Gazetarja e mirënjohur Zenepe Luka (Çekrezi), ka lindur në Librazhd, qytet ku dhe mori arësimin tetëvjeçar. Pasi përfundoi shkollën e mesme “Luigj Gurakuqi”, në Elbasan ajo kreu studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike, në Tiranë dhe në maj të vitit 1973, u diplomua për gazetari.
Profesionin sa të vështirë e aq dhe fisnik të gazetares, e nisi në revistën “Shqiptarja e Re”, për të vijuar në gazetën lokale “Kukësi i Ri” e më pas në të përditshmet “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë”, etj. Ajo është e para gazetare femër, e cila u emërua gazetare e RTSH, në Elbasan, që mbulonte edhe rrethet Gramsh e Librazhd.
Zenepja ka dhënë kontribut të veçantë në qytetin e saj të lindjes, ku për shumë vite ka punuar si lektore në “Muzeun Etnografik”, duke ushtruar edhe profesionin e gazetares.
Nga vitit 1994 deri në vitin 2004, ka qenë gazetare e gazetës “Koha Jonë”, për Vlorën, më pas në gazetat “Ballkan” dhe “Telegraf”. Vazhdon të punojë gazetare e terrenit, duke u rikthyer tek gazeta “Koha Jonë”.
Në maj të vitit 2018 ajo mbush 45 vjet karierë me 10500 shkrime të botuara, ku dominon reportazhi dhe intervista.
Zenepe Luka ka rriskuar edhe jetën për profesionin e saj në periudhën kur ishte gazetare e gazetës “Koha Jonë”, duke provuar dhunën e policisë, vendosjen e tritolit në banesë në 10 maj të vitit 1998, akt fundamentalist me të cilin u synua asgjësimi i familjes së gazetares, për t’i mbyllur gojën të vërtetës.
Për karierën e saj në profesionin e vështirë të gazetares së terrenit, Zenepe Luka është vlerësuar vetëm nga këngëtari i madh Italian Al Bano Karrisi, që i ka akorduar Premion” Zenepe Luka është Oriana Falasci shqiptare”.
Shkimet dhe kijimet e para të Zenepe Lukës (Çekrezi) e kanë siparin që në bankat e shkollës së mesme. Kur ishte studente ajo bëri përpjekje për të botuar librin e parë titulluar “Vajzëri”, por u refuzua nga Shtëpia botuese “Naim Frashëri, për shkak se kishte vetëm lirika.
Seria e botimeve të librave nisi në vitin 1996, me novelën “Rënkimi i shpirtit”. Në vitin 1998, botoi librin publicistik “Vlora Vlora”, që përcjell kronikën e dhimbshme të pranverës së vitit 1997- të, në Vlorë.
Libri “Unë, gazetarja rebele” e pa dritën e botimit në vitin 2001, ndërsa “Një jetë për Kombin” u botua në vitin 2002.
“Rrëfej Nermin Vlorën – ishim Tri”, është libri voluminoz, që doli nga shtypi në vitin 2005.
“Violeta Manushi – Kryezonja e skenës”, i botuar në verën e vitit të 2007, është një tjetër libër me vlera, të autores.
Në maj të vitit 2008, doli nga shtypi dhe u promovua libri i saj i shtatë “Al Bano & Albania “, ku mori pjesë edhe vetë këngëtari i shquar italian, Al Bano Karrisi.
Në korrik të vitit 2012 u botua libri në gjuhën italiane “L’amore Albanese per Al Bano” (Dashuri shqiptare për Al Banon), që u promovua në vendlindjen e këngëtarit, në Çelino San Marko, ku merrte pjesë edhe Presidenti i Republikës Prof. Bamir Topi”.
Libri voluminoz “Kjo është jeta ime”, u botua në maj të vitit 2013, me rastin e 40 vjetorit të diplomimit gazetare.
Novela “Rënkime shpirti – Amaneti”, doli nga shtypi në vitin 2015. Autorja ka përshtatur edhe librat “Al Bano & Rmina Power” dhe monografine “Jeta e Al Bano Karrisit” Libri Edi Luarasi
“Dramë dhe dashuri” (në jetë dhe në skenë).
Libri “Testamenti i grave për gratë“, që u botua me rastin e 15 vjetorit të Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi.
“Rrëfej Klaudia Kardinale shqiptare Lumnie Hoti Çota“, është libri i 16-të i autores.
Përveçse një gazetare e mirënjohur dhe autore e 16 librave, Zenepe Luka, jep kontributin e saj edhe në shoqërinë civile. Ajo është themeluese dhe Kryetare e Shoqatës Kulturore “Al Bano & Romina Power”si dhe themeluese e Presidente e Fondacionit Kulturor Mbarëkombëtar “Nermin Vlora Falaschi”, prej 17 vjetësh.
Për kontributin dhe vlerat e saj, është vlerësuar me medaljen e “Mirënjohjes” nga bashkia e Vlorës dhe Librazhdit si dhe nga komunat Preshevë, Prizren, Mitrovicë, Gjakovë, Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria” dhe shumë komuna në Itali e shoqata kulturore në Diasporë.
Në muajin nëntor të vitit 2011, në Forumin Botëror të Gruas që u mbajt në Pekin, Zenepe Lukës iu dorëzua çmimi “Grua e shquar” nga Presidentja e Federatës së Grave Kineze dhe nënkryetare e Parlamentit të Kinës, zonja Chen Zhi Li.
Në muajin korrik të vitit 2012, u bë “Qytetare Nderi” e Çelino San Markos, vendlindja e këngëtarit italian, Al Bano Karrisi.
Gjatë vitit 2017, me rastin e 15 vjetorit të Fondacionit, është vlerësuar me medaljen “Mirënjohje” nga Ambasadat shqiptare në Vienë dhe Slloveni.
Më 1 nëntor të vitit 2017, Presidenti i Kosovës z. Hashim Thaçi e dekoron me Medaljen Presidenciale të Meritave.
Pikërish për vlerat e padiskutueshme që mbart figura gjithpërfshirëse e gazetares Zenepe Luka, në maj 2018, “Organizat Diplomatic Mission Peace and Prosperity”, Organizatë Ndërkombëtare lobimi e regjistruar në UN, USA, NATO etj,. dhe partnerët e saj vendosën ta nderonin atë me titullin prestigjios “Misionare Paqeje dhe Këshilltare Nderi” të stukturave të veta. Po gazetarja jonë, që ka mesuar shumë mirë t’i ngjisë shkallët e karierës një e nga një e nisi punën me zell e pasion, si çdo gjë tjetër në jetën e saj dhe në krye të një viti ia doli t’ua rrëmbej zemrën ndërkombëtarëve, të cilët, në ditën e lindjes së saj më 2 gusht 2019, i akorduan Medaljen e Artë “Aktivistja e Shquar e Njërëzimit” si dhe Ambasadore nderi e Diplomatic Mission Peace and Prosperity (DMPP).
Askush nuk befasohet nga vlerësime të tilla, pasi ambasadorja jonë i meriton të gjitha, ajo është e do mbetet përjetë vlerë e profesionalizmit dhe përkushtimit njerëzor.
SHPËRNDAJE