Jemi mbledhur këtu në Sarandë, nga të gjitha anët e Shqipërisë, për të nderuar figurën e ndritur të Bilal Xhaferrit dhe për të varrosur eshtrat e tij në tokën mëmë. Nderimin e thellë dhe vlerësimin e madh për poetin dhe tregimtarin e shquar, për romancierin dhe publicistin e njohur, për disidentin që iu kundërvu diktaturës komuniste me veprën e tij, me jetën e tij, bile edhe me vdekjen e tij! Bir i Ninanit të Konispolit, që ka nxjerrë edhe njerëz të tjerë të shquar, ndër ta edhe rilindasin e madh Hasan Tahsini, Bilal Xhaferri trashëgoi traditën e shquar patriotike e kluturore çame, lirizmin elegjiak të folklotit çam dhe fatin targjik të popullsisë çame, vetëdijen, krenarinë, pathyeshmërinë, shpirtin kryengritës dhe dinamik të Çamërisë. Fati tragjik i çamëve që u vranë, u përndoqën, u çfarosën dhe u përzunë dhunshëm nga tokat dhe vatrat e tyre, fati i tyre i diskriminuar, i përbuzur e i përndjekur nga regjimi i Enver Hoxhës, është njëkohësisht edhe fati i Bilal Xhaferrit. Babanë ia pushkatoi terrori komunist qysh më 1945, si nacionalist dhe kundërshtar i regjimit. Ai mbeti jetim e pa asnjë përkrahje qysh në fëmijëri. Ishte vëllai i madh i tri motrave jetime. U rrit në mjerim, përndjekje dhe poshtërim të vazhdueshëm dhe ky fat i keq e ndoqi tërë jetën. Punoi si punëtor në rrugët e Shqipërisë, sidomos në Veri, punëtor mirëmbajtjeje dhe asfaltimi rrugësh, më pas punëtor krahu në fermat e Sukthit e të Tiranës, si normist dhe si teknik, gjithnjë duke ia nxirë jetën lufta e klasave dhe duke e rënduar si plumb në shpirt përbuzja si i deklasuar, si pinjollit i “armikut të popullit”, duke i qëndruar mbi qafë shpata e klasës punëtore, bile, maja e shpatës, e cila nga momenti në moment mund t’ia priste jetën dhe kokën, siç ua preu me mijëra e mijëra intelektualëve të tjerë patriotë e demokratë gjatë gjithë periudhës së diktaturës. I privuar nga jeta normale nga e drejta për të jetuar, i cfilitur nga puna nën avujt përvëlues të ziftit, nga varfëria, nga damkosja e dikriminit politik, nga vetmia nga vetëpërmbajtja, nga ndrydhja për të mos rënë në sy të persekutorëve, por edhe i privilegjuar i talentit, i zgjedhuri i muzës dhe i forcës së karakterit, Bilal Xhaferri e kaloi honin e vegjetimit të vdekjes e të harrimit, mbijetoi dhe u bë i pavdekshëm me jetën dhe veprën e tij.
