(Përballë Madhështisë së Heroizmit Shqiptar!…)
Poeti Ferik Ferra, ky kalorës i përjetshëm në kërkim të lirisë së Kombit, si çdo kalorës i pakënaqur nga mizeria e realitetit të kohës deheroike, që po jetojmë, nuk mund të rrijë i qetë e të shijojë agoninë e lirisë. Përkundrazi, ai shalon kalin e ëndrrave të veta poetike dhe rend tutje, nëpër mjegullat e së shkuarës, ku lëkundet, si flamur kuq e zi, mëndafshi i përgjakjes prej betejave.
Pra, ai rend e rend përkundër rrjedhës së kohës në kërkim të rrënjëve të etnisë shqiptare. Rend e rend dhe takon e evokon herojntë e kohërave të ndritura, kur vërtet lumenjtë mbusheshin me trëndafila gjaku prej betejave të ashpra. Kohë të përplagura, por sado jetëshkurtër, liria kishte emrin liri, dhe vendi i shqipeve u këndonte me lahutë bëmave legjendare të heronve si Muji e Halili, e duke shkuar në thellësi të shekujve, malet ushtonin nga trimëritë e heronjve arbërorë të Skënderbeut, më thellë akoma, në muzgjet e historisë gjallonin luftëtarë si Pirro i Epirit, si heronjtë ilirë Genti, Teuta, etj…
Poeti kalorës i lirisë Ferik Ferra, u këndon pikërisht kohës së heroizmave, miteve e legjendave, duke na i sjellë në realitetin e sotëm për të na thënë: Tunduni vendit, bashkëkohësit e mi të përgjumur, le tu ngjajmë nga pak gjyshërve e stërgjyshërve që sakrifikuan gjithçka për mbijetesën e vendit të shqipeve, Atdhe-Mëmëdheut tonë Shqipëri…
Dr. Shefki Hysa