. Dikur kishte ndihmuar edhe tregëtarë në hapjen e restoranteve e kur ata nuk mundnin t’ia kthenin, ai nuk rrebelohej po dërgonte njerëz me firmën e tij të ushqeheshin falas atje… Ndihmoi dhe promovoi piktorë të rinj. Lartësoi pa rezerva dhe xhelozi, figura të larta të kombit me të cilët krenohemi kudo ndodhemi.
Është mbresëlënëse dhe e paharueshme për qytetarët e Palermos, restaurimi i teatrit “Masimo”, atje ku u luajtën kryeveprat e Verdit dhe ato botërore. Pas djegjes totale, Teatri u restaurua tërësisht me riprodhimin dhe shitjen e dymbëdhjetë tablove të tij “Muzikantët”, ndaj kur u inagurua teatri i ri, Kryetari i Bashkisë Leoluka Orlando e filloi me fjalën “Urime”, fjalë kjo e Pagëzimit Shqiptar…
Pavarësisht çmimeve dhe dekorimeve të shumta nga mbarë bota. Mjeshtri Kodra vlerësonte mbi gjithçka, çmimet dhe vlerësimet që i bëheshin në vendin e tij, Shqipëri.
Titulli më i fundit iu dha piktorit të madh me propozimin e Kryetarit të Shoqatës Kulturore “Ibrahim Kodra”, të Ishmit z. Lulzim Bega. Ishin të pranishëm, përveç titullarëve të mësipërm edhe Dr. Dylbere Dika, Drejtore e Përgjithshme e DMPP, Dr.Kristo Goci, Zëvendes Kryetar i Komitetit Shetëror te Minoriteteve, Zotëria Asllan Mazreki, Gjeneral i Paqes, Kolonel Zaho Golemi si dhe Misonarët e Paqes: Dr. Idriz Balani, Veli Myftari, piktori Sulejman Prenjasi, shumë personalitete të Artit, Kulturës, Shoqërisë Civile Shqiptare si dhe bashkëfshatarë e intelektualë nga Durrësi, Ishmi e Tirana, miq dhe të afërt të Mjeshtrit Kodra.
Ky Vlerësim i bërë nga Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet i njeh artistit të madh vlerat e larta, humane. Ashtu siç theksonte edhe vetë Mjeshtri: “Arti është liri sepse nëpërmjet tij në prekim natyrën dhe gjithë bukuritë natyrore, të cilat janë armiq për ç`do sëmundje. Arti na dhuron gëzimin e të jetuarit, na dhuron atë gjëndje shpirtërore, pa të cilën ne nuk do të mund t’i benim ballë ankthit dhe mllefit të përditshëm. Të kultivosh art do të thotë të mbetesh i ri. Në përgjithësi, sekreti i të qenit në harmoni me jetën, është inteligjenca krijuese e aftë t’i ofrohet të tjerëve me modesti, pa ambicje të shfrenuara dhe arrivizëm, që krijojnë vetem strese dhe sëmundje”…
Nadire Buzo
Bibliografe-Studiuese arti