Në qytetin e Durrësit, në studion e skulptorit të talentuar çam, Idriz Balani sapo ka përfunduar një vepër monumentale e rrallë. Ka përfunduar punimi në baltë dhe është nisur për t’u derdhur në bronz obelisku që përjetëson jetën dhe veprën e birit të Çamërisë, shkrimtarit disident Bilal Xhaferri. Autori Balani thotë se vepra që i kushtohet Bilal Xhaferrit është një obelisk ku brenda konceptit dhe strukturës së vet pranon mjaft gjëra. Kështu që këtu ka elemente të ndryshme, siç është portreti i tij pranë krahut të shqiponjës, telat me gjemba, tituj romanesh që ka botuar në Amerikë, si dhe një pjesë të poezisë së tij brilante “Baladë Çame”.
Është konceptuar në mënyrë të tillë në krahun e shqiponjës për disa arsye. Arsyeja e parë është për vetë jetën e Bilal Xhaferrit, që kaloi kalvarin qysh në fëmijëri me pushkatimin e të atit deri në momentet kur u internua dhe më pas u arratis, kur veprat e tij u kthyen në karton, vajtja e tij në Amerikë dhe botimi i “Krahu i Shqiponjës”, revistë politiko-shoqërore e shqiptarëve të Çikagos.
Pak a shumë këto janë elementet që e përbëjnë. Portreti i tij është në qendër, një portret që lidhet dhe me krahun e shqiponjës. Poezia që ndodhet në qendër të obeliskut është një poezi e rrallë dhe e fuqishme e autorit: “Toka çame e mbuluar nga retë, rënkon e mbytur në gjak e lot, e mbetur shkretë, pa zot…”. Është një poezi thirrje e hapur, thirrje e fuqishme për kauzën çame. Po në këtë rast unë portretin e Bilalit nuk e shoh thjesht si portretin e tij, por si të një engjëlli që vjen vërdallë deri në momentin kur duhet të realizohet, -thotë skulptori.
Boceti u ideua 10 vite më parë
Autori i veprës, Idriz Balani tregon se si ide ka vite që është marrë me këtë variant të paraqitjes së obeliskut të Bilal Xhaferrit: Mbi 10 vite të shkuara e bëmë bocet dhe qe miratuar për ta vendosur në qytetin e Durrësit. U bë dhe një ceremoni e madhe dhe ideja ishte që të vendosej në këtë qytet pasi Bilal Xhaferri ka kaluar këtu disa vite kur ishte në kulmin e krijimtarisë së tij. Më pas u internua, pas incidentit që pati në mbledhjen e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve kur kritikoi romanin “Dasma” të Kadaresë, dhe pas internimit u arratis në Amerikë.
Idrizi vijon bisedën duke treguar se si erdhi një moment që pas disa tratativash, si nga ana e tij, dhe e shoqatës “Çamëria”, konkretisht në Sarandë, u ra dakord me kryetaren, e cila pranoi së bashku me Këshillin Bashkiak, që aty ku gjendet varri i prehjes së eshtrave të Bilal Xhaferrit, në lulishten pranë atdhetarit të madh Hasan Tahsinit, të ngrihej edhe monumenti i tij. Kjo edhe sepse Bilal Xhaferri është pinjoll i kësaj familjeje. Madje edhe mbiemri i tij nuk është Xhaferri, pasi ky mbiemër është realisht emri i të atit, ndërsa mbiemri real i tij është Hoxha. Varri do të rikonstruktohet i gjithi dhe mbi këtë platformë do të ngrihet obelisku, që do të ketë një lartësi prej 3 m e 20 cm.
Si e realizoi Bilal Xhaferri arratisjen
Disa vite më parë, Edip Hoxha në Durrës tregonte për përpjekjet që ka bërë Bilali për t’u arratisur. Nga dëshmitë e kushëririt të tij, mësojmë se disidenti Bilal Xhaferri ka bërë 3 herë përpjekje për t’u arratisur, ndërsa ka arritur që vetëm herën e fundit t’ia dalë mbanë nismës “sekrete” të tij. Kjo sipas kujtimeve të Edipit, i cili rrëfen se Bilali i kishte thënë për një plan të vetin për të ikur jashtë shtetit. Unë shkova në fshat, dëshmonte ai, ku kam biseduar me djalin e tezes sime se si mund të kalohej kufiri.
“Ai më tha se në atë kohë situata në kufi ishte e vështirë për t’u kaluar, pasi me sa shihej, nuk e di se pse, kufiri kishte shërbime të përforcuara me shumë skuadra ushtarësh e të shoqëruara shpesh me qen”. Kështu që ky variant ka rënë vetvetiu që në ideimin e tij. Kërkesa për të ikur ishte ose nëpër vijën e kufirit tokësor nga ana e Konispolit ose edhe me not nëpërmjet Kanalit të Korfuzit, duke pasur si pikënisje Ksamilin. Kjo tentativë i përket vitit 1966, sipas Edipit, dhe pas kësaj ai kishte bërë edhe një tjetër. Edipi thekson se në një bisedë me Bilalin, ai i kishte treguar se si i kishte dështuar edhe një tentativë për të ikur nga ana e liqenit të Pogradecit.
