Çdo vend gjatë zhvillimeve historike, nxjerr heronjtë e tij. Heronjtë rriten në beteja për dinjitetin e tyre dhe për dinjitetin e bashkë-qytetarëve dhe vendit të tyre. Pra, heronjtë, me luftën e tyre në shërbim të vlerave civilizuese marrin përmasat e kombit të tyre. Por, ka edhe heronj që i tejkalojnë përmasat e një kombi. Një hero i tillë nuk shërben më vetëm për një komb, por ai e vë veten në shërbim të qytetërimit botëror. Heroi që del nga dimensionet e përkufizimit klasik, që lufton jo vetëm për vendin e tij, por për dinjitetin e të gjithë botës njerëzore, ndryshe mund të quhet Superhero, njësoj si Supermeni amerikan.
I tillë është Ambasadori Amerikan Riçard Hollbruk. Ai është me të vërtetë një superhero, një supermen. Ai është një model i vërtetë i Supermenit Amerikan.
Sot Ballkani ka një pamje të re. Sot Ballkani i përket qytetërimit modern. Dhe kjo formë që ka Ballkani modern sot është në sajë të punës, përpjekjeve dhe të luftës titanike të diplomatit Riçard Hollbruk. Ky supermen amerikan, për shumë vite me rradhë u përball me përbindëshin serb Millosheviç, e mundi atë dhe fuqinë e tij ushtarake, dhe Ballkani i robëruar, pasi u çlirua nga e keqja, fitoi të drejtën për tu ridimensionuar si një rajon që kultivon qytetërimin modern, i cili synon paqen dhe prosperitetin, sipas modelit të demokracisë amerikane.
Nuk është e nevojshme të hysh në detaje se si erdhi në Ballkan dhe çfarë bëri Ambasadori Amerikan Richard Holbroke, si një i dërguar i presidentit Klinton. Le t’i përshkruajnë historianët detajet. Kryesorja është se Ambasadori Riçard Hollbruk punoi shumë dhe ndërmori shumë beteja diplomatike për Ballkanin. Pra, të gjithë e dinë se ai ka punuar me të vërtetë shumë, si të ishte një nga heronjtë e gjirit të Ballkanit.
Pra, Ballkani sot ka një pamje të re. Është një botë e frymëzuar nga idetë paqësore të Supermenit Riçard Hollbruk. Ky hero nuk u zbulua nga vetë Ballkani. Ai u zbulua nga qytetërimi modern amerikan. Ai, si një supermen, erdhi nga SHBA për të ndrequr padrejtësitë që përbindëshi Millosheviç bëri në kurriz të Ballkanit. Dhe ai i rregulloi të gjitha padrejtësitë. Ai e çliroi Ballkanin. Dhe Ballkani i detyrohet shumë Supermenit Riçard Hollbruk. Edhe pse ai është një hero, ai nuk ka dalë nga gjiri i Ballkanit. Ai luftoi dhe fitoi për Ballkanin njëlloj të ishte një nga bijtë e tij, një nga luftëtarët e tij.
Ballkani duhet të gdhendë në kujtesën e tij historike këtë supermen, duhet të vendosë përmendore dhe statuja në çdo cep të tij. Ballkani i detyrohet shumë Supermenit Riçard Hollbruk. Kosova dhe Shqipëria në veçanti i detyrohen edhe më shumë atij. Gjithë kombi shqiptar, e tërë bota shqiptare i detyrohet shumë atij. Ishte Supermeni Riçard Hollbruk ai që shpëtoi shqiptarët e Kosovës nga genocidi serb i Millosheviçit, ai që e çliroi Kosovën.
Sot Kosova është e lirë dhe e pavarur, por i detyrohet shumë Supermenit Riçard Hollbruk. Kosova duhet patjetër ta bëjë atë pjesë të kujtesës së saj historike, të vendosë përmendore dhe statuja si të ishte superdjali i saj, supermeni i saj. Kosova duhet ta përjetësojë supermenin legjendar Riçard Hollbruk në këngët dhe historinë e saj. Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe Shqipëria. Sidomos strukturat shtetërore, sepse kombi shqiptar ka bërë një vend të veçantë në zemrën e tij për Supermenin Riçard Hollbruk.
