Hysni Alushi u lind më 26 maj 1963 në Rrogozhinë. Ai rrjedh nga një familje atdhetare me origjinë nga Çamëria. Babai i tij ishte një polifonist mjaft i talentuar dhe Hysniu e ka trashëguar nga ai talentin e tij për muzikën. Talenti për muzikë është trashëguar ndër breza dhe vazhdon të mbahet gjallë akoma edhe sot nga fëmijët dhë nipërit e mbesat e Hysni Alushit, të cilët vazhdojnë studimet në fushën e muzikës.
Mësimet e para Hysniu i mori në vendlindje ku mbaroi edhe shkollën e mesme “Haxhi Qehai”. Në shkollë ai u dallua për talentin e tij në muzikë dhe mori pjesë pothuajse në çdo shfaqje të organizuar nga shkolla.
Në vitet 1984-1985 Hysni Alushi kreu shërbimin ushtarak dhe më pas iu përkushtua karrierës së tij muzikore. Në vitin 1999 u vendos në qytetin e Durrësit ku punoi si specialist në hekurudhë në repartin e sinjalizimit. Në të njëjtën kohë ai investonte në karrierën e tij muzikore duke u angazhuar në shfaqje muzikore në Pallatin Rinia të Durrësit.
Hysniu ndërkohë ishte pjesë e grupit Çelo Mezani, i vetmi grup nga Çamëria që merrte pjesë në festivalet folklorike të Gjirokastrës.
Në vitin 2002 ai publikoi albumin e tij të parë më këngë të njohura të trevës së Çamërisë.
Hysni Alushi vazhdoi aktivitet e tij muzikore në vitet e mëvonshme në organizime të ndryshme festive e familjare.
Në vitin 2005 ai filloi të bashkëpunonte më mbesën e tij Enkelejda, pasi ajo ishte kthyer nga Zvicra. Bashkëpunimi i tyre i parë në një këngë për Çamërinë ishte një sukses i madh në të gjitha trevat shqiptare. Pas këtij bashkëpunimi të suksesshëm, ata vazhduan edhe më tej duke publikuar dy albume në vitin 2010 dhe 2013. Albumi i parë titullohej “Çamëri nuse me halle” dhe i dyti “Aromë Çamërie”.
Gjatë kësaj periudhe bashkëpunimi ata kanë marrë pjesë në shumë festivale ku janë nderuar me çmime të ndryshme. Ndër çmimet më kryesore vlen të përmendet “Çmimi i Produksionit” në festivalin “Kënga ime”.
Si njeri i artit, Hysni Alushi shquhet për humanizëm dukë dhënë kontributin e tij përmes artit të këngës. Vlen të theksohet pjesëmarrja e tij koncertin e mbajtur për fëmijët në nevojë në Elbasan, si dhe shumë aktivitete të kësaj natyre.
Ai dhe mbesa e tij Enkelejda Alushi kanë marrë pjesë në programe e koncerte në vende të ndryshme të botës si: Danimarkë, Kanada, Kosovë, etj. Koncerti i mbajtur në Kanada, Toronto, para publikut shqiptaro-kanadez, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, i ka lënë mbresa të mëdha. Ishin mbledhur së bashku tre komunitete të ndryshme fetare dhe në harmoni të plotë festuan dhe duartrokitën për vlerat e mëdha të muzikës shqiptare në këtë koncert.
Hysni Alushi, si artist në shërbim të paqes sociale midis komuniteteve, është vlerësuar nga Diplomatic Mission Peace and Prosperity me titullin Anëtar Nderi dhe Misionar Paqeje.
Dr. Shefki Hysa