Dwight D. Eisenhower lindi më 14 tetor 1890 në Denison, Texas; vdiq më 28 mars 1969 në Washington D.C.
Në vitin 1945 ai u emërua Shef i Shtabit të Ushtrisë Amerikane si dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave Aleate në luftën kundër makinerisë ushtarake hitleriane. Ai ishte Gjeneral me pesë yje. Dhe ishin strategjitë e tij ato që bënë të mundur arritjen e fitores së Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1951 ai u bë Komandanti i Parë i Forcave Aleate të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO). Në vitin 1952 ai u zgjodh President i SHBA dhe shërbeu për dy mandate para se të tërhiqej në Gettysburg në vitin 1961. Si presidenti i 34-të i Shteteve të Bashkuara (1953–1961), Eisenhower punoi shumë për Paqe e Prosperitet duke ndihmuar vendet e dëmtuara nga Lufta e Dytë Botërore dhe vendet në zhvillim. Ai gjatë fushatës së parë presidenciale punoi me moton Paqe, Progres, Prosperitet, kurse gjatë fushatës së dytë presidenciale slogani i tij kryesor ishte Paqe dhe Prosperitet, lëvizje e cila solli shumë ndryshime në ekonominë dhe mirëqenien e SHBA dhe të vendeve aleate. Presidenti Eisenhower promovoi kauzën “Atomet për Paqe” në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që të lehtësonte tensionet e Luftës së Ftohtë. Fjalimi i tij i famshëm “Atomet për Paqe” në OKB, hapi një epokë të re në zbutjen e tensioneve të Luftës së Ftohtë. Pra, ai punoi shumë që shkenca të vihej në shërbim të Paqes njerëzore dhe jo në shërbim të luftërave.
Në politikën e jashtme, Eisenhower realizoi zvogëlimin e tensioneve të Luftës së Ftohtë përmes negociatave ushtarake me Bashkimin Sovjetik dhe aleatët e tij, vendet komuniste të Lindjes. Në vitin 1953 ai orkestroi një armëpushim që solli paqen në kufirin e Koresë së Jugut me Korenë e Veriut.
Në vitin 1956, Eisenhower kandidoi rishtas për President dhe slogani i fushatës së tij Presidenciale ishte “Peace and Prosperity”. Lëvizja “Peace and Prosperity” ishte bërë motua frymëzuese e jetës së tij. Populli amerikan e rizgjodhi si President duke shpresuar se vetëm ai mund t’u siguronte atyre një vazhdimësi të Paqes dhe Prosperitetit, të mirëqenies që kishte ardhur në vend gjatë katër viteve të para në detyrë. Eisenhower u rizgjodh në një mandat të dytë, duke fituar me një diferencë edhe më të madhe se në zgjedhjet e tij të para, pikërisht prej promovimit të lëvizjes Peace and Prosperity.
Gjatë mandatit të tij të dytë, Eisenhower vazhdoi të promovonte programin e “Atomet për Paqe”. Gjithashtu punoi shumë me krizat në Liban dhe në Suez.
Arritjet gjatë dy mandateve të tij përfshijnë krijimin e Agjencisë së Informacionit të SHBA-ve, dhe krijimin e Alaskës dhe Hawaiut si shtete. Eisenhower gjithashtu mbështeti krijimin e Sistemit të Autostradave ndërshtetërore gjatë kohës së tij në detyrë. Arritjet e tij të tjera përfshijnë nënshkrimin e Aktit të të Drejtave Civile të vitit 1957 dhe ngritjen e një Komisioni të Përhershëm për të Drejtat Civile. Eisenhower ishte gjithashtu përgjegjës për nënshkrimin e projektligjit për të formuar Administrimin Kombëtare të Aeronautikës dhe Hapësirës (NASA).
Gjatë presidencës së Eisenhower ekonomia amerikane pati një bum të paparë. Si president republikan i SHBA, po ashtu punoi shumë për të ndihmuar vendet në zhvillim në bazë të Planit Marshall. Një ndihmë të madhe përfitoi edhe populli shqiptar nëpërmjet UNO dhe Kryqit të Kuq, pavarësisht se Shqipëria diktatoriale ishte vend i mbyllur në raport me aleatët perëndimorë.
Dr. Shefki Hysa