Ne shqiptarët na kanë pyetur shpesh pse e duam aq shumë Amerikën, SHBA. Dhe si mund të mos e duash SHBA-në? A nuk është Supermeni Riçard Hollbruk nga SHBA? Ai nuk erdhi dhe luftoi për çështjen shqiptare në Ballkan, si të ishte shqiptar?!.. Edhe më mirë. Kjo është arsyeja pse ne shqiptarët e duam Amerikën dhe Demokracinë Amerikane, atë qytetërim që nxjerr supermenë si Riçard Hollbruk.
Ky Superman, ky iniciator paqeje është i dashur dhe i nderuar veçanërisht nga Misioni Diplomatik për Paqe dhe Prosperitet, mision paqeje i krijuar në Ballkan me iniciativën e vetë Riçard Hollbruk. Ai e ideoi atë si një mision që frymëzon paqen e përhershme në këtë rajon të trazuar vazhdimisht nga përleshjet ndëretnike. Dhe Supermeni Riçard Hollbruk është dhe do të mbetet gjithmonë Kryetar Nderi i parë i Misionit Diplomatik Paqe dhe Prosperitet.
I tillë ai ka mbetur në kujtesën time dhe kujtesën bashkëpunëtorëve të mi. I tillë ai do të mbetet edhe në kujtesën e brezit që do të drejtojë këtë mision në të ardhmen…
Riçard Hollbruk ka lindur më 24 prill të vitit 1941 në qytetin e Nju Jorkut në SHBA. Nëna e tij rridhte nga një familje hebreje gjermane, që u largua nga Hamburgu në vitin 1933 për t’u vendosur fillimisht në Buenos Aires e më vonë në Nju Jork. Megjithatë nëna e Riçardit ka deklaruar: “Unë kam qenë një ateiste dhe i ati i tij ishte një ateist. Ne kurrë nuk menduam për t’i dhënë Riçardit një edukim hebre”…
Babai i tij, mjek, vdiq nga kanceri kur Riçardi ishte 15 vjeç. Edhe ai ka lindur nga prindër hebrenj polakë në Varshavë dhe mori mbiemrin Hollbruk (Holbrooke), pasi emigruan në Shtetet e Bashkuara në viti 1939.
Mbiemri origjinal i familjes ishte Goldbrajch.
Në vitin 1962, Riçard Hollbruku u diplomua për Arte në Universitin Brown, ku kishte përfituar një bursë të plotë studimi.
Në universitet ai ishte frymëzuar nga thirrjet e Presidentit John F. Kennedy për të hyrë në punë në shërbim të qeverisë.
Disa javë pas diplomimit në kolegj, Hollbruku hyri në shërbimin e jashtëm të Departamentit të Shtetit.
Një vit më vonë, pasi mësoi gjuhën vietnamese, ai filloi gjashtë vjet shërbimi në Vietnam. Ai shërbeu fillimisht në deltën e Mekong, si përfaqësues civil i Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar. Punonte për Programin e Zhvillimit Rural, që përfshinte mbështetjen e qeverisë së Vietnamit të Jugut me anë të zhvillimit ekonomik dhe miratimit të reformave politike lokale.
Më vonë Hollbruku u zhvendos në Ambasadën e SHBA, Saigon, ku u bë asistent i stafit të Ambasadorëve Maxwell Taylor dhe Henry Cabot Lodge.
Gjatë kësaj kohe, ai bashkëpunoi me shumë diplomatë të tjerë të rinj, të cilët do të luanin një rol të madh në politikën e jashtme amerikane në dekadat e mëvonshme, duke përfshirë John Negroponte, Anthony Lake, Frank G. Wisner, Les Aspin dhe Peter Tarnoff.
