Libri “Zot Shtëpia në Shtëpinë e Vet”, i autorit të mirënjohur Ali Daci është i veçantë, i denjë për këtë promovim që po bëhet sot, ndërsa vetë Aliu meriton të gjithë vlerësimin dhe mirënjohjen e shqiptarëve.
Që në titullin e librit jepet simbolikisht Atdheu. Shtëpia është vendi ku nis Atdheu i shqiptarëve, pastaj përfytyrimi për Atdheun rrok vendbanimin, në këtë rast Dacajt e vazhdon me Rozhajën, Tutinin, krejt Sanxhakun dhe mbarë trevat shqiptare. Që në titull dhe në përmbajtjen e pjesës së parë të librit përcillet mesazhi se shqiptarët e Sanxhakut duhet të jetojnë të lirë e t’i gëzojnë të gjitha të drejtat kombëtare. Ndërsa në pjesën e dytë, përmes polemikave të botuara në organet e shtypit,që janë përmbledhur në këtë libër, Ali Daci kritikon qëndrimet politike të politikanëve apo subjekteve politike të caktuara shqiptare në Malin e Zi për lëshime ndaj pushtetit malazez rreth trajtimit të shqiptarëve atje.
Lexuesi shqiptar, për fat të keq, ka ende pak dije mbi Sanxhakun shqiptar dhe mbi qëndresën e tij ndaj pushtuesve sllavë. Në këtë libër historia dokumentohet me fakte dhe analizohet. Këtë padije të shoqërisë duket se e manifestojnë dhe drejtuesit politikë e shtetërorë, deri edhe diplomatët. Shpresojmë që libri t’u bie në dorë të gjithëve, sepse të gjithë kemi nevojë për të.
Për fat të keq, Çështja Kombëtare Shqiptare është ende e pazgjidhur dhe, për rrjedhojë, projekti i bashkimit mbarëkombëtar në një shtet të vetëm vazhdon të jetë një aspiratë e ligjëshme. Por që të realizohet kjo aspiratë, në një situatë të favorëshme gjeopolitike, duhet që njerëzit t’i paraprijnë kohës dhe ngjarjeve, siç vepron Ali Daci.
Popullsia shqiptare e trevës së Rozhajës dhe Tutinit është krenare për qëndresën e saj ndaj pushtuesve, nën komandën e prijësve të shquar: Mulla Jakup Kombi, Zhuj Selman Daci, Adem Najeni, Bikë Dreshaj, Sallko Ganevi, Bekë Neziri, Hysen Ahmeti etj.
Se është e nevojëshme që të punohet si Ali Daci e tregon fakti që, menjëherë pas pushtimit të Jugosllavisë nga forcat e Boshtit në tetor 1941, një pjesë e madhe e shqiptarëve, edhe nga ata që e kishin humbur gjuhën, iu kthyen rrënjëve dhe i dërguan fëmijët në shkollat shqipe, si dhe luftuan dhëmbë për dhëmbë me forcat çetnike dhe ato partizane jugosllave.
Mbijetesa shqiptare në Rozhajë kërkon shumë njerëz idealistë si Ali Daci, Haxhi Lajçi, mësuesit e shkollës shqipe të Dacajve, të gjithë mësuesit shqiptarë në Mal të Zi etj. Por ndryshe nga vendbanimet e tjera shqiptare, Sanxhaku ka kaluar në shkallën e fundit të asimilimit, me 4-5 përqind shqiptarë, të cilët mbahen falë angazhimit atdhetar të Aliut me shokë atje, të drejtuesve dhe veprimtarëve të shumtë të shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, por edhe të publicistit të mirënjohur Ramiz Lushaj që e dërgon Gazetën e Alpeve në Sanxhak.
Në këtë libër të atdhetarit Ali Daci gjenden momente të rëndësishme nga jeta e shqiptarëve në këtë trevë. Kjo kujtesë që dokumentohet në këtë libër duhet të njihet dhe t’u përcillet shqiptarëve në Sanxhak, pavarësisht nëse e dijnë apo jo gjuhën shqipe. Mendoj se ata do ta kuptojnë mesazhin e madh që përcjell Aliu me këtë libër.