Tregimet e para të mrekullueshme në fillim të viteve ’60 dhe libri I tij i parë befasues “Njerëz të rinj – tokë e lashtë”, ishin si një rrufe në qiell të kthjellët, ashtu si qe edhe autori një meteor i ndritshëm në këputje e sipër përmbi humbëtirë. Tregimtar i talentuar pikturon në ato faqe me penën e tij të fuqishme perënditë e lashta ilire, bëmat dardane – epiriote, heronjtë e Arbërisë, virtytet e shqiptarit që e kanë bërë atë të mbijetojë gjatë rrebesheve të pamëshirta të historisë, njerzit e vjetër e të rinj, banorë autoktonë në këtë tokë të lashtë. Me krijimtarinë e bukur artistikisht të arritur e me taban kombëtar, Bilal Xhaferri nga njëra anë fitonte admirimin e njerëzve në mbarë popullin, nga ana tjetër vihej përpallë diktaturës, përballë inkuizitorëve të letërsisë e të artit, bile edhe përballë xhelozisë të shkrimtarucëve të oborrit komunist. Kështu vëllimi poetik “Lirishta e kuqe” e shtypur më 1967, me urdhër nga lart, nga zyrat e KQ të PPSH, u ndaluar të shpërndahej dhe u dërgua në brumatriçe, për t’u kthyer në karton. Edhe romani historik “Krastakraus” shkruar në 500 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, vepër madhore me përmbajtje historike, por edhe me një tingëllim actual, drejtuar kohëve të ardhme, e pësoi edhe më keq. Nuk u botua fare. Për vite të tëra, u end nga një redaksi në tjetrën, nga një zyrë në tjetrën, nga një dorë në tjetrën, u dënua për të mbetur e pabotuar. Ky roman e pa dritën e botimit vetëm në kohën e demokracisë, në vitin 1993 nga shtëpia botuese “Bilal Xhaferri”, duke zënë vendin e merituar në historinë e letërsisë shqiptare. Dënimi me mosbotim ishte vdekja shpirtërore dhe morale e autorit. Përndjekja e tij ishte vdekja e tij fizike. Inkuizitorët e kuq e shpallën heretik, reaksionar, armik. Vepra e tij u ndalua, autori u dëbua nga Lidhja e Shkrimtarëve, iu hoq e drejta e botimit dhe e qarkullimit të veprës së tij dhe vetë atij. E dënuan në Hamallë të Durrësit, e izoluan, përndiqnin çdo njeri që përpiqej të takohej apo rastësisht takohej me të. Natyrisht që do të përfundonte së afërti në burg, si pasardhësit e tij. Operativët e Sigurimit të Shtetit nuk i ndaheshin. Im vëlla, që atëherë punonte në fermën “Gjergj Dimitrov”, më tregon se një ditë Bilal Xhaferri, i cili punonte si punëtor krahu në këtë fermë, megjithëse ishte trup i vogël, rrahu keq oparativin e sigurimit B. Shahu, që i ishte vënë këmba- këmbës edhe në punë dhe nuk i shqitej, e provokonte, e fyente, e torturonte. Bilalin e priste burgu. Po ai pati forca dhe kurajo të ngrihej nga ky rrethim dhe varrim për së gjalli dhe të arratisej nga Shqipëria më 1969. Shkoi e u vendos në dhe të huaj. Emigroi në SHBA, në Çikago, ku nxorri revistën “Krahu i shqiponjës”, në faqet e së cilës pjesa më e madhe e shkrimeve mbajnë firmën e tij. Bilal Xhaferri këtu shquhet si publicist, në vazhdën e publicistikës së Nolit e të Konicës, fatin mërgimtar të cilëve e pati edhe ai. Mirëpo siç duket oktapodi komunist kishte gojët dhe gjymtyrët e veta vrasëse edhe jashtë Shqipërisë, edhe në diasporë. Antikomunisti Bilal Xhaferri në revistën e tij “Krahu i shqiponjës ” dhe me veprat që mund të shkruante, ishte një rrezik potencial për regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe për progadandën e rreme që regjimi bënte në diasporë. E plagosën, i dogjën studion, ia bënë jetën të pasigurtë edhe në Amerikën e lirë. Vdiq në rrethana ende të panjohura dhe të pasqaruara mirë, më 1986, në agim të demokracisë shqiptare në prelud të ndryshimeve që ai kish ëndërruar, në prag të nderimit dhe vlerësimit të tij, të figurave të denigruara e të martirizuara të kombit. Bilal Xhaferri si çam e kishte të hapur plagën e Çamërisë. Këtë temë ai e ka trajtuar dhimbshëm në tërë krijimtarinë e tij. Poezia – kryevepra e tij – “Baladë çame” është jo vetëm baladë për fatin tragjik të popullit çam të shpërngulur, të përndjekur nga trojet e veta, të vrarë dhe të masakruar, por edhe baladë për veten, baladë për fatin tragjik të vetë Bilal Xhaferrit. “Lamtumirë Çamëri”! Është refreni , fillimi dhe përfundimi i veprës, artikulim tragjik i ndërgjegjes kombëtare dhe i ndërgjegjes së vetë krijuesit…
Na e tregojnë drejtimin plumbat,
Na e ndriçojnë rrugën flakët…
Billal Xhaferri e ka fjalën për masakrat masive në kurriz të popullsisë çame, në Pramithi dhe në Filat nga ana e forcave shoviniste greke të kryesuara nga gjenerali famëkeq Napolon Zerva dhe kriminelë të tjerë ultranacionalistë. Po aq tragjik ishte edhe spastrimi etnik, edhe shpërngulja me dhunë e çamëve nga trojet etnike në mënyrë intensive, sidomos në 1940 kur u dëbuan, nga Çamëria gjithë meshkujt e Çamërisë nga mosha 15 vjeç deri në 70 vjeç dhe u internuan përjetësisht në ishujt e Egjeut (Dodekonez), si dhe gjatë vitit 1945 kur u dëbuan përgjithmonë nga Çamëria mëmë.