Si u përshkallëzua Lufta e Vietnamit, Presidenti Lyndon Johnson formoi një ekip ekspertësh për të punuar në Shtëpinë e Bardhë nën ish-kreun e Programit Phoenix, RW Komer, në një operacion që ishte i ndarë nga Këshilli i Sigurimit Kombëtar.
Si një diplomat i ri në rritje e sipër, me përvojë të rëndësishme në vend, Hollbrukut iu kërkua të bashkohej me grupin, kur ai ishte vetëm njëzet e katër vjeç.
Pas periudhës së punës në Shtëpinë e Bardhë, Hollbruku shërbeu si asistent i veçantë për Nën-Sekretarët e Departamentit të Shtetit (pastaj në pozitën numër dy në Departamentin e Shtetit) Nicholas Katzenbach dhe Elliot Richardson.
Në vitin 1968, Hollbrukut iu kërkua të bënte pjesë në delegacionin amerikan në bisedimet e paqes në Paris, delegacion i udhëhequr nga ish-guvernatori i Nju Jorkut Averell Harriman dhe Zëvendës Sekretari i Mbrojtjes, Cyrus Vance.
Në vitin 1970, me kërkesën e vet, Hollbruku u emërua Drejtor i Korpusit të Paqes në Marok. Pas dy vitesh, ai la Shërbimin e Jashtëm për tu bërë redaktor menaxhues i revistës Politika e Jashtme, nga viti 1972-1976.
Në të njëjtën kohë, nga 1974-1975, ai ishte këshilltar i Komisionit të Presidentit për Organizimin e Qeverisë për zhvillimin e Politikës së Jashtme dhe ishte redaktor kontribues për revistën Newsweek International.
Në verën e vitit 1976, Hollbruku la politikën e jashtme për të shërbyer si koordinator i fushatës për çështjet e sigurisë kombëtare për Guvernatorin Xhimi Karter (D-GA) në përpjekjen e tij për Shtëpinë e Bardhë. Gjatë fushatës, Hollbruku ndihmoi Carter për tu përgatitur për debatet e tij të politikës së jashtme me presidentin Gerald Ford.
Pas fitores së Carter, Hollbruk ndoqi gjurmët e mentorëve diplomatikë si Philip Habib, Dean Rusk dhe Averell Harriman dhe, më 31 mars 1977, u bë ndihmës sekretari i Shtetit për Azinë Lindore dhe Punëve të Paqësorit, duke e bërë atë personin më të ri që ka mbajtur ndonjëherë atë pozicion, një post që ai e mbajti deri në vitin 1981.
Ndërkohë ai ishte dhe këshilltar i lartë për Sekretarin e Shtetit, Cyrus Vance. Gjatë shërbimit të tij, ai mbikëqyri tendencën e një zbutjeje me kundërshtarët e Luftës së Ftohtë në rajon, duke sjellë normalizimin e marrëdhënieve me Kinën në dhjetor 1978.
Hollbruku ishte gjithashtu i përfshirë edhe në politikat e trajtimit të qindra e mijëra refugjatëve Indo-kinezë në Shtetet e Bashkuara. Hollbruku, pavarësisht detyrave të tjera, punoi gjatë gjithë jetës me çështjen e refugjatëve.
Në gusht të vitit 1977, atëherë ndihmës sekretar i Shtetit, Riçard Hollbruku udhëtoi për në Indonezi për t’u takuar me Presidentin Suharto në mes të një prej fushatave kundërkryengritëse brutale ushtarake indoneziane në Timorin Lindor, në të cilin po vriteshin dhjetëra mijëra timorezë të Lindjes.
Në janar të vitit 1981, Hollbruku la qeverinë dhe mori detyrën si këshilltar i lartë i Lehman Brothers dhe nënkryetar i Strategjive Publike, një firmë konsulente që ai formoi me James A. Johnson, një ish ndihmës i lartë i Walter Mondale.
