Në fillim të viteve 90′, kur punoja në Administratën e Kuvendit të Shqipërisë, në sektorin e ankesë-kërkesë, më vinte shpesh në zyrë Koçi Tahiri, një nga drejtuesit e sindikatave, herë me ankesa për moszbatimin e ligjshmërisë nga administrata shtetërore e herë me kërkesa për ndryshime ligjore në interes të grupimeve të ndryshme sindikaliste. Si gjithmonë i rrëmujshëm me një mani për paritet e protagonizëm!…
E kisha njohur dhe më parë, kur punoja si gazetar në gazeta të ndryshme. Viten kalonin dhe Koçi nuk ndryshonte, po ai temperament. Sidoqoftë tashmë ishim miqësuar.
– Ore, mik, më thoshte shpesh, jam “Pishtar Demokracie” unë, një jetë të tërë ish i përndjekur politik, po kush do t’ia dijë në këtë vend për vlerat njerëzore?!…
– Po ore, po, – e ngacmoja, – mbete duke rrahur gjoksin, sa “Pishtar Demokracie”, ka si puna jote!… Lere të shkuarën dhe merru me visaret e Gorës, vendlindjes tënde, atë bëj dhe do shikosh se si do fillojnë të të respektojnë njerëzia!…
Dhe ashtu bëri. Midis të tjerash krijoi edhe Shoqatën “Besëlidhja Gorare”, filloi të botonte dhe një gazetë, si organ të këtij institucioni, gazetë së cilës i vuri të njëjtin emër “Besëlidhja Gorare”.
Pas vitit 2010, kur mora përsipër drejtimin e Organizatës Ndërkombëtare Lobuese Diplomatic Mission Peace and Prosperity (DMPP), Koçi Tahiri më gjeti përsëri.
– Ore mik, më tha, – kam bërë gjithë ato punë të bukura me Partinë “Demokracia e Re Europiane”, jam kryetar i saj, politikan në shërbim të demokracisë shqiptare, më takon dhe mua një nga ai titulli Misionar Paqeje që jep kjo DMPP-ja juaj.
– Koçi, – them, – kam dëgjuar që ke bërë punë të bukura për Gorën, si me shoqatën dhe me gazetën që boton, po i solle borit të DMPP një CV si personalitet në shërbim të Komunitetit të Gorës dhe të Paqes Sociale të Shoqërisë Civile Shqiptare, mund të çertifikohesh si Misionar Paqeje, kurse si politikan mos më dil përpara se nuk kam kohë për të humbur me politikat e partive të tua.
– Ore rrufjan, – më tha, – po nuk ke ndryshuar fare, ore! Do një biografi timen si personalitet në shërmim të Gorës? Dakord, po dije se jam më i miri në këtë punë! U mburr ai siç e kishte zakon.
– Koçi, mburrjet e tepërta janë fukarallëk, – ia preva hovin prej protagonisti. – Më sill biografinë dhe lëri llafet!
Biografia e Koçi Tahirit ishte vërtet mbresëlënëse, pavarësisht hijeve të dyshimit, thashethemnajave e tymnajave që krijojnë rreth personalitetit të tij ata që nuk e duan.
Koçi Tahiri, me shumë mund e sakrifica, ka ditur të ngrejë lart emrin dhe vlerat e krahinës së Gorës, jo vetëm në Shqipëri e në trevat shqipfolëse, por edhe në vende të ndryshme të Globit. Këngët dhe vallet gorare nëpërmjet Ansamblit Artistik, “Visaret e Gorës”, kanë jehuar në shumë skena të botës, që nga Amerika, Australia, Kanadaja dhe gjer në Zelandën e Re, nga vende të ndyshme të Europës e gjer në Afrikë e në Amerikën Latine, pa llogaritur vendet e Ballkanit, ku gjenden shpesh e më shpesh thesaret artistike të trashëgimisë kulturore gorare.
Koçi Tahiri po bën një punë të palodhur veçanërisht në përzgjedhjen e talenteve të reja, që e rinojnë përditë ansamblin gorar me dhuntitë e brezit të ri, me djem e vajza këngëtarë e valltarë që bartin nëpër skena magjinë e artit popullor të Gorës. Ai nuk harron dhe moshën e tretë, brezin e humbur në këtë periudhë tranzicioni të egër që po jetojmë. Koçi bën të pamundurën për t’i shmagur divergjencat midis brezave, duke i afruar e harmonizuar brezat e gorarëve, me qëllim ripërtëritjen e traditave të Besëlidhjes Gorare të vitit 1906 (po dhe shumë e shumë më herët), e cila tashmë është jo thjesht një emër historik, por një realitet i ri i mishëruar te “Besëlidhja Gorare”. Dhe kështu bëmat e kapedanëve të dikurshëm të Gorës, janë jo thjesht gojëdhëna, rrëfime mitologjike apo histori të së shkuarës që barten gojë më gojë nëpër tryeza gëzimesh, po dhe shembuj frymëzimi për gorarët e rinj. Dhe kjo traditë gorare e rigjallëruar tashmë ka një emër: Sakrifica Koçi Tahiri!
