Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet (DMPP) me qendër në Tiranë, që nga themelimi i drejtuar nga Dr. Shefki Hysa ka pasur dhe ka në gjirin e vet figura të mirënjohura për kontributin e dhënë në promovimin e paqes dhe prosperitetit njerëzor. Duke qenë i pranishëm në disa veprimtari të këtij misioni, duke vërtetuar e mësuar për këta njerëz të nderuar të cilët qëndrojnë krah njeri-tjetrit si majat në vargmale, të krijohet mendimi se është shumë e vështirë, gati e pamundur të gjesh të tjerë si ata, por e vërteta është më e thjeshtë. Stafi i këtij misioni ndëkombëtar ka bërë të mundur evidentimin e misionarëve të paqes edhe në ato mjedise ku nuk bien shumë në sy. Diku, në biseda miqësore me njerëz të pasionuar pas të vërtetës, miku i Misionit, gazetari Bashkim Koçi, na kishte folur për një njeri me vlera të larta intelektuale dhe njerëzore, për Shefqet Hysën nga Gramshi. Kur fliste për punën dhe vlerat njerëzore të Shefqetit, Bashkimi lumturohej e në atë atmosferë na përfshinte edhe ne bashkëbiseduesit e tij. Gjatë një bisede me këtë temë, Dr. Shefkiu vendosi të shkonim në Gramsh te Shefqet Hysa.
…E shkuara në harmoni me të sotmen.
Prisja me shumë dëshirë ditën kur do të shkonim në Gramsh. Kisha vështruar nga maja e malit baba Tomorr majmalet që mbanin në gjirin e tyre Gramshin. Megjithëse shkoja për herë të parë fizikisht, me mendje kisha shkuar shumë më parë atje. Nga ato që kisha lexuar për ato treva dija se në truallin midis malit të Tomorrit dhe Gramshit të sotëm kishin rrënjët të parët e Frashëllinjve të ndritur. Në ato gërxhe kishin ndezur flakadanët e patriotizmit të mirënjohurit Baba Meleq Shëmërdhenji, Dervish Iliazi, Baba Medin Gllava e të tjerë, të cilët me shenjtërinë e tyre mes njerëzve hallemëdhenj mëkuan dashurinë për njeri-tjetrin dhe për atdheun. Këto figura të ndritura shpërndanë në tokë, në çdo vatër ku u shkeli këmba, mirësinë e cila ka mbijetuar e ka ardhur në harmoni me të sotmen. Nga këto gërxhe janë lindur e rritur njerëz punëtorë dhe intelektualë me emër të nderuar. Gjatë rrugëtimit, duke hyrë në territorin e Gramshit, u befasova nga peisazhi i egër dhe njëherazi i këndshëm ku liqeni i Banjës, i madh dhe i stërgjatur, na shoqëronte përgjatë rrugës automibilistike e që i ngjante një gjerdani të madh natyror mbështjellë e lidhur atyre kodrave dhe maleve. Miku i nderuar Dr. Madhu Krishan, që ishte me ne, disa momente ngeli i befasuar. Duke vështruar pejsazhet natyrore të mrekullueshme me admirim dhe përmallim u shpreh: Këto treva më nxorën mallin e vendlindjes!
Nën strehën e “BIO-HOLTËS”
Në Gramsh kishin dalë për të na pritur sipas zakonit. Shefqeti me familjarët, bashkëpunëtorët, miqtë dhe shokët e tij. Ishin shumë njerëz. Të gjithëve u qeshte nuri. Veç njerëzve të afërt ku dalloheshin pjestarët e familjes, bashkëpunëtorë dhe bashkëtrevas ishin dhe shumë të tjerë. Nga Tirana kishin ardhur miq dhë të afërt të familjes Hysa, i cilët ishin të përkushtuar për ta organizuar sa më mirë këtë veprimtari të veçantë. Dalluam nënkryetarin e bashkisë së Gramshit, zotin Enver Qose, i cili ndjehej i lumturuar për këtë vlerësim që i bëhej mikut dhe bashkëqytetarit të tij, Shefqet Hysës. Ndër miqtë e largët dalluam Medin Caushin, me bashkësorten Merushen. Në një veprimtari të ngjashme me këtë të sotmen Medini ishte shpallur misionar paqe dhe ishte nderuar me medaljen e artë “Urdhri i Misionarit të Paqes Mahatma Gandi”. Pjesa kryesore e veprimtarisë u organizua në mjediset e SHBB (Shoqëria e Bashkëpunimit Bujqësor) “BIO-HOLTA”. Aty të pranishmit u njohën me veprimtarinë dhe arritjet e këtij organizmi ku ndiheshin të gjithë të parë midis të barabartëve. Të bashkuar me dëshirë në këtë shoqëri, secili pjesëmarrës merrte shpërblimin që i takonte nga puna e përbashkët. Gjithë shenjë respekti, ata Shefqetin e thërrisnin “senator”.
Vlerësimi për prodhimet e “BIO-HOLTËS” është se ato janë me cilësi më të mira se standarti dhe që janë mjaft të kërkuara në treg. Me arritje të tilla kjo shoqëri bujqësore i ngjan një strehëze që mbron anëtarët e saj nga konkurenca e egër dhe të papritura të tjera. Në kulmin e veprimtarisë Dr. Shefki Hysa dhe Dr. Madhu Krishan i akorduan Shefqet Hysës Medaljen e artë “Urdhëri i Misionarit të Paqes Mahatma Gandi”.
Naim Dëra