Nga viti 1985 deri në vitin 1993, Hollbruku shërbeu si drejtor menaxhues i Lehman Brothers.
Gjatë kësaj kohe, ai u mor dhe me botime artikujsh dhe librash si autor dhe bashkautor.
Në vitin 1988 Hollbruku ishte këshilltar i lartë i politikave të Senatorit Al Gore gjatë fushatës së tij si Kandidat për President i SHBA.
Katër vjet më vonë ai ishte këshilltar edhe për Bill Klinton, në fushatën e tij për në Shtëpinë e Bardhë.
Hollbruku gjithashtu mbeti thellësisht i angazhuar në çështje me rëndësi të politikës së jashtme.
Në vitin 1992 Hollbruku vizitoi Bosnjën dy herë si anëtar i bordit të Refugjatëve Ndërkombëtarë, duke qenë kështu dëshmitar i dorës së parë për dëmin dhe koston shkatërrimtare njerëzore në konfliktin me Serbinë. Kjo përvojë e inkurajoi Hollbrukun për të ndjekur një politikë më agresive në Ballkan ndaj politikave agresore serbe.
Në një memo për kolegët e tij, ai bënte thirrje:
“Bosnja do të jetë testi kryesor i politikës amerikane në Evropë. Ne duhet patjetër të korrim sukses në çdo objektiv që synojmë në politikat tona paqeruajtëse”.
Në vitin 1993, pasi Bill Clinton u bë President, Hollbruku ishte planifikuar fillimisht të ishte ambasador në Japoni për shkak të njohurive të tij të thella dhe përvojës të gjatë në çështjet aziatike. Megjithatë, ky emërim në fund iu dha ish- Zëvendës Presidentit Walter Mondale, dhe Hollbruku papritur u emërua Ambasador në Gjermani.
Hollbruku shërbeu në Gjermani gjatë një momenti dramatik: vetëm disa vjet pas ribashkimit të Gjermanisë. Ai ndihmoi për t’i dhënë formë marrëdhënieve të SHBA-së me Gjermaninë e re.
Një pikë kulminante e karrierës së tij, si ambasador në Gjermani, ishte vizita e Presidentit Bill Klinton në Berlin në korrik 1994, kur mijëra gjermanëve mbushën rrugët për të mirëpritur liderin amerikan.
Në këtë periudhë Hollbruku ishte një figurë e rëndësishme jo vetëm në Gjermani, por për gjithë politikën dhe diplomacinë amerikane. Ai, krahas detyrave si ambasador, punonte edhe për hartimin e politikave amerikane për të nxitur zgjerimin e NATO-s, sidomos në Europën lindore, si dhe qasjen e saj ndaj luftës në Bosnjë.
Në vitin 1994, ndërsa shërbente si Ambasador i SHBA-së në Gjermani, ai konceptoi idenë e një qendre të këmbimit kulturor ndërmjet popullit të Berlinit dhe amerikanëve. Me Richard von Veizaker, ish-Presidenti i Gjermanisë, dhe Henry A. Kissinger si bashkë-kryetar, ky institucion, Akademia Amerikane në Berlin, u promovua më 9 shtator 1994, një ditë pasi trupat e ushtrisë amerikane u larguan nga Berlini. Ajo Akademi është tani një nga hallkat lidhëse më të rëndësishme mes Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara. Në veprimtaritë e saj janë përfshirë shkrimtarë (autorë fitues të Çmimit Pulitzer si Arthur Miller dhe Jeffrey Eugenides), ekonomistë, zyrtarë të qeverisë dhe ekspertë të politikave publike, si Dennis Rossand, ish-ambasadori amerikan në Republikën Popullore të Kinës, J. Stapleton Roy, etj.
Hollbruku, si ambasadori amerikan në Gjermani, ishte mjaft i njohur në qarqet diplomatike dhe gazetareske. Ai u bë edhe më i rëndësishëm publikisht kur, së bashku me ish-Kryeministrin suedez Carl Bildt, ndërmjetësoi një marrëveshje paqeje midis fraksioneve ndërluftuese në Bosnjë që çuan në nënshkrimin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, në vitin 1995.