Ishte kjo biografi sakrificash që e nxiti Bordin Ndërkombëtar të DMPP dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë si Academy of Universal Global Peace (AUGP), American Diplomatic Mission for World Peace (ADMWP), Diplomatic Society St. Gabriel (DSSG), etj., të cilët së bashku e çertifikuan Pishtarin e Demokracisë Koçi Tahiri, si Misionar Paqeje.
Disa nga ata që nuk e duan, lloj-lloj ziliqarësh e nihilistë vlerash njerëzore nxituan dhe replikuan se Koçi nuk e meritonte këtë respekt, se ai nuk kishte bërë ndonjë sakrificë kaq të madhe për të qenë Misionar Paqeje, se ai gjoja abuzonte me miqtë e shokët, u merrte autorësinë e vlerave të tyre dhe, pasi u kthente shpinën, i shpallte ato si vlerat e veta, etj., etj., hamendësime të kësaj natyre.
Detyrimisht, unë jo vetëm si mik i Koçi Tahirit, po dhe si drejtues i DMPP, duhej të merrja përsipër dhe rolin e apologjetit. Dhe ia arrita ta bëja me pak fjalë Apologjinë Koçi Tahiri. Iu drejtova kundërshatëve të tij me disa pyetje:
– Ka ndonjë vendim gjykate ndaj Koçi Tahirit që e shpall atë fajtor për korrupsion, hajdutëri, përvetësim të autorësisë së dikujt apo të vlerave intelektuale të ndonjë individi a institucioni?!…
– Jo, nuk ka! – më thanë.
– A është themelues dhe kryetar i Shoqatës “Besëlidhja Gorare” dhe botues i Gazetës me të njëjtin emër?!
– Po! – më thanë.
– A i financon me shpenzimet e veta veprimtaritë e shoqatës dhe numrat e Gazetës “Besëlidhja Gorare”?!…
– Po! – më thanë.
– A nuk është një personalitet në pension mbi 75 vjeç dhe, në vend të luante domino dhe letra nëpër lulishtet e Tiranës, vrapon e sakrifikon për vendlindjen e tij, Gorën e largët?!…
“E drejtë, mund të rrinte rehat në Tiranë dhe të mos kujtohej për Gorën, si shumë e shumë gorarë të tjerë të larguar nga vendlindja. Dhe askush nuk do ta përgojonte. të merresh apo jo me vendlindjen është thjesh një kauzë morale, jo detyruese”, – u shprehën kundështarët e tij.
– A nuk është një sakrificë e madhe gjithë kjo veprimtari stërmunduese për një personalitet të moshuar si Koçi Tahiri, pavarësisht egos së tij për protagonizëm?!…
– Skarificë e madhe është! – më pohuan.
– Pra, e meriton titullin si Misionar Paqeje!…
– E meriton! – më pohuan me gjysmë zëri.
Dhe unë me të drejtë, së bashku me shumë personalitete të Paqes Globale, e ngritëm zërin lart për Koçi Tahirin dhe u bëmë apologjetë të tij, e thënë shqip, e morëm në mbrojtje veprën e tij në shërbim të komunitetit të komunitetit të Gorës së traditave të rralla.
Më vonë AUGP, me propozimin e DMPP, e vlerësoi punën e personalitetit Koçi Tahiri me Diplomë Nderi dhe me Medaljen e Artë të “Human Excellence”, pra u vlerësua si Personalitet i Ndritur, si Veprimtar i Shquar i Njerëzimit.
Gjatë vitit 2017, Koçi Tahiri u nderua dhe nga Universiteti Katolij Amerikan me doktoraturë Honors Causa për Shkencat Politike.
Gjatë vitit 2019, Dr. Koçi Tahiri u shpall dhe Deputet i Parlamentit të Shqipërisë, një tjetër arritje kjo që vërteton më së miri vlerat e tij të padiskutueshme në shërbim të Gorës dhe Shqipërisë, por dhe një argument më shumë në mbështetje të apologjisë sime për këtë personalitet të shumëdiskutuar.
Dhe kështu, sot Misionari i Paqes, Dr. Koçi Tahiri, me të drejtë i ka bërë vetes dhe Gorës një vend në tryezat e e ndritura të Globit, aty ku ndërtohen dhe zbatohen projektet e mëdha për Paqen Sociale Globale.
Prof. Dr. Shefki Hysa, Akademik
Guvernator i DMPP