Kështu u realizua spastrimi i plotë i Çamërisë, duke u përzënë 83000 çamë nga vatrat e tyre, nga këto 45000 erdhën e u vendosën në Shqipëri.
Ne popull muhaxhir, ecim nëpër shi.
Matanë largësive u zhduk e përflakur Çamëria
dhe të gjithë rrugët tona shpien në Veri.
Një popull që ecën nëpër shi. Ylberi, si një fat jetësor e shpresë njerëzore, tretet në largësi, në lot e në shi. Lotët dhe shiu përcjellin të ndjekurit, të shpërngulurit, njerëzit pa vatan dhe pasuri, në flakë e shi (“Mbi kreshtat e flakëve, nëpër shi”, “Baladë Çame”).
Bilal Xhaferri nuk është vetëm poeti i dhimbjes came, por edhe i dhimbjes kombëtare, i dhimbjes kosovare.
“Kosova
e mbetur në udhëkryq të historisë
Kosova
ku shqiptarët flasin një gjuhë
dhe dëgjojnë dy gjuhë
edhe gjuhën e mëmës
edhe gjuhën e UDB-së
Pas Çamërisë dhe Kosovës, ku mbetet Shqipëria”?
Përgjigjen e jep ai pasi mërgohet nga atdheu. Shqipëria mbetet nën kthetrat e diktaturës, të varfërisë, të terrorit, të ankthit, të egërsisë komuniste, të errësirës gllabëruese, të izolimit nga telat me gjemba, siç shkruan Bilal Xhaferri.
…Rrugëve të atdhet
Si kukuvajkat nën hënë
leh dhe ulurin
gazi ’69.
(Gazi ’69 simbolizon makinën e egër të diktaturës, Sigurimin e Shtetit, që arrestonte, burgoste, masakronte dhe vriste njerëzit e pafajshëm në Shqipëri).
Ky ishte atdheu që Ia ai nga pas. Atdheu, ku ai la edhe zemrën e vet, edhe pjesën më të madhe të jetës dhe veprës të tij, edhe njerëzit e afërt.
“Kur vallë sërish tek ty do kthej”? – pyet ai nëpërmjet vargjeve. Mirëpo poeti nuk u kthye dot sa qe gjallë.
“Shpirti im – si hekur – me lot u ndryshsh dhe u nxi” – theksonte ai i dëshpëruar larg atdheut që e deshi aq shumë…
Dëshira e tij “kur vallë sërish tek ty do kthej”, shpirti i tij i bukur, eshtrat e tij të patretura në dhe të huaj, u kthyen nga shteti demokratik në Atdhe, nga këmbëmgulja e intelektualëve çamë si shkrimtari Shefki Hysa e të tjerë të mbledhur rreth Shoqatës Kulturore “Bilal Xhaferri”, dhe sot do të varrosen e do të prehen në tokën mëmë.
Të qotë i lehtë dheu Arbëror, o Bilal Xhaferri!
Pra, ç’ka është më e rëndësishmja, u kthye përfudimisht midis nesh vetë Bilal Xhaferri, kujtimi i tij, gjurmët e tij të pashlyera, vepra e tij madhore, pavdekësia e tij.
Maj, 1995