Hollbruku ishte një pretendent kryesor për të zënë vendin e Sekretarit të Shtetit Warren Christopher, pas daljes në pension, por u anashkalua në vitin 1996, meqënëse Presidenti Bill Clinton zgjodhi Madeleine Albright në atë post.
Në vitin 1994, Hollbruku u kthye në Uashington për t’u bërë ndihmës sekretar për çështjet europiane dhe kanadeze, një post që e mbajti deri në vitin 1996, kur dha dorëheqjen për arsye personale (ishte martuar me autoren Kati Marton dhe dëshironte të kthehej në Nju Jork).
Përsa kohë punoi si ndihmës sekretar shteti, Hollbruku udhëhoqi përpjekjet për të zbatuar politikën e zgjerimit të NATO-s dhe u dallua në drejtimin e ekipit negociues të ngarkuar me zgjidhjen e krizës në Ballkan. Ai, duke u nisur nga kjo periudhë, u dashurua me vlerat e Ballkanit dhe gjatë gjithë jetës iu përkushtua punës për të sjellë paqen dhe qytetërimin evropian në këtë rajon problematik ku ngrenin krye herë pas here nacionalizmat ekstreme.
Në Paris, në dhjetor të vitit 1995, ai ishte arkitekti kryesor i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, e cila i dha fund luftës së gjatë prej tre vitesh e gjysëm në Bosnjë.
Në vitin 1996, Hollbruku mori Medaljen Manfred Worner nga Ministria Gjermane e Mbrojtjes, medalje që jepet për figurat publike me kontribut të madh për “shërbim special të merituar për paqen dhe lirinë në Evropë”…
Pas largimit të Hollbrukut nga Departamenti i Shtetit, Presidenti Klinton i kërkoi të merrte detyrën si i dërguar i posaçëm për Ballkanin, duke patur parasysh shërbimin i tij të shquar në këtë rajon.
Dhe ai e pranoi me kënaqësi të madhe këtë detyrë.
Ndërkohë Hollbruku punonte edhe për Credit Suisse First Boston, duke marrë përfundimisht pozitën e Zëvendës Kryetarit.
Ai nuk e la asnjëherë pas dore edhe dhuntinë e shkrimtarit dhe publicistit. Hollbruku ka shkruar artikuj të shumtë dhe librat: “T’i japësh fund një lufte”, “Këshillat për Presidentin” (bashkautor) dhe vëllimin “Letrat e Pentagonit”.
Hollbruku ishte një anëtar shquar i Fondacionit Sergio Vieira de Mello deri në vdekjen e tij.
Në vitin 1997 ai u bë i dërguar i posaçëm edhe për Qipron.
Gjatë viteve 1998 dhe 1999, në cilësinë e tij si i dërguar i posaçëm presidencial për Ballkanin, Hollbruku punoi për t’i dhënë fund konfliktit mes forcave të armatosura të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët ishin duke luftuar për një Kosovë të pavarur.
Pra, krahas rolit të madh në Ballkan, Hollbruku luajti rol vendimtar për realizimin e çlirimit dhe pavarësisë së së Kosovës nga Serbia.
Pas zgjidhjes së krizave politike të krijuara nga Serbia dhe Milosheviçi në Slloveni, Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë e në të gjitha vendet ballkanike të shkëputura nga ish-Jugosllavia, Riçard Hollbruku iu përkushtua me shpirt zgjidhjes përfundimtare të problemit të Kosovës.
I ngarkuar nga ish-Presidenti Klinton, ai u takua me përfaqësuesit e UÇK dhe i deklaroi shtypit botëror se ky organizëm ishte një strukturë që synonte çlirimin nga diktatura serbe, pra, nuk ishte organizatë terroriste, siç ishte cilësuar fillimisht.
