Ismet Ferizaj është lindur më 5 Shkurt 1942 në Kosovë. Gjatë studimeve në shkollën pedagogjike në Prizren ka marrë pjesë në protestat për çlirimin e Kosovës. Për shkak të persekutimit të regjimit Serb, u detyrua të arratisej nga Kosova në Shqipëri më 17 Janar 1960. Në Shqipëri është internuar në kampin e përqëndrimit të emigrantëve në Çermë të Lushnjës. Në Shtator të vitit 1960 iu aprovua e drejta e studimit në Pedagogjiken e Elbasanit. Në vitin 1962 ka përfunduar pedagogjiken dhe është caktuar mësues në rrethin e Krujës.
Në vitin 1962 ka filluar studimet në Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë në Tiranë, por u akuzua nga rregjimi komunist për agjitacion propagande kundër rregjimit, dhe u internua në Krujë. Në vitin 1966 i është bashkuar familja, babai Xhevati, nëna, dhe 9 motra e vëllezër. Rregjimi komunist i internoi të gjithë familjen, bashkë me Z. Ferizaj, në Këlcyrë, ku kanë qëndruar 5 vjet. Në vitin 1972 janë vendosur në Kavajë, ku Zoti Ferizaj ka qenë mësues në Kanaparaj të Kavajës, deri në vitin 1980, kur ka filluar punë si mësues në shkollën “Tre Dëshmorët”. Në vitin 1987, me miratim të kolektivit mësimdhënës, u zgjodh drejtor i kësaj shkolle.
Më 18 Janar 1991, Zoti Ferizaj bashkë me intelektualë të tjerë të qytetit, ishte ndër themeluesit e degës së Partisë Demokratike Kavajë, që ishte dega e parë e Partisë Demokratike në Shqipëri. Nga viti 1991 deri në 1996, në dy legjislatura ka qënë Depututet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Zoti Ferizaj ka qenë një zë i fuqishëm në mbrojtje të interesave, vlerave dhe kontributit të qytetarëve të Kavajës dhe më gjërë.
Nga viti 1996, e deri më sot, ka qënë kontribues dhe aktivist i Partisë Demokratike. Krahas aktivitetit politik, Zoti Ferizaj ka investuar në shtypshkronjën e parë në qytetin e Kavajës, e cila i ka shërbyer promovimit të vlerave kulturore, artistike dhe letrare të mjaft talenteve të reja të Kavajës, krahas autorëve të njohur të Shqipërisë.
Z. Ferizaj është i martuar me zonjën Zinije Kariqi dhe janë prindër të dy vajzave dhe një djali. Sot ai gëzohet me nipat e mbesat, duke ndarë me ta eksperiencën dhe kujtimet e veta. Në aktivitetin e tij profesional si mësues, politikan, biznesmen duke bërë që ata të ndjehen krenar për gjyshin e tyre.
Dr. Shefki Hysa


