Nuk është e lehtë të shkruash për Leonardo Da Vinçin, këtë ëngjëll të misterit dhe një nga fizionomitë më madhështore e gjeniale të njerëzimit.
Ai që nuk braktisi asgjë pa dhënë shëmbuj të përkryerjes.
Vetëm me buzëqeshjen enigmatike të Xhokondës gjallon akoma një filologji të pashtershme studimesh e polemikash.
Zoologjia, anthropologjia, botanika, anatomia, topografia, oqeanologjia, piktura, matematika, astronomia, arkitektura… lartësuan në fytyrën e tij një përfaqësues të plotëruar.
Edhe pse janë shkruar një shumësi librash për të, kur lexova këtë krijesë të Moikom Zeqos, mërgohem nga udhëkryqet, ngaqë ata janë shërbëtorë të dyshimeve.
Një errësirë më shtyn përtej saj për të pohuar se ky libër si mister i pajtuar me hapjen shpërfaqet si një vijim sa i veçantë, po kaq magjepës, duke përparuar në pakohësi + kohën.
Për të zanafilla është një shëmbëlltirë energjike e absurditetit apo më qartë hedhja në aktivitet e padijes për dëfrime amatoreske.
Ata që nuk mund ta lexojnë këtë libër janë të verbër, ai që e lexon dhe nuk e pëlqen zbulon injorancën e tij.
Vetëm një optikë e thellë vëren lëçitës në horizont të ardhmërisë.
“Traktati i pikturës së Leonardo Davinçit” s’ka qënë se ekziston, si përqëndrim i thellë udhëton drejt mëvetësisë në qetësi i pangatërruar me mburracakëri vagabonde, si i pakrahasueshëm përkrah vetminë, si fanitje është ëndërrim.
Edhe pse nuk duket njëjtësi, në brendësi gjëndet i plotëruar. Në ngjitje-zbritje si thellësi-lartësie, sferë sizifike në betejë me misterin.
Poetikë që të mrekullon.
Sotshmëria ku u shkrua, nuk e nxë në tërë përmasat e saj.
Mënyra e të thënit amalgon pengesat dhe kapërcimet për harmoninë në kudo-ndodhje.
Imagjinatë artistike shumëngjyrshe.
Këndvështrime në panumurim.
Me begati përfytyrimesh sistemon kaosin.
Pyetja: Çfarë është?!…
Përgjigjia: Dhe çfarë nuk është!…
Si muzg në optikë është agshol…
Thua, agsholi të jetë edhe zia e muzgut apo brenda enigmës qan një e qeshur?!…
Muzikë ndjeshmërie e tjetërsuar në gërma pa abuzime, endacake në gjelbërime kozmike.
Kujtesë që vadit Përjetësinë.
Libër-Enciklopedi, – i nginjur me një magmë persiatjesh poetike, mitike, teologjike, filozofike, estetike, observime hapësirash… pa shëmbëlltyrë krahasimi dhe mundësi imitimi.
Koha shuhet brenda tij dhe të jep përshtypjen se vjen nga gjithkundsi e shkuar dhe ardhmëri mbijeton me shpejtësinë e çastit të përhershëm.
Edhe diçka tjetër, këtë vepër fantastike të Moikom Zeqos, – realisht asnjë nuk mund ta gjunjëzojë dhe disiplinojë.
Lulëzon e çlirët.
Si një copëz Pafundësie është motër e vogël e Përjetësisë.
Elitarja shtron pyetjen për të turmësuarit:
– Ju që shkruani, çfarë është shkrimsimi?…
– Ose ndryshe, ju që flini çfarë është gjumi?…
Gjumi ngjan me vdekjen.
Përse, pra, nuk përkryeni një vepër të tillë, ku edhe më pas se vdekja juaj mund të paraqisni një ikonë të përkryer jete, ju që të gjallë bëheni brenda gjumit unik me të vdekurit e mërzitur.