Ai punoi gjatë në terren me drejtuesit e Kosovës, si me Ibrahim Rugovën dhe pasuesit e tij, po ashtu dhe me Hashim Thaçin dhe liderët e UÇK, deri sa u finalizua çlirimi dhe pavarësia e Kosovës.
Hollbruku diti se si të ulet këmbëkryq në odat e burrave të Kosovës, ndërkohë që shpirti i tij prej luftëtari paqeje u ul këmbëkryq në zemrat e shqiptarëve të Kosovës. Hollbruku ishte vërtet një lider i madh, Supermeni Amerikan në Ballkan e Kosovë.
Holbruku ishte organizatori kryesor i takimeve ndërkombëtare që sollën paqen në tërë Ballkanin dhe veçanërisht në Kosovë.
Në mars 1999 ai udhëtoi për në Beograd për t’i dhënë ultimatumin përfundimtar presidentit jugosllav Slobodan Millosheviç përpara se të fillonte sulmi i NATO-s. Slobodani nuk dëgjoi dhe ushtria serbe u shkatërrua nga bombardimet e NATO-s.
Në shumë takime me Milosheviçin, Riçard Hollbruku synoi ta bindte atë që të hiqte dorë nga lufta dhe të lejonte shkëputjen e atyre shteteve që donin pavarësi nga Ish-Jugosllavia e Serbia.
Po ashtu, pavarësisht bombardimeve të NATO, në Serbi, ai ndikoi te Milosheviçi për dorëzimin dhe tërheqjen e trupave serbe nga Kosova, para se të shkaktoheshin edhe më shumë dëme të pariparueshme midis popujve.
Më konkretisht, roli i Hollbrukut për Ballkanin:
Ai është ideatori dhe realizuesi i Ballkanit të sotëm paqësor; ka punuar shumë për çështjen kombëtare shqiptare në përgjithësi, si dashamirës i shqiptarëve; ka punuar veçanërisht për realizimin e çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës; ka lobuar për përmirësimin e imazhit të Shqipërisë në botë; ka lobuar për ndërkombëtarizimin e çështjes së shqiptarëve çamë; ishte ideator i vendosjes së Misionit Diplomatik për Paqe dhe Zhvillim (Diplomatic Mission Peace and Prosperity, DMPP) në Ballkan dhe veçanërisht në Shqipëri, Mision Ndërkombëtar Lobimi i akredituar në OKB, SHBA, BE, etj. Ky mision lobon për imazhin e vendeve në zhvillim, veçanërisht për vendet e Ballkanit, në bazë të parimeve të Demokracisë Amerikane, si dhe për sjelljen e financimeve dhe kapitaleve të vendeve të fuqishme në këto vende me probleme ekonomike.
Hollbruku u bë personaliteti më i dashur për popujt e Ballkanit pas Presidentit Bill Clinton. Dy vjet më vonë, pas luftës, kur u kthye në qytetin e Sarajevës, banorët e zakonshëm dolën ta takonin Hollbrukun si hero. Ata, ashtu si shqiptarët e Kosovës, nuk mund ta harronin atë që ai kishte bërë për lirinë e tyre. Burrat dhe gratë e Sarajevës kishin lot në sy ndërkohë që falënderonin Amerikën përmes Hollbrukut për rivendosjen e nderit dhe rikthimin e njerëzve në shtëpitë e tyre.
Hollbruku tërë veprimtarinë e tij dhe politikat amerikane për Ballkanin i ka pasqyruar në shumë artikuj që ka botuar vetë në shtypin botëror si dhe në intervistat e shumta që u ka dhënë televizioneve të ndryshme për përvojat e tij në Ballkan.
