Pas një ndërprerje kohore prej më se tetë vjetësh, keni në dorë një revistë, të cilën ose e keni lexuar, ose keni dëgjuar të flitet shumë për të. Është fjala për “Krahun e shqiponjës”, botim dygjuhësh, shqip – anglisht, ideuar dhe botuar për më shumë se dhjetë vjet prej poetit, prozatorit, publicistit dhe politikanit të shquar disident Bilal Xhaferri, në mërgatën shqiptare në SHBA, Çikago.
Për kohën dhe kushtet në të cilat doli dhe për problematikën që trajtoi, kjo revistë u bë shpejt një tribunë e vërtetë e bashkimit kombëtar, e mendimit të lirë intelektual, i cili në dheun mëmë mbytej qysh në embrion; e disidencës politike kundër regjimit komunist të Tiranës së atëhershme, shkaktar kryesor i copëzimit të truallit amë, i genocidit mbarëshqiptar nëpërmjet agjentëve të sigurimit famëkeq. Etnia shqiptare, rindërtimi i saj sipas imazhit të origjinës së
hershme, ky ishte problemi themelor i revistës: Kosova dhe Çamëria, Hoti e Gruda, Bujanovci e Presheva, etj., janë Shqipëri.
“Krahu i shqiponjës” ishte gjithashtu edhe një tryezë e rrumbullaktë e forcave politike shqiptare të mërgimit, në SHBA e kudo që ndodheshin ato nëpër botë. Në faqet e saj frynin erërat e ngrohta të konsensusit, përkundër ngricave të mosmarrëveshjeve dhe përçarjeve që ngjallnin agjentët e komunizmit, shqipja flitej shqip kur ishte fjala për Shqipërinë mëmë që dergjej nën thundrrën e tiranisë mesjetare komuniste.
“Krahu i shqiponjës” arriti të ketë një numër të madh lexuesish, për vet misionin fisnik dhe njëherësh të vështirë që kish marrë përsipër, për mesazhet që përçonte te cilido shqiptar, në SHBA apo Australi , Turqi, Suedi apo Zvicër, Gjermani, Itali, Belgjikë etj., mjaft që t’i thoshte vetes shqiptar dhe të përpiqej sadopak për kombin.
“Krahu i shqiponjës” përcillte me zërin e Bilal Xhaferrit dhe të bashkëpunëtorëve të tij, të Lidhjes çame apo kosovare, zërin e vërtetë të shqiptarëve. Me vdekjen e Bilalit heshti dhe zëri i saj. Një heshtje e dhimbshme, një humnerë më bosh se boshi, e krijuar prej ndërprerjes tragjike të zërit të shquar – Bilal Xhaferri.
Me kthimin në atdhe të eshtrave dhe të veprës së Bilal Xhaferrit, menduam se është jo vetëm një homazh, por një ringjallje e zërit të tij, krahas Universit – Bilal Xhaferri, botimi në vazhdim i “Krahut të shqiponjës” prej shtëpisë botuese “Bilal Xhaferri”, e cila e lartësoi ndër të parat simbolin e këtij personaliteti të letrave të shqipes, gjatë këtyre viteve të demokracisë. “Krahu i shqiponjës” vjen në Shqipëri edhe si një dëshirë e postum e Bilal Xhaferrit të sakrifikuar gjer në vetflijim për dheun mëmë.
“Krahu i shqiponjës” ishte dhe do të vazhdojë të mbetet tribunë e mendimi të lirë, një tryezë e rrumbullaktë prej së cilës do të burojnë mesazhet e kulturës sonë kombëtare jashtë çdo lloj diktati, për bashkimin shpirtëror dhe ndëretnik të shqiptarëve, si një popull ndër më të lashtët, pjesëtar i denjë i familjes evropiane.
“Krahu i shqiponjës” krahas pasqyrimit të vlerave më të mira të traditës dhe të atyre të së përditshmes shqiptare, do të synojë edhe rehabilitimin e mjaft figurave të shquara të të gjitha fushave, të mohuara prej ish diktaturës apo që kanë mbetur ende të panjohura, për mungesë rrethanash e përkushtimi. Në këtë revistë do të gjejnë veten e tyre, sidomos talentet e reja, ende të papërkrahur për vetë kushtet e vështira të tranzicionit, që të mos kenë fatin e hidhur të Bilal Xhaferrëve.
Unifikimi i artit shqiptar kudo që krijohet, si shprehje e vlerave më të arrira të botës shpirtërore shqiptare, finalja që synojmë, e cila i paraprin, në fund të fundit, unifikimit të kufijve tokësorë, ashtu siç e kanë ëndërruar dhe përpiqen ta bëjnë realitet atdhetarët e vërtetë. E pastë të lehtë udhën për në zemrat tuaja, lexues, si një shqiponjë që gjuan veç frymëzimet e shpirtit krijues shqiptar, kudo që të ndodhet nëpër botë!
Dr. Shefki Hysa