Sipas Edipit, më 19 qershor 1964, Bilali është liruar nga ushtria, por gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak ai ka pasur shumë miqësi me një person nga rrethinat e Pogradecit, dhe që atëherë ai kishte hedhur idenë se si mund të gjente variante për t’u arratisur. Gjatë verës, sidomos në vitin 1966, ata janë ushtruar për të bërë not në distanca të gjata. Këtë stërvitje të qëllimshme e kanë bërë së bashku në bregdetin e Durrësit. Edipi thotë se si zonë stërvitjeje u ka shërbyer plazhi në sektorët e njohur te zona e njohur si “Hekurudha” dhe “Teuta”. “Këtu bënim not paralelisht me bregun për të ditur edhe se sa km mund të rezistonim për notime me distancë të gjatë, dhe duke notuar në këtë mënyrë mund të bënin më mirë kronometrimet sekrete të aftësive rezistente të organizmave të tyre në rast se do të mbeteshin për të notuar drejt kufijve të vendeve fqinje”.
Ndërkohë lidhur me tentativën e bërë për të kaluar drejt ish-shtetit të Jugosllavisë nëpërmjet liqenit të Pogradecit, Edipi thotë se Bilal Xhaferri kishte biseduar me mikun e viteve të ushtrisë dhe se kishte shkuar një herë deri atje, por se nuk e kishte marrë udhën pa kthim pasi kishte pasur frikë se pogradecari kishte dhe një mik që ai e kishte biseduar me të, por kjo gjë nuk i ka pëlqyer poetit, pasi jeta që kishte kaluar e kishte mësuar që të ishte vigjilent. Ai nuk kishte pasur besim te miku i mikut, sipas fjalës së urtë arabe që thotë se “miku i mikut tim, nuk është miku im”. Duke qenë me tre vetë, nga të cilët ai njihte vetëm njërin, kishte frike se mos i rridhte informacioni për ikjen dhe e ndërpreu. Këtë gjë, thotë Edipi, ai e ruajti të fshehtë, saqë vetëm një herë e folën se pse nuk u bë ikja, dhe kishin heshtur më pas pa e përmendur më…
Arratisja
“HAJDE SHIKO NUSEN. STOP”. Ky ka qenë edhe teksti i telegramit grishës për të shkuar në fshatin e tij të lindjes në Markat dhe që ka shërbyer edhe si pretekst për t’i dhënë leje Dega e Punëve të Brendshme të Sarandës për të shkuar në një rajon kufitar, sipas rregullave strikte të Sigurimit të Shtetit për ta mbajtur situatën nën kontroll. Po këtë radhë ka qenë tentativa e tretë dhe e fundit e poetit që u realizua me sukses. Për këtë ai e kishte parapërgatitur terrenin pasi kishte biseduar me dhëndrin e vet, Selfo Hoxhën. Selfo, sipas Edipit, ishte një njohës i shkëlqyer i rajonit kufitar. Ai sapo ishte kthyer në fshatin e vet pasi kishte kaluar disa vite burgimi dhe internimi.
Për këtë ata kishin planifikuar për t’u arratisur që të dy. Për këtë u shfrytëzua një festë e krahinës. Atje në verë bëhej një panair që quhej festa e Bagazit. Kjo festë mblidhte banorë të të gjithë fshatrave të zonës. Atje dëfrehej gjatë gjithë natës dhe ekspozoheshin prodhime të fshatrave e tregtoheshin si në të gjithë panairet. Rast ideal ky për të mos rënë në sy për të kapërcyer kufirin mes shumë njerëzve që vinin. Ftesa për të marrë leje kufitare ishte planifikuar që të bëhej sikur Xhaferri do të shkonte në fshat për të parë një vajzë, me të cilën do të martohej. Për këtë dhëndri i vet i solli një telegram me tekst të formuluar dinakërisht, ku shkruhej: “Hajde shiko nusen”.
Sigurimi i Shtetit ishte vënë kësisoj në gjumë. Bilal Xhaferri niset për në fshatin e vet për t’u bërë “dhëndër” me qytetërimin perëndimor të Amerikës. Ai kishte që në vitin 1955 që nuk kishte shkuar në vendlindje të tij, dhe kur u nis për atje, kontakti me Markatin e mrekullueshëm qe falja e përmallshme e birit me vendlindjen që bëhej për të fundit herë, pasi ai më 23 gusht 1969 rreth orës 11 e 30 me gjithë dhëndrin dhe një bashkëfshatar kapërcejnë në fshehtësi kufirin drejt Greqisë. Ishte takimi i fundit me vendlindjen dhe atdheun që ai e deshi aq shumë… Para kalimit të kufirit shtetëror, ai ka lënë një letër kartoni të trashë ku kishte shkruar arsyet që e detyronin që t’i kthente krahët atdheut të vet. Letra ruhet edhe sot në arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit.
Mark Brunga