Në gusht të vitit 1999, Hollbruku u betua si Ambasadori i 22 i SHBA-së në Kombet e Bashkuara, duke zëvendësuar Bill Richardson. Gjatë karrierës së tij si ambasador, Hollbruku ishte i njohur për risitë dhe për aftësitë e rralla që kishte për të gjetur rrugëdalje diplomatike. Kështu ai ndikonte për të stabilizuar një sërë tensionesh që mbanin pezull për një kohë të gjatë marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me OKB-në. Arritja më e madhe e tij ishte negocimi i një marrëveshje historike mes Shteteve të Bashkuara dhe 188 shteteve të tjera, anëtare të OKB-së. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje u hap rruga për të zgjidhur borxhin e madh që Shtetet e Bashkuara i detyroheshin Kombeve të Bashkuara. Marrëveshja që Hollbruku arriti në dhjetor të vitit 2000, uli normën e detyrimeve të SHBA ndaj OKB-së, duke përmbushur kushtet e një ligji amerikan të përkrahur nga senatorët Jesse Helms dhe Joseph Biden. Në këtë mënyrë SHBA i pagoi OKB-së shumën e detyrimeve të prapambetura.
Pra, Hollbruku siguroi një reduktim në detyrimet e SHBA ndaj OKB, pavarësisht një ekonomie të lulëzuar amerikane. Kështu ai ndikoi për të rinovuar sistemin e vjetëruar financiar të OKB-së.
Hollbruku dhe ekipi i tij negociator u vlerësuan shumë nga Politika e Jashtme Amerikane për marrëveshjen me OKB.
Si Ambasador i OKB-së Hollbruku arriti të bindë Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të debatuar dhe për të miratuar një rezolutë për HIV / AIDS. Ishte hera e parë që ky organ trajtonte shëndetin publik, si një çështje të sigurisë globale.
Në janar të vitit 2000, Hollbruku përdori presidencën e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të vënë në pah një sërë krizash në Afrikë, duke mbajtur gjashtë debate të njëpasnjëshme. Këto debate mblodhën së bashku shumë liderë anembanë globit, përfshirë Presidentin e Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, dhe Zëvendës Presidentin Amerikan, Al Gor. Si rezultat u arrit një ndërhyrje më efektive e OKB-së në Republikën Demokratike të Kongos, Angola dhe gjetkë.
Në vitin 2000, Hollbruku kryesoi një delegacion të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në një sërë negociatash diplomatike në të gjithë Afrikën, duke përfshirë Republikën Demokratike të Kongos, Zambia, Zimbabve, Ruanda dhe Uganda. Hollbruku siguroi gjithashtu anëtarësimin për Izraelin në grupin rajonal evropian perëndimor, duke i dhënë fund përjashtimit historik të këtij shteti nga diskutimet e grupeve rajonale dhe duke e lejuar atë, për herë të parë, të kandidojë në zgjedhje për pozita udhëheqëse në nën-organet e OKB-së.
Gjatë javëve të fundit të mandatit të tij, Hollbruku siguroi statusin konsultativ në Kombet e Bashkuara për Hadassah, organizatën e shërbimit të grave hebreje, duke kaluar kundërshtime të fuqishme nga delegacione të caktuara arabe.
Pas largimit nga OKB, një vit më vonë, Hollbruku mori përsipër një OJQ gati në agoni që kishte për qëllim të mobilizojë bizneset dhe korporatat në luftën kundër AIDS-it. Në atë kohë, ajo kishte 17 anëtarë. Gjatë gjashtë viteve të ardhshme, Hollbruku e ktheu këtë organizatë, fillimisht të quajtur Këshilli i Biznesit Global për HIV / AIDS, në një organizatë mbarëbotërore me më shumë se 225 anëtarë. Ajo u zgjerua duke përfshirë malarien dhe tuberkulozin, duke u bërë Koalicioni i Biznesit Global mbi HIV / AIDS, Tuberkulozin dhe Malarien, në vitin 2006.
Në janar 2001, Hollbruku parashikoi se “Iraku do të jetë një nga çështjet kryesore me të cilat do të përballet administrata e ardhshme e presidentit Bush në Kombet e Bashkuara.”