Përmes librit “Zot Shtëpie në Shtëpinë e Vet”, ne si lexues mësojmë një të vërtetë të hidhur. Asimilimi sllav nuk u arrit vetëm me dhunën sllave, të cilës shqiptarët nuk ia kthyen kurrë shpinën, por u realizua me mekanizmat e tjera të shtetit okupator. Shteti sllav malazez dhe ai jugosllav, pastaj dhe ky shteti i sotëm malazez kanë përpunuar platforma për zhdukjen e shqiptarëve dhe deri diku ia kanë arritur qëllimit. Popullsia shqiptarë ndër vite pati emigrim të madh, për shkak të diskriminimit shoqëror dhe ekonomik, dhunës së hapur dhe të fshehtë, mashtrimeve të përhapura nga njerëz të porositur për “parajsë” në ndonjë vend tjetër etj. Nga ana tjetër, shteti okupator punoi në dobësimin e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve. Në kushtet kur ndodhi afrimi midis shqiptarëve dhe sllavëve mbi bazën e solidaritetit fetar, nisi procesi i humbjes së gjuhës ndër shqiptarë. Në këtë periudhë sllavët myslimanë serbë apo kroatë, u diferencuan mbi baza fetare dhe e quajtën veten myslimanë. Kështu i quajti dhe Mbretëria Jugosllave, e cila lejoi dhe krijimin e Partisë myslimane që mori pjesë në të gjitha qeveritë jugosllave të periudhës 1919-1941. Popullsisë myslimane iu bashkuan ndër vite dhe shqiptarë, mbi bazën e solidaritetit fetar dhe të fatit të përbashkët, sepse dhe shqiptarët qenë të detyruar të mësonin në shkollat shtetërore sllave dhe të frekuentonin objektet e kultit ku predikohej sllavisht. Në një fazë të dytë, pas Luftës së Dytë Botërore, rregjimi titist u dha myslimanëve të Bosnjës një republikë të përbashkët me serbët dhe kroatët e Bosnjës, por shpiku dhe “nacionalitetin” artificial boshnjak, i cili paradoksalisht prej asaj periudhe është në ekspansion dhe ka arritur deri në Plavë-Guci e në Ulqin. Shikoni pra se ç’bën dija, apo mungesa e saj. Prandaj libri i Ali Dacit me të dhënat që shpalos, u tregon shqiptarëve në Sanxhak misionin e tyre të shenjtë, kthimin te rrënjët.
Ali Daci në pjesën e tretë të librit boton polemikat e publikuara më parë në media me politikanët europianistë(jugosllavistë) ndër shqiptarë, të cilët pretendojnë se duhet përqafuar sjellja politike europiane ndaj qeverive malazeze dhe që të drejtat e shqiptarëve të realizohen në kuadër të atyre qeverive. Po që shqiptarët të presin vetëm prej qeverive në Podgoricë, duhet që edhe ato të përqafojnë sjelljen europiane ndaj shqiptarëve.
Shqiptarët në Malin e Zi, në përpjekje për mbijetesë u sollën në mënyra të ndryshme: disa ikën në Turqi, SHBA dhe Europë, të tjerë kaluan në Kosovë e më pak në Shqipëri, por dhe atje i janë kushtuar Çështjes Shqiptare në Sanxhak. Ali Daci zgjodhi të jetonte në Sanxhak, zgjodhi të bëhet mësimdhënës i gjuhës shqipe, ushtroi vokacionin e tij prej shkrimtari në gjuhën amtare dhe nga nevoja e popullit të vet iu desh të bëhet dhe politikan. Pra është një intelektual i angazhuar tërësisht në shërbim të kombit shqiptar atje. Aliu është vazhduesi më i denjë i traditës së madhe atdhetare të Derës së Dacajve. Vepra e Ali Dacit është profetike dhe historike, me një mision të madh kombëtar dhe emancipues shoqëror si përgjigje ndaj sfidave të reja që i presin shqiptarët.
LARGËSIA NGA LIBRI – ANORMALITET I NORMALIZUAR
Batica teknologjike që ka mbërritur tashmë në çdo shtëpi, në çdo dorë njeriu, është kthyer në një sipërmarrje të vështirë për t’u sfiduar. Shumë syresh janë dorëzuar që në valën e parë të goditjes, madje mezi e kanë pritur këtë goditje. Të tjerë vazhdojnë të kapitullojnë ditë pas dite, duke u kthyer në konsumatorë të regjur të energjisë që çliron kjo baticë, me shpresën se do të zëvendësojnë energjinë e shteruar për jetë. Vetëm një pakicë syresh, të cilët janë zgjedhur për të qenë të tillë, vazhdojnë të rezistojnë mes valëve të kësaj batice, duke u munduar të çojnë drejt atrofizimit efektet e energjisë së saj, në hapësirën e tyre ekzistenciale më së pari.
Nuk mund të konceptohet që një nxënës, i cili kryen arsimin parauniversitar, të mos ketë lexuar autorë si Lev Tolstoi (Lufta dhe Paqja), Nikollaj Gogol (Frymë të vdekura), Fjodor Dostojevski (Vëllezërit Karamazov), Franz Kafka (Procesi, Metamorfoza), Xhejms Xhojs (Portreti i artistit në rini), Shekspir (Hamleti, Makbethi), Gëte (Fausti), Dante (Komedia Hyjnore), Rëne Guenon (Kriza e botës moderne), Osvald Spengler (Njeriu dhe teknika) e shumë e shumë të tjerë shkrimtarë mbarëbotërorë, por më së shumti mbarënjerëzorë.
Pa lexuar dhe kuptuar kryeveprat e mendimit botëror qysh në adoleshencë, do të jetë e vështirë të formojmë personalitete të qëndrueshëm dhe me vizion, të papërkulshëm para ndërprerjes së “koromanes” dhe shpirtra të etur për frymën e jetës.
Prandaj na lind si detyrë të përpiqemi të mbjellim farat e dashurisë për librin, për të ngushtuar largësinë e nxënësit dhe studentit nga zjarri i jetës, në mënyrë që ky anormalitet të mos konsiderohet si pjesë e standardit normal të jetës.
Nikollë Loka