Enkelejda Alushi Arifi është këngëtarja ku mishërohen më së miri talenti dhe bukuria. E ëmbël dhe e brishtë kështu përkufizohet ajo nga miqtë dhe të njohurit e saj, megjithatë mbetet një nga vajzat që ka bërë më shumë sakrifica në përkushtim të talentit të saj si këngëtare.
Enkelejda ka lindur në qytetin e Kavajës më 20 maj të vitit 1974 dhe është me origjinë çame; me prindër nga Filati.
Mësimet e para ajo i ka marrë në qytetin e Rrogozhinës ku dhe ka jetuar për një periudhë kohe. Më pas i ka plotësuar arsimimin në qytetin e Durrëst dhe atë të Tiranës, ku ka kryer shkollimin profesional për art, dega Flaut dhe Kanto.
Në dhjetor të vitit 1992 ajo u martua me Bexhet Arifin, në Gjilan të Kosovës. Bexheti, po ashtu, rrjedh nga një familje patriote shqiptare, babai i tij, Ramushi, ka qenë bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës.
Enkelejda është nënë e dy djemve: Blendit dhe Arditit.
Jeta nuk ka qenë aq bujare për këtë vajzë çame, të rritur në Shqipërinë mëmë dhe nuse në Kosovën martire. Peripeci dhe telashe të shumta e kanë ndjekur hap pas hapi, por ajo nuk është thyer, ka sakrifikuar dhe ka vazhduar përpara, si gjithë bashkëmoshataret e brezit të saj.
Enkelejda, së bashku me familjen e saj, ka jetuar në Zvicër, për një periudhë kohore 5-6 vjeçare, për arsye politike, pasi regjimi serb nuk lejonte që vajzat nga Shqipëria të martoheshin me djem nga Kosova (aso kohe Kosova ishte pjesë e Serbisë).
Gjatë qendrimit të saj në Zvicër, Enkelejda ka qenë pjesë aktive e disa OJQ-ve si: Klubi Shqiptar “Avni Rustemi”, Domat Emss, Shoqata e Intergrimit të Komuniteteve, Graubynden, etj. Organizma në shërbim të paqes sociale.
Misioni i saj në këto shoqata ka qenë që nëpërmjet aktiviteteve të shumta të sensibilizonte Botën për padrejtësitë që po i bëheshin shqiptarëve të Kosovës nga pushteti i dhunshëm serb.
Po ashtu ajo ka qenë pjesë e fushatave të ndryshme për grumbullimin e medikamenteve,veshmbathjeve dhe fondeve për popullatën e pambrojtur kosovare gjatë kohës së luftës.
Enkelejda ka marrë pjesë në shumë aktivitete artistike si koncerte dhe mbrëmje poetike, në festa të ndryshme kombëtare të organizuara në Diasporë. Ka dhënë kontributin e saj në organizimin e kurseve të mësimit të gjuhës amëtare për fëmijët e emigrantëve nga të gjitha trevat shqipfolëse që jetonin në Zvicër si dhe ka drejtuar dy kore fëmijësh gjatë kohës së qendrimit të saj atje.
Në gusht të vitit 1999 Enkelejda u kthye në Kosovë, menjëherë pas luftës, duke u inkuadruar si mësimdhënëse e Artit Muzikor në qytetin e Gjilanit. Gjatë kësaj kohe ajo ka punuar edhe si gazetare e kulturës në TV “Men”, në Gjilan. Po ashtu, paralelisht, ka vazhduar edhe aktivitetin si artiste profesioniste, me prezantime në festivale të ndryshme dhe ngjarje të rëndësishme artistike.
Në vitin 2001, Enkelejda Arifi ka filluar punë si koordinatore në NDI, Instituti Nacional Demokratik – Amerikan, Drejtoreshë e të cilit, asaj kohe, ka qenë Znj. Madalen Ollbrajt, mike e madhe e popullit shqiptar.
Për gjashtë vjet ajo ka qenë pjesë e këtij stafi, ku u specializua si eksperte në Lobim, Advokim, Monitorim të zgjedhjeve si dhe Monitorim të Pushtetit Lokal.
Enkelejda Arifi ka punuar dhe ka dhënë kontributin e saj në ngritjen e kapaciteteve me OJQ-të, partitë politike, etj., ortganizma të shoqërisë civile.
Prej vitit 2008 ajo ka qenë pjesë e Komisionit Qendror Zgjedhor të Kosovës, si eksperte dhe trajnere për KKZ-të, komisionerët dhe vezhguesit.
Që nga viti 2010, Enkelejda vazhdon të jetë Shefe për Kulturën në Bashkinë e qytetit të Gjilanit.
Si vajzë me origjinë nga Çamëria, ajo është e apasionuar pas promovimit të vlerave të rralla të artit e të kulturës çame si dhe sensibilizimin e faktorit shqiptar dhe të huaj për këtë kauzë.
Enkelejda është thesar vlerash të rralla. Për vlerat e mëdha artistike dhe veçantësinë e zërit të saj, ajo është vlerësuar me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.
Enkeljda Arifi, krahas këngës, nuk ka lënë pas dore dhe punën si vullnetare bamirëse në shërbim të komuniteteve në vështirësi ekonomike.
Në vitin 2014 për vlerat e pamohueshme si bamirëse dhe për punën e palodhur në shërbim të Paqes, Diplomatic Mission Peace and Prosperity e ka nderuar personalitetin Enkelejda Arifi me titullin Anëtare Nderi dhe Misionare Paqeje e këtij misioni.
Dr. Shefki Hysa