Hollbruku ishte jo vetëm diplomat i shquar, por edhe intelektual i rrallë e largpamës. Ai kryente shumë detyra njëherësh. Ndërkohë ishte nënkryetar i Perseus LLC, një firmë drejtësie private lider, etj…
Nga shkurti 2001 deri në korrik 2008, Hollbruku ishte anëtar i Bordit të Drejtorëve të Grupit Ndërkombëtar Amerikan. Ai ishte anëtar i bordit të drejtorëve të Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë në Nju Jork dhe më parë ka shërbyer në Bordin Këshillues të Rrjetit të Sigurisë Kombëtare.
Më 24 shkurt 2007, Hollbruku mbajti fjalimin javor të Partisë Demokratike në radio dhe bëri thirrje për “një strategji të re në Irak”, që përfshin “një ripozicionim të kujdesshëm, në faza të trupave amerikane” dhe një “ofensivë të re diplomatike në rajonin e Gjirit për të ndihmuar stabilizimin e Irakut “.
Gjatë luftës së Osetisë së Jugut, në vitin 2008, ndërmjet Rusisë dhe Gjeorgjisë, Hollbruku tha gjatë një interviste për CNN se ai kishte parashikuar konfliktin që në fillim të vitit 2008.
Hollbruku ishte këshilltar kryesor i Hillari Klinton për politikën e jashtme në fushatën e saj për presidente dhe besohej se do të ishte zgjedhja e saj e preferuar si Sekretar i Shtetit. Kur Obama mundi Klinton dhe e zgjodhi atë si Sekretare e Shteti, Hollbruku ishte opsion i saj i preferuar për Zëvendës Sekretarin e Shtetit, por Obama i vuri veton.
Në janar 2009, Hollbruku u emërua nga Presidenti Obama si përfaqësues i posaçëm për Afganistanin dhe Pakistanin. Kontributi i tij në këto vende problematike ishte shumë i madh.
Më 11 dhjetor 2010, Hollbruku u shtrua papritur në spitalin George Washington University, në Uashington, pasi u sëmur në selinë e Departamentit të Shtetit.
Në atë spital ai iu nënshtrua njëzet orë operacionit për të rregulluar një çarje të aortës, një gjendje e rrallë.
Hollbruku vdiq më 13 dhjetor të vitit 2010, nga komplikimet e aortës.
Vdekja e tij ishte një humbje e madhe për diplomacinë amerikane.
Frank Rich i New York Times shkroi: “Vdekja e tij e parakohshme, ndërsa mbante heroikisht barrën dërrmuese të Afganistanit dhe Pakistanit, është tragjike në më shumë mënyra sesa shumë amerikanë ende e kuptojnë.”
Shërbimi përkujtimor për Hollbrukun u mbajt në John F. Kennedy, Qendra për Performimin e Arteve, më 14 janar 2011.
U nderua nga personalitetet më të shquara nga e gjithë bota.
Richard Charles Albert Holbrooke ishte diplomat i shquar amerikan, redaktor reviste, autor, profesor, zyrtar i Korpusit të Paqes, bankier investimesh, etj.
Ai ishte i vetmi person që ka mbajtur postin e Ndihmës Sekretari i Shtetit për dy rajone të ndryshme të botës (Azi 1977-1981 dhe Evropë 1994-1996).
Hollbruku ishte një ambasador i artë i diplomacisë amerikane. Ai ishte në plot kuptimin e fjalës Supermeni Amerikan i Ballkanit.
Jo më kot shtypi botëror e ka cilësur si diplomatin më të madh të kohërave moderne, ose më saktë: “Buldozeri i Diplomacisë Amerikane”…
Ambasadoi i Artë Riçard Hollbruku ishte një luftëtar i madh i Paqes në botë. Dhe me të drejtë shumë personalitete prestigjioze të botës thonë se ai, më shumë se çdo personalitet që ka punuar për paqe, meritonte Çmimin Nobel për Paqe…
SHPËRNDAJE