Asnjë përgjigje, dëgjimet janë në grevë.Qorrollisja edhe pse me pishtar në duar është mungesë tek vështrimet.
E lë këtë kuptim në harxhim dhe akoma sa fjalët nuk shprehën, i vërej në gjerësinë e një ikje.
Një libër kur është libër të robëron në vetmi.
Mos-shoqërimin ta ofron filozofi, poeti, artisti, eruditi, historiani, mitologu, eremiti…
Kur lexoj libra këtillësi si të Demiurgut Moikom Zeqo guxoj të pohoj se: Njerëzimi mund të jetojë me thesaret shpirtërore, që kanë mbrritur deri tek sotshmëria, pa shkruar të tjera libra, pa pikturuar asgjë, pa kompozuar as edhe një këngë…
Posedojnë kaq arritje kolosale që është vështirë të kapërcehet.
Në cermoninë e mungesave, asnjëherë s’kanë për të qënë “Jo” në mosqënie madje as refuzim në arkën e Noes.
Këto thënie nuk janë gjysma e së vërtetës për të fshehur gjysmën tjetër, ngaqë “Traktati i pikturës së Leonardo Da Vinçit” gjason me ardhje aporike e artikuluar tejet në “Po”…
Moikom Zeqo: “A mundesh dot, o Leonardo t’i pikturosh këto çudira?… Nëse e ke të vështirë të pikturosh të dukshmen ahere nuk e di sekretin e balsamimit të kalueshmërisë, çdo ahere të kërkosh kaq paturpësisht të pikturosh të padukshmen d.m.th., amshimin?…
Jetojmë në mënyrë integrale në një punkt matematikor diku në qëndrën e Udhës së Qumështit, Leonardo, ti di diçka për simultanitetin e kohërave po nuk di asgjë për simultanitetin e stileve dhe të ngjyrave, o ç’ekspedita të shpirtit në botën e vizioneve skizofrenike, o ç’lundrim aventurier në kaosin e realitetit figurativ, realja dhe irealja në natyrë nuk është njësoj si realja apo irealja në pikturë…
Ca vullkane portativë shoqërohen me fishekzjarret, sytë janë mbretëri ku hyjnë e dalin alfabete të ngeshëm, dikush e përshëndet vdekjen me një batare barbarozash, ujvara është një vajzë që zbret duke qeshur si e marrë, vështrimet mbillen si fara magjike, çfarë arë e mrekullueshme kjo Mona Liza, si do ta mbjellim këtë portret në vështrimet e pasardhësve dhe të palindurve akoma?…
Do të huazoj nga Tomas Elioti për të thënë se në këtë vepër të Moikomit begatia poetike e beftë me një origjinalitet energjik si e hapërdarë kudo kundrohet me vështirësi.
Është si të ndjekësh rrugën që ravijzon një zog, një aeroplan apo një vrenjtësirë në qiell të pastër: në se e pe kur ishte mjaft afër dhe përqëndrove vështrimin sipër saj kur fluturonte gjithnjë e më larg, mundesh akoma ta vëresh në një distancë të madhe, një distancë e cila në syrin e një tjetri, edhe pse mundohesh t’ja dëftosh, nuk mund ta gjej…
Në vazhdim, dua të theksoj se ajo që më dhuroi leximi i këtij libri është një kënaqësi e vetmuar me aroma shpirtrore.
Palimpseste me vërshime sofistike e frymëzim të pashterrshëm shpalosin tërësinë e botës shpirtërore të Leonardo Davinçit, si të njohur në metamorfoza ndryshe.
Si errësirë në shpërbërje drite, Libër-Qënie, që drejtohet nga hyjnorja.
Si pa atdhe, ka atdhe gjithë botën, ngaqë i përqafon të gjitha me një pneumatikë pa cakëzime.
Vetëm Dielli që lind e vështron vëndlindjen e tij.